TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka akorduar Mujo Ulqinakut pas vdekjes Dekoratën e Flamurit Kombëtar.

Me një mesazh në “Facebook”, Kreu i Shtetit deklaron se shqiptarët janë krenarë se kemi historinë e lavdishme të Heroit tonë të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, që bashkë me disa shqiptarë të vërtetë, edhe pse të braktisur, i treguan mbarë botës se dinjiteti kombëtar dhe besnikëria ndaj Flamurit Kombëtar janë më të rëndësishme se jeta pa dinjitet dhe pa liri.

Meta shkruan më tej se shqiptarët e thjeshtë shpesh kanë bërë atë që udhëheqësit tanë duhet të bënin të parët!

POSTIMI I PRESIDENTIT
Është nderi dhe privilegji im si President i Republikës, t’i akordoj një oficeri të thjeshtë si Mujo Ulqinaku, Dekoratën më të lartë që ekziston sot në Republikën e Shqipërisë, me motivacionin:
“Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të sovranitetit territorial të atdheut, lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, si shembull monumental i patriotizmit dhe atdhedashurisë, si simbol i mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, si model i ushtarakut që i qëndron deri në fund betimit para Flamurit Kombëtar”.
Kush më shumë se Mujo Ulqinaku, simboli i rezistencës kundër pushtimit fashist, e meriton këtë Dekoratë me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.
Shumë vende të tjera në Europë ndihen të turpëruara se nuk bënë asnjë rezistencë ndaj pushtimit Nazifashist. Ne shqiptarët jemi krenarë se kemi historinë e lavdishme të Heroit tonë të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, që bashkë me disa shqiptarë të vërtetë, edhe pse të braktisur, i treguan mbarë botës se dinjiteti kombëtar dhe besnikëria ndaj Flamurit Kombëtar janë më të rëndësishme se jeta pa dinjitet dhe pa liri.
Shqiptarët e thjeshtë shpesh kanë bërë atë që udhëheqësit tanë duhet të bënin të parët! ??

  • foto galeri
  • foto galeri

Mujo Ulqinaku ishte oficer shqiptar i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, i njohur për rezistencën e tij më 7 prill 1939 ndaj forcave italiane gjatë pushtimit italian të Shqipërisë, ku ra dëshmor dhe pas vdekjes u emërua Hero i Popullit.

Ai lindi më 1896 në Ulqin në një familje të vjetër qytetare ulqinake, të cilët ishin detarë dhe pronarë velanijesh. Që në moshë të vogël hyri muço (ndihmës detar) në Ulqin dhe më vonë punoi si detar në Shkodër e në Lezhë. Mujo është shpërngulur në Shkodër, pasi nuk mundi të jetonte nën pushtuesin malazez. Si nënoficer në një nënrepart të marinës në Durrës, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët tradhtarë dhe organizoi me ta e me vullnetarë të tjerë qëndresën e armatosur në portin e Durrësit. Mujo Ulqinaku luftoi me trimëri e guxim të rrallë, duke vrarë e plagosur dhjetëra fashistë. Ra në luftim të pabarabartë në mbrojtje të atdheut më 7 prill 1939 duke u bërë shembull i lartë patriotizmi e atdhedashurie.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb