TIRANE

Komisoni i Ligjeve ka  rrëzuar  dekretin e Presidentit Ilir Meta për ligjin e Noterisë, i kthyer pak kohë më parë për rishqyrtim. Dekreti u rrëzua me vetëm 10 votat e Partisë Socialiste.

Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i Presidentit u shpreh se disa dispozita nuk janë të plota, paraqesin paqartësi në formulim, duke sjellë cënime në parimet kushtetuese.”Jo të gjitha dispozitat paraqesin probleme. Të metat në tre ligje duhen rivleresuar nga Kuvendi”, u shpreh ai.

Përfaqësuesja e EURALIUS, Agnes Bernahard tha se ky ligj mund të krijojë balancë.

“Ligji perpiqet te krijoje balance dhe besojme se ky ligj krijon kete balancë”, u shpreh ajo.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj kërkoi prezencën e ministres së Drejtësisë ndërsa e cilësoi të gjithë diskutimin si një teatër hipokrizie.

“Sistemi institucional ka rënë, pa Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë. Këtu duhet të ishte edhe ministri i Drejtësisë. Ky është teatër hipokrizie. E rëndësishme është që Presidenti ka kthyer një ligj dhe në çfarëdo lloj situate normale kjo duhet te ishte këmbane alarmi.

Parlamenti do të duhet ta marrë seriozisht për shkak të interesit publik. Kjo është derexheja ku ka rënë institucionet. Çdo gjë është e paragjykuar. Po e ktheu Presidenti një ligj, vendos ai matanë (Rama)”, tha Alibeaj.

Kujtojmë se ky ligj u kthye muajin  e kaluar për rishqyrtim nga Presidenta Meta.  Sipas Presidencës, përmbajtja e nenit 61 të ligjit “Për noterinë”, nuk është i qartë dhe në harmoni me disa nene të tjera të këtij ligji.

Gjithashtu sipas presidentit në ligj nuk garantohet trajtimi i barabartë i noterëve përballë kostos që duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre dhe nuk ofrohet siguri ligjore për mbrojtjen dhe mbështetjen e shtresave të pamunduara të shoqërisë.

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb