TIRANË– Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka pritur në një vizitë në Kryesinë e Kuvendit, Kryetarin e Parlamentit të Republikës të Turqisë, Cemil Çiçek dhe delegacionin që e shoqëron.

Pas takimit dy homologët mbajtën një konferencë për shtyp gjatë të cilës u konfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Gjatë fjalës së tij, Meta tha se Turqia mbështet ecurinë e projektit TAP.

Ndërsa duke u ndalur në rrafshin parlamentar, Meta tha se do të ketë intensifikim të marrëdhënieve mes 2 parlamenteve.
“Mirënjohje për mbështetjen e Turqisë, i shërben forcimit të mëtejshëm të miqësisë vëllazërore dhe të fortë me Turqinë”.

Ai konfirmoi më tej se “Grupi i miqësisë Shqipëri-Turqi, shumë aktiv”

Kreu i Parlamentit turk Cemil Çiçek tha se gjatë takimit me homologun shqiptar, Ilir Meta ka ndarë të njëjtat pikëpamje për çështje të ndryshme. Ai theksoi se Shqipëria dhe Turqia kanë lidhje të ngushta historiko-kulturore, të cilat janë me rëndësi për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ndamë të njëjtat mendime për çështje të caktuara. Kemi lidhje të ngushta historike-kulturore. Shumë shtetas turq janë me origjinë shqiptare. Të gjitha këto janë të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëdhëniet turko-shqiptare nuk janë si do kudo, të rëndomta, janë marrëdhënie nga populli tek populli, janë të qëndrueshme”, është shprehur Çiçek.

Ai shtoi se forcimi i marrëdhënieve midis dy vendeve, i shërben forcimit të sigurisë në rajon. “Rajoni ynë është një rajon i brishtë përsa i përket sigurisë. Sa më të qëndrueshme dhe më të forta marrëdhëniet tona, aq më shumë siguri krijojmë për rajonin. Turqia i ka dhënë mbështetje të veçantë Shqipërisë në politikën e jashtme dhe ka mbetur e kënaqur nga rezultatet e arritura. E mbështetëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe mbështesim përpjekjet për integrimin në BE”, tha kryeparlamentari turk.

Çiçek ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e Turqisë karshi Kosovës, duke deklaruar se vendi i tij vijon përpjekjet për njohjen e saj. “Qëndrimi për çështjen e Kosovës është i qartë, vazhdojmë përpjekjet tona në këtë drejtim. Në përfundim ai ka ftuar kreun e parlamentit Ilir Meta, për një vizitë në Turqi.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Kryetari i Parlamentit të Republikës të Turqisë, Cemil Çiçek, do të takohet edhe me krerët më të lartë të vendit, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministrin Edi Rama.
(ma.ar/mi.ka/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb