Presidenti Ilir Meta gjatë intervistës së dhënë sot për “News 24” deklaroi se hapja e negociatave me Bashkimin Europian do të bëhet e mundur vetëm kur klasa politike të plotësojë kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman.

Kreu i shtetit pohoi përballë gazetarit Robert Rakipllari se çështja e integrimit duhet të zgjidhet vetëm përmes reformave dhe realizimit të standardeve që kërkon BE.

PJESË NGA INTERVISTA E PRESIDENTIT META
Gazetari:
Megjithatë zoti President, ne vazhdojmë të ngelemi në një krizë politike…

Presidenti Meta: Sepse nuk ekziston vullneti politik për ta zgjidhur krizën dhe nuk ka ekzistuar prej një kohe të gjatë.

Gazetari: Jemi në këtë situatë që, opozita është jashtë parlamentit, Ju keni bërë përpjekjet tuaja keni dekretuar një datë për zgjedhjet lokale, datën 13 tetor, që nuk u përfill nga mazhoranca, nga institucionet, nga KQZ-ja, nga ato që kanë ngelur. Në këtë aspekt, çfarë keni ndërmend të bëni diçka tjetër si Kryetar i Shtetit për ta zgjidhur këtë dhe a mendoni ajo që propozon opozita, zgjedhjet e parakohshme në 2020, parlamentare dhe lokale bashkë do të ishin një zgjidhje?

Presidenti Meta: Nuk jam i shqetësuar për mospërfilljen e dekreteve të Presidentit nga mazhoranca aktuale, sepse kjo nuk përbën një shqetësim për mua si President në planin personal.

Shqetësimi im është mospërfillja në tërësi nga mazhoranca e shtetit të së drejtës dhe e respektimit të parimeve mbi të cilat ai funksionon. Po të ishte përfillur dekreti i Presidentit dhe të ishte respektuar sipas ligjit, sigurisht që Shqipëria do të kishte marrë një dritë jeshile për çeljen e negociatave.

Gazetari: Jeni i bindur për këtë?

Presidenti Meta: Në rastin më të keq Shqipëria do të kishte marrë një mbështetje shumë herë më të madhe nga Bundestagu gjerman dhe do kishte shumë më pak kushte në rezolutën apo qëndrimin e Bundestagut se sa ka aktualisht, ku përfshihet edhe qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese, përsa i takon çështjes së legjitimitetit të zgjedhjeve vendore.

Këto qëndrime vetëm sa kanë dëmtuar vendin dhe kanë treguar se ku qëndron burimi i vërtetë i gjithë kësaj krize artificiale, që unë e theksoj se është artificiale, që është krijuar në vendin tonë prej një kohe të gjatë. Megjithatë, unë shpresoj të ketë një reflektim. Unë asnjëherë nuk kam patur besim që çështja e integrimit mund të zgjidhet me lobim, këtë e kam thënë në mënyrë sistematike.

Çështja e integrimit duhet të zgjidhet vetëm përmes reformave dhe realizimit të standardeve që kërkon Bashkimi Europian. Nuk mund të themi ne sot se na ka refuzuar Franca, Holanda, Danimarka, Spanja, Finlanda apo ku di unë. Ne duhet të kemi të qartë se kështu funksionon Europa, edhe një vend i vetëm e ka këtë të drejtë, e ka këtë mundësi të kushtëzojë një qëndrim në nivel europian. Nuk është çështje shumice. Ne këto gjëra i kemi ditur dhe i dimë. Franca na ka paralajmëruar për shqetësimin që ka për azilkërkuesit dhe statistikat janë mjaft serioze. Ne themi që ky është një problem i brendshëm Francës. Nuk është problem i brendshëm Francës, në rast se në Francë ti je vendi që për numër banorësh pas Afganistanit, je vendi i dytë që e shqetëson me azilkërkimin. Në qoftë se ti del përditë në gazetat e Francës, në qoftë se kjo çështje i del përditë në parlament, në qoftë se opozita në Francë e ngre përditë, atëherë ti si e ndihmon Presidentin Macron apo qeverinë franceze që t’u thotë vendimmarrësve të tjerë atje, që ky vërtet është një problem për ne, por ky problem nuk vjen nga Shqipëria, por nga vende të tjera dhe se Shqipëria është një vend që po i përmbush detyrimet e veta dhe ndaj Francës.

Pra, vërtetë është një problem i brendshëm emigracioni dhe azili në Francë dhe në BE, por ne për fat të keq jemi kontribuues dhe burim i këtij problemi në mënyrë të pajustifikuar, ndaj edhe ai thotë: Meqë ia dhamë Shqipërisë liberalizimin e vizave dhe që Shqipëria është e angazhuar dhe detyruar – se janë gjithë ato angazhime që duhet të bëhen për të ruajtur këtë të drejtë që kemi fituar – meqenëse ky vend apo një vend tjetër në një rast të tillë i shkel detyrimet më pas, atëherë ne nuk kemi pse t’ia japim këtë të drejtë në mënyrë që të cenojë interesat tona. Kjo që ai thotë, ne nuk na vjen mirë, por nuk mund të thuash që është jashtë logjikës së një politikani apo të një vendi që do të mbrojë edhe standardin e qytetarëve të vet, që do të mbrojë edhe standardin e BE-së.

Pra, duhet gjithmonë të thellohemi dhe të reflektojmë në demonstrimin e asaj, që ne jemi serioz për çështjen e Bashkimit Europian, ne i përmbushim detyrimet dhe ne i meritojmë ato të drejta që kemi fituar apo që kërkojmë.

Gazetari: Në këtë kuadër, çështja është te gjetja e një zgjidhjeje dhe pyetja është a janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare një mënyrë zgjidhjeje për të rikthyer legjitimitetin e institucioneve kryesore?

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim që zgjidhja është. zgjidhja për mendimin tim është te qëndrimi që ka mbajtur Bundestagu gjerman. Aty po ta lexojmë me vëmendje i kemi të gjitha kushtet, standardet që duhet të realizojë Shqipëria për të qenë e besueshme për çeljen e negociatave dhe aty duhet të përqendrohet e gjithë klasa politike.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: