NGA: ERMELINDA HOXHAJ
Nesër më 11 dhjetor, do të nisë aplikimi në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Të gjithë kandidatët që kanë kaluar me sukses vlerësimin e dosjes personale nga drejtoritë arsimore përkatëse kanë të drejtën të aplikojnë në portal. Sipas Ministrisë së Arsimit, afati i fundit i regjistrimit është mesnata e datës 16 dhjetor. Faktikisht këtë vit nga drejtoritë arsimore nuk janë bërë publike se sa mësues kanë dorëzuar dosjet, ndërsa nga të dhënat e vitit të shkuar në portal u regjistruan rreth 3500 kandidatë. Testimin këtë vit mësuesit do ta zhvillojnë në mbarë vendin në të njëjtin orar në datë 21 janar 2017. Testi në total do të ketë 70 pikë dhe është i ndarë në dy pjesë.

REGJISTRIMI&TESTIMI
Të gjithë kandidatët që kanë dorëzuar dosjet duhet të paraqiten pranë drejtorive arsimore përkatëse për të marrë pikët e vlerësimit të dosjes, si dhe fletën e pranimit që u duhet në momentin e aplikimit online në portalin “Mësues për Shqipërinë”. “Aplikimi në portalin mesues.arsimi.gov.al fillon më datë 11 dhjetor në ora 08:00 dhe vazhdon deri më datë 16 dhjetor ora 24:00”, – sqarohet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Më tej, këta kandidatë që do të regjistrohen online në portal, në datë 21 janar, 2017 do t’i nënshtrohen testimit. “Testimi i kandidatëve për ushtrimin e profesionit të mësuesit në sistemin arsimor parauniversitar do të zhvillohet më datën 21.01.2017, ora 10:00-12:30, në mjediset e planifikuara nga drejtoritë arsimore rajonale. Në testimin për ushtrimin e profesionit të mësuesit kanë të drejtën të marrin pjesë: kandidatët që janë pranuar në fazën e parë të konkurrimit nëpërmjet vlerësimit të dosjes, fazë e cila zhvillohet në çdo njësi arsimore vendore (DAR/ZA). Kandidatët që kanë marrë pjesë në testimet paraardhëse “Mësues për Shqipërinë” dhe dëshirojnë të përmirësojnë rezultatin e tyre”, – përcaktohet në shkresën e MAS.

Testi që do t’i nënshtrohen mësuesit ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionit arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës. Vlerësimi i testeve kryhet në Tiranë nga komisione të vlerësimit të testeve. Renditja përfundimtare për çdo profil/lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2016”.

Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit/lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në institucionet arsimore në prezencë të komisionit të ngritur pranë Drejtorive/Zyrave Arsimore Rajonale. Të gjithë kandidatët që kanë marrë pjesë në testimet e mëparshme “Mësues për Shqipërinë” dhe nuk kanë mundur të jenë pjesë e sistemit arsimor, si dhe kanë vendosur të mbajnë pikët e fituara nga testimi i mëparshëm, aplikojnë nëpërmjet një shtojce të veçantë duke respektuar kërkesat e Udhëzimit Nr.38. Këta kandidatë pas vlerësimit përfshihen në renditjen përfundimtare për profil/lëndë në DAR-in përkatës.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: