MAQEDONI- Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit në një takim nga Kryetari i Asamblesë së Maqedonisë, Trajko Veljanoski.
Meta dhe Veljanoski biseduan mbi forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, përmes grupeve të miqësisë, komisioneve reciproke dhe administratave të të dy Parlamenteve, duke u fokusuar në prioritetet e procesit të integrimit evropian dhe në konkretizimin e bashkëpunimit dypalësh, kryesisht në fushat e transportit, agro-përpunimit, arsimit dhe turizmit.

Meta u ndal gjithashtu në rëndësinë që Shqipëria i kushton përshpejtimit të zbatimit integral të të gjitha pikave të Marrëveshjes së Ohrit, si një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik e social të pjesës perëndimore të Maqedonisë, me rezultate të prekshme për mirëqenien dhe integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në vendin fqinj.

Meta theksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe rritja e cilësisë së bashkëpunimit me Maqedoninë janë një prioritet i politikës së jashtme shqiptare, e cila i shërben forcimit të stabilitetit në rajon.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nisi sot një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.
Në këtë vizitë Meta shoqërohet prej deputetëve Ilir Xhakolli, Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Maqedoni, Fatmir Toçi, Luan Rama dhe Piro Kapurani, anëtarë të këtij grupi.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: