TIRANE-Ish presidenti i Kroacisë Stjepan Mesiç duke folur për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri në News 24 shprehet se korrupsioni është si një kancer në trupin e njeriut që rrezikon jetën e tij nëse nuk arrihet të luftohet siç duhet. Duke iu pergjigjur pyetjes së gazetarit se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të luftuar këtë fenomen, duke pasur parasysh se Kroacia e ka dëshmuar në mënyrë konkrete arrestimin e zyrtarëve të korruptuar, Mesiç shprehet se është e rëndësishme që gjykatat të jenë të pavarura dhe policia të bëjë punën e saj.

 

“Më e rëndësishmja është që gjykatat të jenë e pavarura dhe e dyta që është po aq e rëndësishme, policia duhet të bëjë punën e vet në përputhje me ligjin. Eshtë fakt se të gjitha vendet të cilat dëshirojnë të integrohen në Bashkimin Europian duhet të punojnë duke respektuar ligjet dhe rregullat. Korrupsioni është një fakt edhe në vendet e tjera të zhvilluara. Po të mos ekzistonte atje me siguri që nuk do të ekzistonte as në vendet tona që janë më të vogla. Korrupsioni është si një kancer në trupin e njeriut që nëse nuk luftohet mund të rrezikojë jetën e një personi”, nënvizon Mesiç.

 

Sa i përket Kosoves, Mesiç shprehet se pavarësia ishte mënyra e duhur pasi Millosheviçi kishte synuar ta spastronte atë etnikisht.

 

”Kosova kishte të drejtën për pavarësi. Siç e dini Jugosllavia ka pasur gjashtë republika. Pas vdekjes se Titos.duhej të dilej me një marrëveshje politike, por Millosheviçi i cili ishte numri një i Serbisë nuk dëshironte asnje lloj marrëveshje, as federatë dhe as konfederatë. Synimi i tij ishte vetëm serbia e madhe, madje të ishte e pastër etnikisht. Ai mendote që të gjithë Shqiptarët t’i largonte nga Kosova ndërsa Serbët t’i zhvendoste për të jetuar në Kosovë” shprehet Mesiç. Sipas ish presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiç, Kosova e pavarur tashmë është definitivisht një fakt i kryer.

 

(a.n/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb