Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dërguar një ftesë kryeministrit Edi Rama për të biseduar mbi krizën politike. Ajo që tërhoqi menjëherë vëmendje te ftesa, ishte afati kohor i vendosur nga Meta për të pritur nesër Ramën në takim: nga ora 05:00 deri në orën 13:00.

Ishte pikërisht detaji i afatit përfundimtar, ora 13:00, që tërhoqi vëmendjen e gazetarit Arjan Çani gjatë emisionit ‘Open’ në Top Channel. “Pse Meta ka vendosur orën 13:00, mund të kishte thënë për shembull deri në orën 16:00”, u shpreh Çani në emision.

Gazetari Robert Rakipllari, i pranishëm në studio, dha një shpjegim teknik se përse Meta mund të ketë zgjedhur këtë orar. Sipas tij, kjo ndoshta lidhet me një dekret të mundshëm të presidentit për një datë të re për zgjedhjet lokale.

“Presidenti duhet të nxjerrë nesër dekretin, që ai të hyjë në fuqi të premten, që është edhe dita e fundit”, tha Rakipllari, duke qenë se të dielën e 30 qershorit mazhoranca kërkon të hyjë në votimet për bashkitë.

Ftesës së Metës i është përgjigjur pozitivisht vetëm kreu i PD-së, Lulzim Basha, por jo kryeministri Edi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb