Nga PANO HALLKO*
Para disa ditësh, doli në pension njëri nga mësuesit e mëdhenj të këtij vendi, një intelektual i mirëfi lltë e poet patriot, dekoruar me medaljen “Mjeshtri i Madh”, Prof. Muhamet Tartari. Në statusin e vet, ky mësues kishte shkruar pak fjalë zemre, me të tillë modesti, gati duke kërkuar ndjesë, për… Kontributin madhor që ai dha në arsim dhe në art!
Nuk do të merrja shkas për të shkruar për mësuesit thjesht nga ky fakt, nëse po para pak ditësh nuk do të kishte ndodhur “e pabëra” në Bajzë të Shkodrës. Kanalet tona televizive, “e luajnë” videon e regjistruar nga një nxënës/e në celularin e tij/saj(që nuk i lejohet ta mbajë në orën e mësimit), thuajse çdo mbrëmje për minuta të tëra përmes “rpt”-së, që shikuesit të binden se… “rrahja ka zgjatur për shumë kohë”! Por edhe sepse…
…Para një jave në gjimnazin “Sami Frashëri” këtu në Tiranë, në orën e Biologjisë në klasën e XI/C, mësuesja i tha një nxënësi “të shkathët”, t`i hiqte kufjet nga veshët dhe të fikte celularin. -Hec e merre-i tha “nxënësi”, se këtu poshtë rripit të pantallonave e kam. Mësuesja e mbytur në dënesa dhe lot nga fyerja, doli nga klasa dhe trokiti në…derën e Drejtorisë. Shkoi drejtoresha në klasë, por i duhej njëherazi të realizonte dy gjëra: –Të “fshinte” lotët e mësueses, por kryesisht të mbronte “të drejtat” e “nxënësit”. E ç`mund të bënte në këtë rast, cilado drejtoreshë, cilado mësuese e këtij vendi, kur nuk ka asnjë të drejtë, përveçse detyrimit për të mbrojtur “të drejtat” e këtij farë “nxënësi?!?
Në të gjithë botën, por në Shqipëri edhe për arsyet që dihen e që kanë të bëjnë me historinë e Arsimit, mësuesi ka qenë njeriu më i nderuar i komunitetit, qoftë ky në fshat, apo në qytet. Respekti e ka themelin tek porosia që u la vrasësve Petro Nini Luarasi për gjakun e tij.
Sepse në thelb, ai është njeriu të cilit i besojmë atë që kemi më të shtrenjtë: Krijesën tonë, fëmijën tonë.
Mësuesi ishte njeriu i shenjtë i shoqërisë, idhulli i parë që krijonte fëmija për mësim, për komunikim, për t‘u veshur, e deri në mënyrën e të qëndruarit, të ecurit, për nxënësit dhe për një pjesë të mirë të komunitetit që e ka pas rrethuar. Këto kanë përbërë shembull për imitim, tregues të qytetarisë, edhe në fshatin më të largët të Shqipërisë.
Mësuesi ishte njeriu që nderohej më së pari me ftesën në gëzimet familjare të komunitetit, por ai ishte vetiu edhe “melhemi” në buzët e plasura të nxënësve apo të familjeve të tyre, në raste fatkeqësish e tragjedish familjare, të cilat kjo jetë nuk i ka kursyer e nuk i kursen, pavarësisht sistemit ekonomik në të cilin jetojmë. Mësuesi ishte ai që thoshte fjalën me peshë, fjalën që mjekonte plagën, e që jepte kurajën e duhur për ndodhinë.
Deri edhe shtëpia e mësuesit, mënyra se si funksiononte familja e tij, pirja e një kafeje në shtëpinë e mësuesit (se në kafene nuk e kishe shansin), kanë qenë pikë referimi e shembull për imitim, për të gjithë shoqërinë.
Mësuesi ishte dhe mbeti pikë referimi e krenarie për gjithë jetën, për shumë breza. Për shembull, shkruesi i këtyre radhëve ka të gjithë të drejtën e qiellit e të tokës, të krenohet me faktin që bazat e Gjuhës i ka mësuar nga njëri prej kryemësuesve të Shqipes, Prof.Dr Rami Memushaj, e t‘ia detyrojë atij nivelin e Gjuhës që zotëron, paçka se nuk vazhdoi Gjuhë-Letërsinë.
MËSUESI- MËSUES!
Shumica dërrmuese e mësuesve të pasluftës, u përgatitën në kurse relativisht të shkurtra për mësuesi, derisa dolën kontingjentet e para të tyre nga shkollat pedagogjike. Por si të parët, ashtu edhe të dytët, pavarësisht aftësive dhe elokuencës, kishin në emëruesin e përbashkët: -Personalitetin dinjitoz, atdhedashurinë dhe përkushtimin e pafund të të gjithë qenies së tyre njerëzore e intelektuale, në shërbim të ndriçimit të mendjeve të fëmijëve që u besonte shteti dhe shoqëria.
Sepse fëmijët në fakt ia beson shteti mësuesit, pasi fëmijët ndër breza llogariten pasuri e kombit, e ardhmja e tij. Pra shteti është “dorëzani” tek prindi, është sipërmarrësi që me kontributet e prindërve dhe të shoqërisë në përgjithësi, arrin të ngrejë stekën e përgatitjes së brezave, në shërbim të përmirësimit të jetës shoqërore dhe përsosjes së të gjithë shoqërisë.
E vërteta është se shtetet serioze mendohen mirë se kujt ia japin titullin Mësues. Pasi mësuesia nuk është një profesion si gjithë të tjerët, thjesht për të siguruar të ardhurat. Mësuesi është, por dhe nuk është thjesht një nëpunës i shtetit. Ai, si edhe ushtaraku, janë misionarë të realizimit të një çështjeje të shenjtë, ndoshta më të shtrenjtës çështje, edukimit dhe përgatitjes së brezave për jetën.
Të gjitha këto cilësi e cilësime, për fat të keq, i takojnë një të kaluare jo të largët, e cila tanimë ndodhet në fazën që mund të zhduket me gjithsej, por edhe mund të ripërtërihet e të jetojë, pasi për fat, “majaja” ende nuk është zhdukur e gjitha.
PËRÇUDNIMI I MËSUESIT DHE…
Si në të gjithë sektorët jetikë të jetës së vendit, edhe në arsim, partitë politike tonat, u treguan dritëshkurtra sa i takon cilësisë së shkollës që do të duhej të përgatiste mësuesit e rinj, por edhe trajtimit të mësuesve që ishin në detyrë. Mësuesit që ishin në detyrë, politika në emër të numrit të votave i përçau e i përçudnoi, duke hyrë deri edhe në vendosjen e notave e deri në mbushjen e mitingjeve me nxënës e mësues, duke u bërë atyre apelin, në pika të caktuara të fushës së mitingut.
Kurse sa i takon përgatitjes së mësuesve të rinj, u ndoqën politikat si për të gjitha shkollat e tjera. Pra, studentëve u dukej se studionin, kurse shtetit i dukej se përgatiste mësues.
Prej vitit 1996 (se në atë vit startoi “doemos për mirë” ky vend), pushuan së ekzistuari edhe kurset e trajnimit të mësuesve, që dikur i quanim seminare e që i zhvillonte Seksioni i Arsimit. Ato u privatizuan ‘de facto’.
U privatizuan, pasi drejtoritë arsimore licencuan persona të veçantë-sekserë partiakë, e këta “persona juridikë”, kundrejt shumës prej 2.000 lekësh të reja, gjashtë herë në vit, shkojnë nëpër shkollat shtetërore dhe… “trajnojnë” mësuesit. Por mjafton edhe vetëm të shkruajë emrin dikush, duke paguar paratë, dhe certifikata plotësohet me firmë e me vulë. Kështu që sot, drejtoritë arsimore për ironi të fatit, dërgojnë një formular nëpër shkolla në të cilin “u kërkohet qejfi” mësuesve, të zgjedhin se kur duan ata t`i zhvillojnë kurset e “trajnimit”. Dhe shkojnë arsimtarë të shkollës së Hoteleri-Turizmit në shkollat me emër të Tiranës, e i mësojnë mësuesit që kanë 35 vite që japin mësim, se si të zhvillojnë projektet në orën e mësimit(!), kuptohet kundrejt shumës së parave. Po kështu veprohet edhe me mësuesit e shkollave private, që në gjuhën e ëmbël të tregut tek ne, quhen edhe jo publike.
Kurse vitin e kaluar, inspektorë të IKAP-it të Ministrisë së Arsimit, shkuan në çdo shkollë e klasë më klasë, e u thoshin nxënësve: -Flisni! Jeni qytetarë ju, apo jo? A ushtrohet dhunë e çfarëdo lloji mbi ju, nga ana e mësuesve?
REBELIMI I NXËNËSVE…
Nxënësit që vijnë prej çdo lloj familjeje e prindi, qysh të nesërmen e asaj dite, … “u bënë qytetarë”! Ata “të fortët”, pa lejen e të cilëve nuk zhvillohet ora e mësimit, hipën sipër bankave e i kërcënuan mësuesit: -”Tani, po jua mban, na prekni me dorë. Ne jemi qytetarë dhe do të flasim”!
Atëherë “u bënë qytetarë” edhe mësuesit, e të gjithë llojeve. Thanë brenda vetes së tyre: – “Qafën thefshi, e kurrë mos mësofshi “!
E rëndë kjo shprehje edhe po ta mendosh, e lere po ta veprosh. Por, të ndodhur në pozitën më të vështirë: -”Para buzë, e pas përrua”, ç‘mund të bëjë mësuesi që nuk ka asnjë lloj të drejte, përveçse t‘i nënshtrohet dhunës së të fortëve në klasë? Por “të fortët”-lexo: rrugaçët, janë dy apo tre në çdo klasë. Mirë këta, që shkojnë në shkollë për të ngrysur ditën e për t‘u përgatitur për të qenë kriminelët e ardhshëm të kësaj shoqërie, po ata tridhjetë e pesë të tjerët, që shkojnë për të mësuar, ku mund të mësojnë?
Mësuesja e shkollës së Bajzës, gjatë “ushtrimit të dhunës” mbi “të fortin”, i thoshte vetëm:- pse?pse?pse? i drejtohej kështu, sepse i thoshte:- pse s`më lejon të zhvilloj mësimin me të tjerët, me ata që duan të mësojnë. Epo edhe mësuesi, me gjak punon, e jo me naftën e dobiçëzuar që shitet tek ne. Dhe të imagjinosh një mësues, që ka çdo ditë 5-6 orë mësim të cilit i vijnë mushkëritë tek goja për të shpjeguar dhe kontrolluar nivelin e dijeve. Sa mund ta ketë pragun e durimit ky njeri?!?
Sepse kemi të bëjmë me dy palë në këtë proces: Njëra palë që niset nga shtëpia me hallet e familjes në sup e me ditar në dorë për zhvilluar mësimin, si dhe tjetra palë, e cila e vret mendjen gjithë natën, se si të bëjë prapësinë e radhës, cilën “dashnore” të ngacmojë më të parën në klasë, por edhe çfarë rrengu(të ri) mund t`i punojë mësuesit, në mënyrë që ai të jetë “heroi” i klasës!
E ndër këto dy palë, njëra do të fitojë. Por në kuadrin “mbrojtjes së të drejtave të “fëmijës” dhe të “nxënësit”, doemos që fitojnë këta të fundit, pavarësisht sesa janë fëmijë këta, pa lere nxënës. Por e keqja është se bashkë me mësuesit kanë humbur edhe gjithë të tjerët në klasë, ata që janë edhe fëmijë edhe nxënës. Domethënë, e kemi humbur betejën të gjithë si shoqëri, e sotme dhe e ardhshme.
Gratë deputete bënë një deklaratë kundër dhunës që shoqëron punimet e atij që duhej të ishte edhe Kuvend. Drejt, sepse aty ka buruar dhe finalizuar dhuna.
Zhvillimet politike dhe ekonomike të jetës në këtë vend për afro çerek shekulli, i kanë dhënë të drejtë palës së dytë, asaj që prish orën e mësimit. Sepse jo rastësisht ne kemi pasur deputetë, pse jo edhe ministra, të cilët kanë arritur aty, me një dëftesë shkolle të mesme, e me diploma të blera nëpër ngrehinat “arsimore” të këtij vendi. Dhe ndodh për rastësi djallëzore, që ata janë bërë të pasur, ata “kanë zhvilluar politika për ecjen e vendit”, ata kanë qenë menaxherët e fateve të vendit! Nëse do të vazhdohet kështu, patjetër që në Kuvendin e pas 20 viteve, do të kemi të ngjashmit e atyre që instaluan dhunën në politikë dhe në shoqëri…
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb