TIRANE

Në nisje të sesionit të ri Parlamentar, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dha një mesazh për të gjithë deputetët në sallë, por veçanërisht për opozitarët, të cilët i ftoi të vendosen krah mazhorancës për të përmbushur bashkë aspiratën më të madhe të shqiptarëve, hapjen e negociatave me BE.

“Sesioni që lamë pas mund të ishte më produktiv nëse do të ishte edhe pjesëmarrja aktive e opozitës. Fitorja e zgjedhjeve duhet të jetë në shërbim të misionit kombëtar dhe jo e kundërta. Do të dëshiroja që debati i munguar të kompensohet në këtë sesion. Prezenca e opozitës e bën sesionin të vështirë por njëherësh më demokratik, më të trazuar por njëherësh më të dobishëm. I kemi të gjitha mundësitë të vulosim në kujtesën e secilit prej nesh këtë sesion si sesioni i çeljes së negociatave me BE”,- u shpreh Ruçi në nisje të fjalës së tij.

Duke kërkuar që edhe mazhoranca të bëhet më bashkëpunuese, i pari i Kuvendit i kërkoi edhe njëherë opozitarëve të lënë mënjanë kapriçot.

“Shpresoj që opozita të bëhet një vlerë e shtuar dhe shumica të tregojë më shumë vullnet për të bashkëpunuar. S’kemi luksin të biem në batakun e ambicieve partiake. Mjaft e kemi penguar aspiratën europiane me kapriçot tona”,- vijoi ai.

Po ashtu Ruçi kërkoi votën e deputetëve të opozitës për të miratuar ndryshimet në kodin zgjedhor.

Ruci tha ndër të tjera se duhet të përfundojë brenda këtij sesioni parlamentar ndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë dhe se duhet një sistem drejtësie me integritet.

“Të nderuar kolegë nuk kemi zgjidhje tjetër, përveçse për të rindërtuar sistemin për një drejtësi që bën drejtësi. Reforma në drejtësi nuk është vetëm vettingu. Të përfundojë brenda këtij sesioni ndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë. Forcimi i kontrollit parlamentar si një objekt konstat i parlamentit do të kontribuojë për cilësinë e jetës së qytetarëve. Kemi filluar përgatitjet për 100 vjetorin e Ismail Qemalit. Plotësimi i sfidave që na presin nuk toleron asnjë pengesë dhe asnjë shmangie. Sfidave t’u paraprimë me vizion. Duhet një sistem drejtësie i pandashme dhe me integritet që do an bënte krenarë”- tha Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: