Kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ulsi Manja ka deklaruar në mbledhjen e sotme se ka mbërritur dokumentacioni sekret nga presidenti Ilir Meta që përmban informacionet e siguruara nga SHISH për 8 qershorin dhe dyshimet për një sulm mbi Kuvendin, çka bëri që ai të anulonte me dekret zgjedhjet lokale të 30 qershorit.


Manja konfirmoi se materiali i është vënë në dispozicion nga Presidenca dhe deputetët e Komisionit do të njihen nëse kanë nivelin e duhur të certifikatës së sigurisë. Por deputetët e opozitës së re nuk janë të pajisur me këtë certifikatë, çka ka bërë që të mos njihen me informacionin e dërguar nga Presidenti.


“Kuvendi i është drejtuar Presidentit për të vënë në dispozicion dokumentin e paraqitur nga presidenti në komision, për t’u trajtuar sipas procedurave për shqyrtimin e dokumentacionit të klasifikuar sekret shtetëror. Shumica e anëtarëve të komisionit janë të pajisur me certifikatë sigurimi. Presidenti është treguar i gatshëm për ta sjellë dokumentin, në respekt të procedurave të trajtimit te dokumenteve sekret shtetëror. Më 13 shtator ka përfunduar procedura e komunikimit me Presidentin e Republikës për dokumentacionin e prezantuar në seancën dëgjimore”, deklaroi Manja.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb