Ashtu siç u paralajmërua, në orën 12:45 në ambientet e Presidencës doli në një konferencë për mediat, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.


“E kemi thirrur sot këtë komunikim për të bërë të ditura disa qëndrime të rëndësishme të Presidentit Meta”,- tha Blushi, duke ndarë mesazhin e bërë publik nga Presidenti në mëngjes, ku bënte thirrje që politika nuk duhet të kalonte në KundërKohë. Mesazhi, sipas tij i drejtohej krerëve të mazhorancës dhe opozitës.

Më tej, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, deklaroi publikisht se Presidenti i Republikës, Ilir Meta në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, me Dekretin nr. 11242, datë 30.07.2019, ka miratuar; “Shpalljen e ligjit nr. 47/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;


Realizimi i këtyre ndryshimeve ligjore i hap rrugë ngritjes dhe funksionimit të organeve të reja që do të bënin të mundur plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.


Presidenti i Republikës, që prej muajit janar-shkurt 2017, ka insistuar në vijimësi për realizimin e ndryshimeve të domosdoshme ligjore të nenit 221 të këtij ligji shumë të rëndësishëm për Reformën në Drejtësi dhe ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja që do të bënin të mundur plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Problematikat e zbatimit të kësaj dispozite ligjore dhe pamundësia reale e disa prej organeve të sistemit të drejtësisë për të zbatuar këtë dispozitë të ligjit (nenit 221) në mënyrën se si ato ishin parashikuar u konstatua që në janar 2017 moment ky kur u hodh shorti i parë nga Kuvendi për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në këtë dispozitë të ligjit përcaktoheshin kushtet dhe kriteret që duhet të plotësonin kandidatët për t’u përfshirë në shortin për tu zgjedhur anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe procedurat e përzgjedhjes së këtij organi. Organet respektive të asaj kohe (Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së) që duhej të propozonin, apo të cilave ju është kërkuar propozimi i kandidaturave për hedhjen e shortit për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në këto 3 vjet nuk kanë patur të gjithë mundësinë për të zbatuar nenin 221 në mënyrë të unifikuar, pasi jo të gjitha organet kishin në përbërjen e tyre, kandidatë që kishin përfunduar Shkollën e Magjistraturës, siç e kërkonte domosdoshmërisht kjo dispozitë ligjore që sot po ndryshon.

Zbatimi rigoroz i kësaj dispozite diktonte problematikë në realizimin e shortit dhe kufizimin e numrit të kandidatëve për tu zgjedhur anëtar të KED.

Paqartësia dhe pamundësia e zbatimit praktik dhe në kohën e duhur të nenit 221, apo e dispozitave të tjera të ligjit nr. 115/2016, që u konstatuan më pas nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetuese me Vendimin nr.41, dt 16.05.2017 dhe Vendimin nr.78, datë 12.12.2017, kanë provokuar gjithmonë jo vetëm debat politik e publik, por veçanërisht kanë shkaktuar problematika thelbësore duke penguar zbatimin rigoroz të procedurave ligjore për hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke mundësuar bllokimin e këtij organi të rëndësishëm e për rrjedhojë duke pamundësuar plotësimin e vakancave të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ shumë përcaktues për integritetin e sistemit të drejtësisë. Ky organ është bllokuar për dy vite radhazi në mënyrë të pajustifikueshme pavarësisht nga përpjekjet sistematike të Presidentit Meta jo vetëm që prej marrjes së kësaj detyre, por dhe kur ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Presidenti i Republikës ka kërkuar në vijimësi përmirësimin e dispozitave të ligjit nr. 115/2016 dhe plotësimin e vakumit të krijuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë shfuqizuar disa dispozita të ligjit nr 115/2015 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Më në fund, pas 30 muajsh, Kuvendi me ligjin nr. 47/2019, miratuar në datë 18.07.2019, ka përmirësuar nenin 221 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ka plotësuar vakumin ligjor.

Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”,- vijoi Blushi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: