Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka sqaruar vendimin e tij për rrëzimin e 30 qershorit, duke dhënë arsyet se pse nuk ka shkelur të drejtat e qytetarëve për të zgjedhur. Kreu i Shtetit solli në vëmendje rastin e disa shtetasve bullgarë me origjinë turke, të cilët kishin pretenduar shkeljen e të drejtës së votës.

Lidhur me këtë, Meta tha se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi të ndëshkojë me gjobë Bullgarinë, duke u shprehur se “Vota e çdo zgjedhësi duhet të krijojë mundësinë e këtij të fundit të ndikojë në formimin e organeve ligjvënëse, ndryshe edhe rendit demokrat do t’i mungonte e drejta në substancën e saj”.

Në vijim të kësaj, Meta deklaroi se Presidenti ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve me dekretin për rrëzimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh.

“Besoj është e qartë që Presidenti mbrojti të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve me dekretin, duke shmangur një proces jo demokratik të votimit me një kandidat”, tha Meta.

Pjesë nga deklarata e Metës:

Nuk dëshiroj të mbaja ndonjë fjalim, pasi të gjitha faktet e mia janë publike lidhur me dekretet për shfuqizimin e datës 30 qershor si ditë e zgjedhjeve vendore, dhe më pas dekretimi i 13 tetorit si ditë e zgjedhjeve të përgjithshme. Kam dhënë përgjigje për Rucin, lidhur me disa kërkesa të ardhura nga Kuvendi për çështjen në fjalë.

E gjykova të arsyeshme që të jem sot këtu, së pari sepse kam një bindje të plotë që çdo politikan, aq më tepër kryetar i shtetit, duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve dhe të japë shembullin e bashkëpunimit, dhe se dyti se jam i bindur, se pavarësisht që Kuvendi e ka bërë gjykimin para se të nisë kjo çështje, në interes të transparencës dua të japë të dhëna të tjera, që iu shërbejnë të gjithëve për t’u sqaruar më shumë.

Po e nis me çështjen e parë, mbrojtjes apo shkeljes së Kushtetutës, për të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur. Duhet të kemi parasysh se nuk ka shumë hapësira për të bërë interpretime se çdo të thotë të zgjedhësh, pasi Kushtetuta është e qartë, por edhe detyrimet që Shqipëria ka si vend që ka nënshkruar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e sqarojnë shumë mirë këtë. Kjo gjykatë më 2015 mori një vendim, i cili ka ardhur si rezultat i shqyrtimit të një çështjeje të ngjashme, ku disa shtetas bullgarë me origjinë turke kanë pretenduar shkeljen e të drejtës së votës.

Gjykata tha: “Vota e çdo zgjedhësi duhet të krijojë mundësinë e këtij të fundit të ndikojë në formimin e organeve ligjvënëse, ndryshe edhe rendit demokrat do t’i mungonte e drejta në substancën e saj”. Për këtë çështje Bullgaria u dënua me një gjobë të caktuar.

Besoj është e qartë që Presidenti mbrojti të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve me dekretin, duke shmangur një proces jo demokratik të votimit me një kandidat.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb