Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me anë një të ceremonie të veçantë arritjet e ekipit e futbollit “17 Nëntori” të vitit 1970 si dhe ish-qendërmbrojtësin e shquar tiranas, Skënder Halili.

Gjatë ceremonisë së veçantë “Tirana ’70-të”, të zhvilluar në mjediset e Institucionit të kreut të shtetit, në kujtesë së ndeshjes së paharrueshme me “Ajax”-in, Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ekipin e futbollit “17 Nëntori” të vitit 1970: “Për rezultate të larta në futbollin shqiptar, duke paraqitur gjithmonë vlerat, shpirtin sportiv dhe konkurrencën e drejtë në sportin e bukur dhe popullor të futbollit, si dhe për përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare që kulmon në barazimin historik 2-2 në ndeshjen me ekipin e famshëm ‘AJAX’ të Amsterdamit, në Tiranë, më 16 shtator 1970”.

Gjithashtu Presidenti i Republikës vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ish-qendërmbrojtësin e shquar tiranas Skënder Halili (pas vdekjes) me motivacionin: “Për cilësi të rralla si qendërmbrojtësi model në historinë e futbollit shqiptar. Kampioni i mbrojtjes së ekipeve “Tirana”, “Dinamo” dhe atij Kombëtar. Me mirënjohje për aftësitë e larta profesionale në fushën e futbollit, mbrojtës i dinjitetit njerëzor dhe i vlerave qytetare”.

“Është një kënaqësi e veçantë dhe njëkohësisht edhe privilegj për mua si President i Republikës që të vlerësoi në këtë vit të rëndësishëm për ne, në vitin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, disa nga ekipet dhe sportistët që kanë kontribuar më shumë në përfaqësimin ndërkombëtar dhe dinjitoz të vendit tonë. Por ç’lidhje ka Skënderbeu me ngjarjen e sotme, me 17 Nëntori-Ajax të shtatorit të vitit 1970?
Padyshim që ekziston një lidhje, sepse Skënderbeu është ajo figurë e jashtëzakonshme, e cila përcaktoi identitetin europian të ne, shqiptarëve.
Sot ne jemi në Evropë dhe ndihemi plotësisht europianë pavarësisht nga sfidat që ende kemi, por të mos harrojmë se sa e vështirë ka qenë për ne që të rikthehemi në Europë pas një izolimi të jashtëzakonshëm. Dhe nuk duhet të harrojmë që kemi filluar të rikthehemi në Europë përmes sportit e sidomos përmes futbollit.
Sepse Shqipëria e harruar nga kontinenti për shkak të regjimit më të izoluar që përjetoi, u rikthye në dhjetor të vitit 1967 në një barazim historik duke u kujtuar e gjithë Evropa për të, edhe për arsyen se Gjermania e madhe u skualifikua nga Kampionati Europian”, the Kreu i Shtetit.

Sipas tij, kjo nuk ishte një rastësi, pasi ishte koha e një gjenerate me ambicie të mëdha.
“Edhe pse nuk kishte këpucë për të luajtur si puna e Xuxit me Ajax-in përveç vështirësive, që shpirti juaj të cilët keni luajtur në ato kushte e di, por ambicia ishte jashtëzakonshme dhe padyshim që edhe ky rezultat që ka mbetur i artë në historinë e futbollit dhe sportit tonë, ka një meritë të veçantë për rikthimin e Shqipërisë në Europë, për rritjen e vetbesimit të sportistëve tanë, jo vetëm në futboll, por në të gjitha fushat për sukseset e mëpasshme që do të realizoheshin.
Edhe për të krijuar më pas atë 17 Nëntor tjetër, të cilin unë dhe brezi im e njohin shumë mirë, edhe pse mund të kemi qenë kundërshtar në shkallët e stadiumit, pra të Mingës, Kolës, Muçës, Josës, Omurit, Hodjes, Bimos, Ramadanit e shumë e shumë të tjerëve, të cilët ishin edhe në vitet ‘80 gati 70% e ekipit tonë Kombëtar, që arriti ato suksese edhe në nivelin e kombëtareve ‘Shpresa’, edhe me Kombëtaren.
Sigurisht do të kemi edhe ngjarje të tjera, pasi arritjet e sportit shqiptar janë të spikatura, por le të rikthehemi 48 vjet më parë në shtator të vitit 1970.
Përshëndetjen më të përzemërt e kam për të gjithë ju: sportistë, trajnerë, drejtues e tifozë të ekipit të futbollit ‘17 Nëntori të 1970-s’, por edhe të Tiranës së sotme!”, tha Presidenti Meta.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb