Platforma Meta, e Mark Zuckerberg, dhuroi 1 milion dollarë në një fond që lidhet me financimin e ngjarjeve për inaugurimin e presidencës së Donald Trump. Sipas Financial Times, është hera e parë që pronari i Metës bën një donacion të tillë. Në të kaluarën, Donald Trump ka akuzuar platformat e kompanisë për censurim të zërave të krahut të djathtë dhe madje ka kërcënuar Zuckerberg me burg.
Javën e kaluar, kreu i çështjeve globale të Metës, Nick Clegg, tha se kompania “shkoi pak larg” me kontrollin e përmbajtjes veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë. Clegg tha gjithashtu se Zuckerberg dëshiron të luajë “një rol aktiv në bisedat që çdo administratë duhet të ketë në lidhje me ruajtjen e lidershipit të Amerikës në teknologji”, përfshirë në fusha të tilla si inteligjenca artificiale.
Më herët gjatë vitit, Zuckerberg tha se donte që Meta të ishte politikisht “neutral” dhe kompania ka reduktuar dukshmërinë e përmbajtjes politike nëpër aplikacionet e saj. Por në muajt para zgjedhjeve, Zuckerberg e quajti Trumpin një “arrë të fortë” për përgjigjen e tij ndaj tentativës për vrasje dhe i shkroi një letër Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve duke akuzuar administratën e Biden se e ka shtyrë vazhdimisht kompaninë e tij të “censurojë” përmbajtjen gjatë pandemisë.
Kujtojmë se Zuckerberg së fundmi ka darkuar me Trump në rezidencën e presidentit të zgjedhur amerikan në Mar a Lago, Florida.