TIRANE- Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Kosovës z. Enver Hoxhaj

Në kuadër të Konferencës së Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Kosovës z. Enver Hoxhaj.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës si dy institucione ligjvënëse që mbështesin punën e përbashkët të dy Qeverive respektive.

Në këtë drejtim, z. Meta shprehu mbështetjen për rritjen e kontakteve dhe bashkëpunimit mes dy Komisioneve për Politikën e Jashtme në funksion të avancimit të axhendës së integrimit evropian dhe të forcimit të bashkëpunimit rajonal.

Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Kosovës z. Enver Hoxhaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Kuvendit të Shqipërisë në rritjen e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së Kosovës në aktivitetet rajonale dhe ndërkombëtare, duke theksuar se mbështetja e Shqipërisë është tepër e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit z. Meta nënvizoi se mbetet i përkushtuar ndaj konsolidimit të perspektivës euro-atlantike të Kosovës dhe të të gjitha vendeve të tjera të rajonit tonë si një domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: