Presidenti Meta gjatë një interviste të dhënë sot në mbrëmje për RTV21, ka deklaruar në mënyrë të prerë e të qartë se “Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit është ndalur edhe në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve duke e cilësuar veçanërisht si të gabuar vendosjen e taksës së Kalimashit.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari:Zoti President, si mund të arrihet bashkimi kombëtar, që është ëndërr e të gjithë shqiptarëve, duke vendosur taksë 5 Euro për Rrugën e Kombit, raporte të ftohura mes dy kryeministrave, produktet e Kosovës nuk blihen shumë në Shqipëri?

Presidenti Meta: Padyshim ky është një problem mjaft i madh. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona duhet të jenë më komplementare me njëra-tjetrën, duhet të plotësojnë ato boshllëqe apo mangësi që vijnë për shkak të karakteristikave të ndryshme të potencialeve, të burimeve të zhvillimit ekonomik, qoftë të Shqipërisë apo të Kosovës.

Në këtë drejtim duhet të krijojmë sa më shumë lehtësira. Ju e dini qëndrimin tim për taksën e Kalimashit, që është një taksë mjaft e gabuar dhe dekurajuese, qoftë edhe nga ana psikologjike, duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është edhe për Shqipërinë dhe për Kosovën ky qarkullim pa pengesa midis qytetarëve tanë.

Jo vetëm për qytetarët, por edhe për tregtinë, po të kemi parasysh se sa e kushtueshme është sidomos për të vënë në funksion të Kosovës edhe portet e Shqipërisë në të ardhmen.

Janë bërë mjaft mbledhje dhe ka pasur mjaft shpresa se gjërat do të ecin më mirë, por kemi vënë re që nuk është treguar ai vizion dhe ajo vendimmarrje e duhur për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve në të dyja anët, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Gazetari:E lëmë pak mënjanë politikën, ndalemi te një temë pak më relaksuese….

Presidenti Meta: Ndalemi te futbolli më mirë?

Gazetari:Ju jeni fans i futbollit apo jo?

Presidenti Meta: Jam duke u bërë gjithnjë e më shumë tifoz i Kosovës, por edhe i “Celtic”-ut.

Por sidomos i Kosovës, sepse vërtetë ka shkëlqyer në ndeshet e fundit dhe është një shpresë e madhe për të gjithë në vitet që vijnë.

Gazetari: Ndalemi tek situata politike në Kosovë. Jeni pro korrigjimit të kufijve apo kundër korrigjimit të kufijve të Kosovës?

Presidenti Meta: Çështja është si do të përmbyllet dialogu Kosovë-Serbi në mënyrën më të mirë për të dyja vendet, por edhe për të gjithë rajonin, pasi është një çështje mjaft kyçe që mund t’i përshpejtojë apo t’i ngadalësojë të gjitha proceset europianizuese të rajonit tonë.

Në këtë drejtim qëndrimi im që dëshiroj t’ju sqaroj ju është pikërisht ky. Përsa u takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, unë kam qenë dhe jam për t’i zhvilluar ato në njëmënyrë sa më aktive, pasi marrëdhëniet dypalëshe Serbi-Shqipëri, por edhe bashkëpunimi dypalëshnë kuadër të bashkëpunimit të rajonit tonëështë mjaft i rëndësishëm. Dhe këtë unë e kam treguar më së miri që në vitet 2000. Që në fillesat e para kur kam qenë kryeministër duke bashkëpunuar me ish-kryeministrin Xhinxhiç. Edhe më pas në funksione të tjera, edhe sot e kësaj dite kam qenë dhe jam shumë i hapur për këtë gjë, por kam thënë gjithmonë dhe sot e theksoj akoma edhe më me forcë: Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi!

Shqipëria njeh, dhe është nga vendet e para që ka njohur dhe respekton pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj. Por dialogu me Serbinëështë një temë që u takon institucioneve të Kosovës.

Çdo ndërhyrje e Shqipërisë në këtë dialog apo në tema të caktuara të këtij dialogu, praktikisht është një cenim i pavarësisë dhe i legjitimitetit që kanë këto institucione.

Cili është roli i Shqipërisë dhe cili ka qenë dhe është qëndrimi i saj? Roli i Shqipërisë është që të kontribuojë për të nxitur institucionet dhe faktorët politikë të Kosovës për një bashkëpunim sa më të ngushtë me njëri-tjetrin në mënyrë që të arrijnë një konsensus për temat kryesore dhe për zgjidhjet më të mundshme, qëdo të bënin realitet këtë moment historik të përmbylljes, të finalizimit të këtij dialogu dhe të njohjes reciproke. Njëkohësisht edhe të garancive se si Serbia, ashtu edhe Kosova do të jenë anëtare të Bashkimit Europian. Kjo është e para.

E dyta, mesazhi që unë ua kam shprehur të gjithë përfaqësuesve të Kosovës, si përfaqësuesve të institucioneve, ashtu edhe drejtuesve të opozitës, ka qenë i qartë: Jo vetëm duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, por duhet edhe një koordinim me partnerët tanë kryesorë, që na kanë mbështetur deri më sot për këto arritje që Kosova ka si shtet i pavarur. Padyshim në radhë të parëme Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vend lider i NATO-s, i aleancës më të fuqishme që luajti rol kryesor për çlirimin e Kosovës, por edhe me Gjermaninë, sepse ajo është shtylla kryesore e Bashkimit Europian.

Nëse flasim se kjo marrëveshje, përveç konsolidimit të paqes dhe sigurisë duhet të garantojë edhe të ardhmen europiane si të Serbisë, ashtu edhe të Kosovës, kush më shumë se sa pikërisht Gjermania mund ta luajë këtë rol edhe në të ardhmen.
Ashtu sikurse duhet një koordinim edhe me vende të tjera që kanë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës dhe për forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare, si Britania e Madhe e vende të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb