Partia “Zgjidhja” e drejtuar nga Koço Kokëdhima ka reaguar përmes një deklarate shpërndarë mediave, lidhur me dekorimin e ambasadores greke Eleni Sourani, nga presidenti i Republikës.

“Partia ‘Zgiidhja’ e dënon dekorimin e diplomates greke dhe motivacionin për të. Për fat të keq të historisë dhe të lidhjeve të shumta miqësore dhe ekonomike mes dy vendeve dhe dy popujve që kanë ndarë hallet me njëri-tjetrin, ambasadorja Sourani, ka punuar për të kundërtën gjatë mandatit të saj në Shqipëri.”- thuhet në deklaratë ku theksohet se ambasadorja duhej përzënë dhe jo dekoruar.

Në vijim partia ‘Zgjidhja” i kërkon kreut të shtetit që të reflektojë dhe ta tërheqë urgjentisht këtë turp, që sipas saj i bëhet emrit të figurës më të rëndësishme historike të Shqipërisë, duke dekoruar të huaj që kanë punuar kundër saj.

“ZGJIDHJA i bën thirrje kreut të shtetit që të reflektojë dhe ta tërheqë urgjentisht këtë turp që i bëhet emrit të figurës më të rëndësishme historike të Shqipërisë, duke dekoruar të huaj që kanë punuar kundër saj. Shqipëria duhet të ketë marrëdhënie miqësore, korrekte dhe të barabarta me Greqinë si dy vende fqinje, sepse jemi dy popuj miq që kemi ndarë të mira dhe të këqija, por kurrsesi nuk duhet të lejojë cenimin e kufijve, integritetit territorial të Shqipërisë apo varrosjen e Çështjes Çame, që është themelore për të drejtat njerëzore të shqiptarëve të Çamërisë.” përfundon deklarata.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb