GJERMANI – Gjatë qëndrimit në Gjermani, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit në një takim nga Kryetari i Komisionit të Çështjeve të Brendshme në Bundestag, z. Ansgar Heveling.
Kryetari i Kuvendit e njohu z. Heveling me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe veçanërisht me reformat në fushën e zbatimit të ligjit, siç janë dhe masat e ndërmarra në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Z. Meta theksoi se Shqipëria është e vendosur në përmbushjen e të gjitha rekomandimeve që rrjedhin nga Progres-Raporti i Komisionit Evropian dhe po punon ngushtësisht me ekspertët ndërkombëtarë për përfundimin e reformës në fushën e drejtësisë.

Duke vlerësuar konsensusin e arritur për procesin e dekriminializimit, z. Ilir Meta theksoi se jemi të vendosur në vendosjen e standardeve më të larta për të gjithë përfaqësimin politik dhe të administratës publike, ndërsa evidentoi si tepër të rëndësishëm integritetin dhe profesionalizmin e të gjithë të zgjedhurve në çdo nivel dhe të administratës publike në tërësi.

Z. Meta vlerësoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit mes dy vendeve dhe theksoi se asistenca dhe mbështetja e Gjermanisë në këtë drejtim është tepër e rëndësishme.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit njohu z. Heveling me masat e marra nga Shqipëria për kufizimin e fenomenit të azilkërkuesve dhe theksoi se duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë për punësim të ligjshëm në Gjermani të qytetarëve shqiptarë.

Z. Heveling vlerësoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në fushën e reformave, veçanërisht atë të drejtësisë, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes agjencive ligjzbatuese të dy vendeve.
Kryetari i Komisionit të Çështjeve të Brendshme në Bundestag theksoi se kriza e refugjateve, veçanërisht fluksi i lartë i tyre nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme përfaqëson një sfidë të rëndësishme që kërkon angazhim, solidaritet dhe përpjekje të përbashkëta për përballimin e saj.
“Kjo krizë, vijoi z. Heveling, është edhe një mundësi më shumë për të treguar se jemi pranë njëri-tjetrit dhe për të rritur bashkëpunimin, pasi Bashkimi Evropian dhe partnerët e tij, përfshirë vendet e Ballkanit, duhet të veprojnë në mënyrë të koordinuar me njëri-tjetrin, duke ndarë përgjegjësitë dhe barrën e kësaj krize”.

Z. Heveling vlerësoi rolin që Shqipëria luan si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Gjatë bashkëbisedimit, z. Heveling vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes komisioneve parlamentare të çështjeve të brendshme dhe të sigurisë të dy vendeve, si dhe konfirmoi se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë, me ftesë të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta dhe Kryetari i Komisionit të Çështjeve të Brendshme në Bundestag, z. Ansgar Heveling dhanë edhe një prononcim për mediat.
Z. Ilir Meta u shpreh se avancimi i reformës në fushën e drejtësisë është një kërkesë mjaft e rëndësishme dhe si një moment mjaft kyç jo vetëm për të forcuar më tej sundimin e ligjit në vendin tonë, por njëkohësisht edhe për të luftuar më me efektivitet korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Ishte kënaqësi të diskutonim me Kryetarin e Komitetit për Çështjet e Brendshme në Bundestag z. Heveling lidhur me përballimin dhe disa prej sfidave më të vështira sikurse është përballimi i krizës së emigrantëve, të refugjatëve, ashtu sikurse kemi edhe çështje të tjera mjaft të mprehta për Europën dhe për Shqipërinë sikurse është lufta kundër terrorizmit. Njëkohësisht kemi diskutuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe për të gjithë çështjet e tjera të brendshme që janë dhe një prioritet mjaft i rëndësishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Unë e kam njohur z. Heveling me përpjekjet që po bëhen në vendin tonë lidhur edhe me avancimin e reformës në fushën e drejtësisë si një kërkesë mjaft e rëndësishme dhe si një moment mjaft kyç, jo vetëm për të forcuar më tej sundimin e ligjit në vendin tonë, por njëkohësisht edhe për të luftuar më me efektivitet korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë drejtim mbështetja e Gjermanisë ka qenë dhe është mjaft e rëndësishme. Ekspertët gjerman po punojnë për këtë çështje së bashku me ekspertët e tjerë ndërkombëtarë, por edhe gjithë bashkëpunimi jo vetën në fushën e hartimit të legjislacionit, por më pas edhe në fushën e zbatimit të tij”, – tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit ftoi z. Heveling për një vizitë në vendin tonë për të forcuar më tej bashkëpunimi midis Bundestagut dhe Kuvendit të Shqipërisë në drejtim të çështjeve të brendshme, që marrin një peshë gjithnjë e më të madhe në kuadër të procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kryetarit të Komisionit të Punëve të Brendshme, z. Ansgar Heveling u shpreh se Gjermania ka marrë disa vendime për të rritur më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Kam patur kënaqësinë që sot të shkëmbej me Kryetarin e Kuvendit mjaft mendime mbi çështje që i takojnë të dy vendeve tona, si për shembull azilkërkuesit dhe çështjen e emigracionit, tematika ku bashkërisht jemi angazhuar intensivisht. Gjermania prej disa javësh ka marrë disa vendime të përbashkëta për t’i ofruar vendit tuaj një perspektive bashkëpunimi në të ardhmen”, tha z. Heveling.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: