TIRANE – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në inaugurimin e CCP ( Call Center Paskuqan) ku janë punësuar 100 të rinj të moshës (18-35 vjeç) dhe që shumë shpejt numri i të punësuarve pritet të arrijë në 500.

I shoqëruar nga Zv/Ministra e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana (Mara) Sula, Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli si dhe Drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës Edmond Stojku, Kryetari i Kuvendit u njoh me kushtet e punës dhe me perspektivën e këtij aktiviteti për t’u zgjeruar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta përshëndeti inaugurimin e këtij biznesi, si një mundësi më shumë për të punësuar të rinjtë.

“Unë dua të shpreh kënaqësinë më të madhe që marr pjesë sot në inaugurimin e këtij aktiviteti kaq të mirëpritur këtu në Paskuqan, ku si rezultat i iniciativës të disa sipërmarrësve të këtij komuniteti të mrekullueshëm, më shumë se 100 të rinj dhe të reja sot kanë filluar punë në shërbimin e “Call Center-it”. Një shërbim me mjaft perspektivë për të punësuar shumë të rinj dhe të reja të cilët dëshirojnë të punojnë në kushte mjaft të mira dhe premtuese”, -theksoi Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu mbështetjen e institucioneve shtetërore për zhvillimin këtij aktiviteti me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës.
“Le të shpresojmë që shumë shpejt të vijmë për të inauguruar shtimin e kapaciteteve të këtij aktiviteti i cili synon që pas një viti të arrijë një numër mjaft kuptimplotë për këtë komunitet, rreth 500 të rinj dhe të reja. Kështu që është një nisje e mbarë, një nisje konkrete që gëzon respektin dhe mbështetjen tonë më të plotë. Kjo është rruga e punësimit, rruga e zgjerimit, të këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm i cili në fushën e shërbimeve po zë një peshë gjithnjë e më të madhe pasi ne kemi shumë të rinj dhe të reja të cilët kanë aftësi për të përdorur teknologji, për të mësuar dhe për t’u thelluar në gjuhët e huaja dhe të ofrojnë një shërbim mjaft të kualifikuar për kompani të huaja dhe për kompani vendase që realizojnë këto shërbime”, -tha Meta.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: