TIRANË

Ish-zëvendëskryeministrja Senida Mesi e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” u shpreh se opozita e vendit po bën koalicion për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Mesi nënvizoi se zgjedhjet do të zhvillohen, teksa kujtoi se 34 subjekte politike janë regjistruar tashmë. Ajo tha se bojkoti ndaj zgjedhjeve nuk dëmton cilësinë e tyre.

“Mendoj se opozita e vendit po bën koalicion për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Deri tani janë regjistruar 34 subjekte politike. Bojkoti i zgjedhjeve nuk dëmton cilësinë e tyre”, tha Mesi.

Senida Mesi theksoi se në rast se opozita ka ndonjë kritikë për Kodin Zgjedhor, atëherë qeveria e pret në dialog.

“Në rast se opozita e vendit dëshiron që vërtetë të ndryshojë Kodin Zgjedhor, ka pakënaqësi, atëherë le të ulet në tryezë dialogu. Tryeza të bëhet nën suportin edhe të ndërkombëtarëve dhe të vendoset nëse duhen ndryshuar sistemi apo jo. Për ne është i rëndësishëm dialogu”, tha ish-numri dy i qeverisë së vendit.

Sipas Senida Mesit, opozita e vendit është humbëse dhe se qytetarët sa vjen e braktisin atë. Ajo nënvizoi se qytetet e Shqipërisë kanë ndryshuar rrënjësisht.

Sa i takon kandidatëve për zgjedhjet lokale, Mesi deklaroi se po punohet nga PS për të zgjedhur kandidatë që janë realisht vlera nga vendet nga vijnë dhe njohin problematikat e qyteteve të tyre.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb