TIRANE-Pak kohë pas dekretimit të dhënies së shtetësisë shqiptare të kryepeshkopit Anastas Janullatos, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot dhënien e shtetësisë shqiptare për Imzot George Anthony Frendo Arqipeshkëv, Metropolit i Tiranë–Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Presidenti Meta bëri publik vendimin gjatë meshës së mbajtur në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë me rastin e 25-vjetorit të vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri. Meta u shpreh se vlerëson kontributin e Imzot Frendo, në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare.

“Vlerësim kontributit dhe veprimtarisë së spikatur mbi 20-vjeçare të Imzot Frendo, në ringjalljen e besimit dhe forcimin e harmonisë fetare. Imzot Frendo u shërbeu dhe kontribuoi me shpirt për të ndihmuar të varfrit dhe familjet në nevojë dhe ishte një nga frymëzuesit dhe arkitektët e shumtë të ruajtjes dhe forcimit të trashëgimisë së shkëlqyer shqiptare të bashkëjetesës dhe harmonisë së besimeve. Falë nismave dhe veprës së tij u është ofruar punë e shërbime qindra njerëzve në nevojë dhe veprat e tij e shndërruan Kishën Katolike në një faktor multidinamik shpirtëror dhe faktor progresi në Shqipëri. Nder e privilegj në këtë meshë kaq të veçantë, nëpërmjet së cilës, na u përcollën mesazhe paqeje, mirësie, dashurie e humanizmi”- tha Meta.

Meta tha se vizita e Papa Gjon Palit në Shqipëri është një datë historike dhe ngjarje e paharruar.

“Vizita e Papa Gjon Palit II, një datë historike e një ngjarje e paharruar, jo vetëm për besimtarët katolikë, por për mbarë kombin shqiptar. 25 vite më parë, Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë për të bekuar një popull martir. Papa Gjon Pali II frymëzoi e i dha shpresë e besim popullit tonë dhe se rikthimi tek besimi dhe tek Zoti do ta bënte shoqërinë shqiptare më të paqme dhe më të begatë. Papa Gjon Pali II ngjalli kurajën dhe ngrohu zemrat e shqiptarëve me mesazhet e tij. Me vizitën e Papa Gjon Pali II, përkujtojmë edhe shugurimin e katër ipeshkvijve të parë shqiptarë të Kishës Katolike: Imzot Frano Ilinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin. Katër ipeshkvijtë e parë do të mbahen mend dhe do të nderohen si pionierët e përçuesit e besimit hyjnor dhe të ringritjes së Kishës Katolike në Shqipëri. Jeta dhe vepra e të ndjerit Imzot Rrok Mirdita, do të mbetet një shembull i përkushtimit të thellë ndaj njerëzve. Imzot Rrok Mirdita, simbol i solidaritetit dhe sakrificës, ringritjes kombëtare dhe ringjalljes shpirtërore. Përulemi me respekt dhe mirënjohje trashëgimisë së vyer të Imzot Rrok Mirdita”- tha presidenti.

Gjatë fjalës së tij, Imzot Frendo falënderoi Metën dhe tha se gjithmonë e ka dashur Shqipërinë.
“Falënderoj përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje Presidentin Ilir Meta. Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëpërmjet këtij nderi që më bëri Presidenti Meta tani ndihem një prej jush dhe shumë krenar”- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb