ANDON ANDONI*

Sot, teksa po mbahej testimi për të fituar një vend pune si “Mësues për Shqipërinë”, mediatikisht i anonçuar fuqishëm prej qeverisë si një “reformë që do hedhë përtokë tërë sistemin arsimor” ende pa u mbyllur ky aksion politik, duket se ky proces, në mos do rezultojë tërësisht i dështuar, më së paku duket që është një proces pa asnjë akses pozitiv në shkollën tonë, sot dhe gjithë ditën sepse është në kundërshti të hapur me ligjin. Së pari, sepse që në nisje, ky portal i famshëm, i “Mësues për Shqipërinë” tash e tutje ishte dhe mbetet një fyerje e rendë për të gjithë mësuesit që aktualisht punojnë në arsim. Pasi, që në paradigmë të saj, “Mësues për Shqipërinë” nënkupton që këta mësues të deri tashmit, domethënë ende të mbetur aty, mund të kenë qënë mësues për dreqin e shejtanin deri tash, për tajlandezët e malazezët, por jo për Shqipërinë! Ky shou që po fillon sot, i vë në një antagonizëm të hapur, më e pakta moralisht, ata që janë dhe ata që po synojnë të futen në arsim pikërisht me provimin e famshëm-test, “Mësues për Shqipërinë”. Thuhet se do jetë me bar kode, transparent, pa mundësi kopjesh, e ku di unë se çfarë dhe që në fund ky mësues do zgjedhë, për shembull, 108 mësuesit më të mirë, (vetëm sipas këtij testi, që shumëkush, nga ata që e provuan sot në kurriz, as e panë e as e takuan, do perifrazonim Tano Banushin e famshëm) dhe që do kenë të drejtë të zgjidhnin, vendin e punës, që nga Tirana e deri në Malësinë e Madhe e Konispol. Por, veç kësaj MAS do rezervonte të drejtën që për këta kandidatë aplikues në këtë portal, të përdorë edhe të dhënat e tjera private, të tyre… me gjasë, përpara se të shpallë listën e rankuar të tyre, janë marrë të dhënat te partia e lagjes…. Pasi dhe diferenca mes kandidatëve do bëhet mbi bazën e pyetjeve me zhvillim, që do të thotë shto miell e shto ujë, për të nxjerrë fitues militantin. Megjithëkëtë, lipset të presim për të nxjerrë përfundimet e mësipërme. Por deri tani këto farë konkursesh dhe testimesh, atëherë kur kanë ndodhur, kanë lënë një shije të tillë zhgënjyese e mosbesuese te njerëzit, që hamendësojmë se do ndodhi edhe për këtë tymnajë të zhurmshme. Kujtoj një mësuese të devotshme, të tejpërgatitur, që e pat kaluar tërë jetën e profesionit të saj në periferi të Tiranës, Irena e ka emrin, (nuk po ia citoj mbiemrin se e marr në qafë, e pushojnë fare nga puna) iu fut udhës për t’u afruar në Tiranë përmes konkursit. Edhe pse ishte më e mira (jo sipas meje, por sipas rezultateve të konkursit) mbeti gjithë kohën pas listës. E dyta, por asnjëherë fituese. Shkaku! Nuk ishte shumë socialiste apo lsiste. Por në këto radhë nuk do mbetem gjatë te bërja dhe zhbërja e këtyre konkurrimeve fasadë dhe shou, (a nuk u zgjodh me një të tillë edhe ish-drejtoresha e Lushnjës?!) por te një element shumë më i rëndësishëm, për të kuptuar jo vetëm falsitetin dhe arrogancën me të cilën po sulmohet mësuesi dhe shkolla, por dhe tërë këtë dështim të pritshëm, edhe të disa arritjeve të deritanishme të shkollës sonë në këta njëzet vite.U futa te faqja e MAS, për t’u konsultuar me disa ligje dhe akte nënligjore se si do të bëhet e mundur emërimi i mësuesve “fitues” të mësipërm. Sipas lajmeve, tashmë e dinë të gjithë që do t’i emërojë Ministria e Arsimit, për të shmangur dhe eliminuar korrupsionin në emërimin e tyre si deri tani. Kujtoni ish-drejtoren e Arsimit në Lushnjë. Bukur! Mbaja mend se para dy viteve u miratua në Kuvend, ligji “për Arsimin parauniversitar”, nr. 69 më 21.06. 2012 dhe që mori një shumicë absolute votash edhe nga opozita e atëhershme sot në pushtet. Atë ligj, bëj me dije për lexuesin se deri më sot kjo mazhorancë e ka lënë në fuqi, se mund ta hidhte në koshin e plehrave me një të rënë të lapsit, nuk e ka bërë. Pra, ligji është në fuqi. Dhe në nenin 60 të tij, thuhet për mësuesin, qoftë edhe për këtë “për Shqipërinë”, se: Pranimi dhe largimi nga puna i mësuesit ndodh kur “Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit për vlerësimin. Komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, kryetarin e bordit të institucionit, kryetarin e këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues që zgjidhen nga këshilli i mësuesve në atë institucion. Një nga mësuesit me përvojën më të gjatë në atë institucion drejton komisionin e vlerësimit. Procedurat e vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit”. Se cili është ky komision në shkallë kombëtare dhe lokale, po sipas këtij ligji, as që do marr mundimin ta shpjegoj këtu, gjersa Ministria e Rilindjes nuk e “njeh dhe nuk e ka zbatuar dhe zbaton këtë ligj”. Dhe nuk ka ngritur asnjë prej këtyre komisioneve në shkallë vendi dhe lokale, nuk kam pse ta bëj unë. Madje, se si do t’i emërojë ministresha këta mësues, (është e njëjta praktikë emërimi edhe për drejtorin e shkollës, të përcaktuar në këtë ligj, por që ata kanë kohë që janë emëruar si të jashtëligjshëm në mbarë shkollat e vendit dhe ky është një problem tjetër.) Kur të gjitha këmbanat dhe përvojat e vendeve të zhvilluara bien për një emërtesë mësuesish sa më të decentralizuar, ende nuk është bërë e qartë. Ndoshta ata tetë këshilltarë që ka pranë ministrja Nikolla, (këto ditë ka marrë edhe një grua për këshilla ndaj arsimit parauniversitar) do t’i sugjerojnë ndonjë zgjidhje si deri tani! Më e shumta, bëj si të të dojë qejfi, jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi. Por më duhet t’iu kujtoj madje, se Fatos Nano dhe qeveria e tij socialiste, vite të shkuara, në një takim të mbajtur në Vlorë për këtë qëllim, ishte gati duke e institucionalizuar këtë parim të decentralizimit të arsimit në të gjitha hallkat e tij përbërëse, edhe për emërimin e mësuesve, parime dhe frymë që është pasqyruar edhe në Ligjin nr. 69. Por kohë të reja dhe hapa galopante pas… Ka vetëm një mundësi, sipas tyre. Meqenëse këtë ligj, pra Ligji nr. 69/datë 21.06. 2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” dhe i përafruar plotësisht me Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian (2000/C 364/01) datë 18 dhjetor 2000, faqe 1-22, nuk ka asnjë peshë dhe vlerë, sepse Ministria e Arsimit dhe Sporteve për nevojat e saj, pra sipas qejfit e dëshirës, e ka hequr edhe nga faqja e websaitit dhe arkivi i kësaj ministrie (arkivi është fshirë fare, nuk ekziston asnjë dokument për publikun dhe ato që janë, fillojnë nga Qeveria e Rilindjes 2013 e këtej) dhe e ka zëvendësuar me një ligj tjetër Për arsimin Parauniversitar” të cilësuar “i azhornuar” dhe që mban firmën e ish-presidentit Rexhep Mejdani. Shkurt, mund të bëjë ç’ti dojë qejfi. Kjo është një e vërtetë që mund ta shohin të gjithë shqiptarët. Dhe të mendosh se jemi në vitin 2014 dhe jo në qeverinë e bananeve, kur mund të luhet me shpërfilljen e ligjeve të këtij vendi në këtë mënyrë kaq të hapur dhe moskokëçarëse, është një rrezik serioz për kthimin e shoqërisë në një diktaturë të re. Kaq shpërfillës dhe antiligj po tregohen protagonistët e sistemit arsimor, saqë arroganca e atyre që u etiketuan një milion shuplakat e qershorit 2013, nuk dihet se ku do ndalet. Kujtoj që Napolon Bonapartit kur donin t’i mburrnin luftërat dhe betejat që kishte fituar, pranoi se njëra prej tyre kishte qenë më e lavdishmja, që e kishte bërë Francën me ligje.

(o.d/ Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: