Partia e Lirisë ka zhvilluar sot konferencën organizative për Tiranën, nga ku Ilir Meta, president i kësaj partie, nuk ka kursyer akuzat në drejtim të SPAK.

Ai tha se 1 milion shqiptarë nuk do të iknin nga sytë këmbët nga ky vend i mrekullueshëm, deri duke rrezikuar edhe jetën, nëse Shqipëria nuk do të ishte, siç është kthyer për fat të keq në parajsën e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, të korrupsionit dhe mafias së bërë njësh me shtetin në çdo qelizë të tij.

Meta ka deklaruar se në çdo shtet ka mafia, por në Shqipëri mafia ka shtetin e vet, i cili tani po ndihmon edhe mafian italiane dhe rumune për t’u fuqizuar.

Duke mos kursyer akuzat ndaj SPAK dhe kreut të këtij institucioni, Altin Dumanit, Meta tha se ramaforma e drejtësisë së Dum-Dumanëve është tubi i oksigjenit për Narkoshtetin sepse i garanton pandëshkueshmërinë, imunitetin politik dhe goditjen e kundërshtarëve sipas axhendës dhe interesave elektorale të Kryeministrit.

“SPAK afërmendsh bën “shejtan-budallain” dhe nuk shikon narkoshtetin, provat ulëritëse të korrupsionit skozfrenik dhe inkriminimin në nivele të larta, me të vetmin qëllim që të mos ndëshkohet Edi Rama dhe Erion Veliaj, të cilët i kanë kthyer zyrat e shtetit në strofulla më të sigurta të krimit të organizuar, të mafias ndërkombëtare, të Sinaloas, Ndranghetas dhe karteleve më të rrezikshme të trafikut të drogës.

Ndërkohë është po ky SPAK që izolon politikisht Sali Berishën dhe rrëmben dy ditë para zgjedhjeve Fredi Belerin, shantazhon drejtues të tjerë të opozitës, tenton të marrë peng parti politike e të shërbejë  si “vrasës me pagesë” i pluralizmit politik”, u shpreh Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb