Ndonëse 72 vjeçe, Razie Stafa del çdo ditë prej më shumë se 20 vitesh në këtë hapësirë për të shitur fruta. Dikur mësuese gjuhë-letërsie e ka nxjerrë shumë breza, ndërsa tanimë, pensioni është i pakët për të përballuar jetesën. Nënë Razia tregon se ka pasur jetesë të vështirë.
Fëmijërinë e ka kaluar mes varfërisë e skamjes, ndërsa martesa me të shoqin, nuk shkoi ashtu siç mendonte, pasi dhuna sistematike e ushtruar prej tij, si ndaj saj e fëmijëve, u bë e padurueshme. Gjithçka u vështirësua më tepër kur vajza e madhe pësoi një aksident.
Nënë Razia, rrëfeu jetën e saj si akademike dhe nostalgjinë që ka pasur me nxënësit, sidomos për një klasë, që e ka qenë për të më e preferuara.
Ajo tregoi se si kalon tani ditën, mes shitjes së frutave dhe xhirove në zonën e Liqenit, ku shpeshherë është e vetme, pasi thotë se shoqëria ka turp të qëndrojë me të. Si një ish-mësuese gjuhë letërsie, që ende lexon sistematikisht, ajo ka kritikë për intelektualët që dalin në ekran, që sipas saj, bëjnë gabime të theksuara gramatikore dhe leksike. Rrëfimin, e përmbylli me një mesazh për bashkëmoshatarët dhe të rinjtë e sotëm.
(BalkanWeb)