NGA: ERMELINDA HOXHAJ
Shpallen rezultatet e rreth 4 mijë më suesve të 13 drejtorive arsimore që morën pjesë në testimin “Mësues për Shqipërinë” më 21 janar 2017. Me shpalljen e pikëve të tyre, përfundon edhe faza e dytë dhe vendimtare për arsimtarët që duan të fitojnë një vend pune në arsimin parauniversitar publik. “Gazeta Shqiptare” në tabelat e mëposhtme publikon pikët për 1.060 kandidatët e DAR Tiranë dhe DAR Tiranë Qark që morën pjesë në testimin “Mësues për Shqipërinë”. Sipas drejtuesve të drejtorive arsimore, kjo nuk është renditja përfundimtare e arsimtarëve, pasi këtyre pikëve që ata kanë marrë në testim do t’u shtohen edhe pikët e dosjes, dhe më pas do të bëhet renditja përfundimtare e tyre për çdo profil/lëndë. Rezultati i testimit është një nga faktorët përcaktues, por jo i vetmi për t’u punësuar. Pikët e testit kanë 70% të peshës në garën për punë.

Shumatorja e tyre me pikët e dosjes, që secili prej tyre i ka marrë tashmë në Drejtorinë Arsimore, përbëjnë totalin e pikëve me të cilat shpallet ose jo fitues. Por, mundësia e punësimit është në varësi të renditjes së tij dhe vendeve në dispozicion për çdo DAR/ZA. Prioritet ka ai kandidat me pikët maksimale, i cili ka të drejtë të refuzojë deri në tri vende që i ofrohen nga komisioni i ngritur posaçërisht. Kandidati, i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit/lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në institucionet arsimore në prezencë të komisionit të ngritur pranë Drejtorive/Zyrave Arsimore Rajonale.

REZULTATET
Kandidati duhet të bëjë verifikimin e IDsë personale për të mësuar pikët që ka grumbulluar në provim. Në tabelat e mëposhtme, veç ID-së, kandidatët kanë të dhënë edhe lëndën si dhe pikët që kanë fituar në testim, të ndarë sipas përbërjes së tezës. Në kolonën e fundit, kandidatët kanë pikët totale që kanë arritur, ndërkohë që pikët maksimale të testit janë 70. Ndarja është bërë e tillë, pasi edhe testi ishte i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionit arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, dhe në total ka 30 pikë.

Ndërsa pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës dhe në total ka 40 pikë. Sa u përket rezultateve të bëra publike nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA), pikët maksimale nuk janë marrë nga asnjë kandidat, por arritja më e lartë është 69 pikë. Vlerësimet mesatare me 34-46 pikë janë rezultatet që mbizotërojnë, por nuk mungojnë as kandidatët që kanë marrë një minimum prej 5 dhe 7 pikësh, e cila tregon për një nivel shumë të ulët të tyre. Këto vlerësime maksimale dhe minimale i gjen në kandidatët e DAR Tiranë Qytet dhe DAR Tiranë Qark.
(Listen me emra mund ta gjeni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: