Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka deklaruar se vendimi i saj për të kërkuar shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ishte i menduar gjatë dhe shumë i vështirë.


Në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News 24, ministrja Shahini tha se Rektor nuk kishte bashkëpunuar ndër vite për të përmirësuar gjendjen e Universitetit të Tiranës, madje sipas saj, as për gjëra banale si sistemi i IT.


Ndërsa vendimin e Presidentit Ilir Meta për të mos pranuar shkarkimin e Rektorit Koni ministrja Shahini e cilësoi tërësisht politik.


“Lëvizja ishte e menduar gjatë dhe vendim shumë i vështirë nga ana ime, për t’i kërkuar Presidentit të miratojë kërkesën për shkarkimin e tij. Rektori nuk kishte bashkëpunuar ndër vite, për të përmirësuar gjendjen në Universitetin e Tiranës. Po flasim edhe për gjëra banale si sistemi i IT, ku sot studentët nuk i kanë notat online.

Ne e kemi pasur të vështirë të japim bursat, për shkak se nuk arrinim të bënim kalkulimet e mesatareve, sepse nuk kishim notat të vendosura diku dhe u desh të bënim gjithçka me dorë në vitin 2019 në universitetin më të madh të Shqipërisë. Vendimi u mor mbi disa shkelje ligjore të dokumentuara ndër vite. Presidenti nuk u pajtua me mënyrën si i prezantuam ato. Vendimi i tij ishte plotësisht politik, njësoj siç ka refuzuar të gjitha propozimet e qeverisë si për ligje, për dekretim të ministrit të Jashtëm, për shkarkimin e Rektorit përgjigjja e tij ka qenë jo.

E prisja këtë, për shkak të situatës shumë të tensionuar politike. Në këtë pikë që jemi ne do mundohemi të gjejmë ndonjë mënyrë bashkëpunimi me Rektorin që është aty, i cili tani për tani nuk ka treguar ndonjë shenjë se ka ndërmend të veprojë ndryshe nga përpara, por ne do përpiqemi. Unë do ta takoj së shpejti dhe besoj se mund ta gjejmë një rrugë të përbashkët për ta çuar Universitetin në një të ardhme më të mirë”, tha Shahini.

(d.ç./BalkanWeb)