TIRANE – Kryeparlamentari Ilir Meta konsideron se kërkesat e opozitës për t’i dhënë fund bojkotit parlamentar janë plotësuar dhe tashmë i takon PD-së dhe aleatëve të saj për të vendosur lidhur me rikthimin e tyre në Kuvend. Në përfundim të takimit me eurodeputetin Eduard Kukan, kreu i Kuvendit tha se shpreson që opozita të hyjë në Kuvend përpara krishtlindjeve.

“Janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës. Çdo kërkesë e cila synon një funksionim më demokratik, më transparent të kuvendit ka qenë e mirëpritur dhe ne jemi të vendosur për transparencë dhe gjithëpërfshirje.
Nuk mund të marr përsipër të flas në emër të opozitës, megjithatë opozita është e mirëpritur për të vendosur rolin e saj në parlament dhe unë shpresoj që kjo të ndodhtë përpara Krishtlindjeve”- deklaroi Meta.

I pyetur nëse deputetët opozitarë rrezikojnë djegien e mandateve në rast të mosparaqitje së tyre në seancën e fundit të këtij viti, Meta u përgjigj: “Nuk është momenti të flasim për djegie mandatesh. Duhet të ndajmë politikën nga fryma e bojkotit”.

  1. Zoti Meta, sa i frytshëm ishte takimi me eurodeputetin Kukan?

Takimet me eurodeputetin e njohur z. Eduard Kukan janë gjithmonë të frytshme dhe të dobishme për shkak të eksperiencës së tij të gjatë, edhe si politikan dhe si eurodeputet, por edhe të njohjes shumë të mirë të politikës shqiptare dhe në veçanti të urtësisë së tij gjithmonë për të nxitur dhe inkurajuar dialogun dhe bashkëpunimin në politikën shqiptare si një vlerë e domosdoshme për të ecur më shpejt në rrugën e reformave që kërkon vetë integrimi evropian.

A do të ketë një marrëveshje që opozita të rikthehet në Parlament? Është një dokument që diskutohet mes palëve apo do të ketë rrugë të tjera në diskutim?

Unë besoj se janë plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës, pra kërkesat kryesore të saj dhe çdo kërkesë e cila synon një funksionim më demokratik, më transparent të Kuvendit ka qenë dhe mbetet gjithmonë e mirëpritur dhe ne jemi të vendosur për transparencë dhe për gjithëpërfshirje.

  1. Meta, a do të vijë opozita në Parlament ditën e mërkurë? Cilat janë sinjalet që përcolli z. Kukan pas takimit që ka pasur me kryetarin e partisë Demokratike, z. Basha?

Kjo është një pyetje që i takon më shumë për t’iu përgjigjur z. Paloka, fjala vjen si kryetar i grupit parlamentar, sepse nuk mund të marr përsipër të flas në emër të opozitës. Megjithatë opozita është shumë e mirëpritur në çdo moment për të përmbushur rolin e saj dhe funksionet e saj në Parlament dhe unë do të shpresoja shumë që kjo gjë të ndodhte përpara Krishtlindjeve.

Nëse nuk ndodh përpara Krishtlindjeve, z. Meta, a është opozita përpara djegies së mandateve sipas afatit ligjor?

Nuk është momenti të flasim për djegie, por për përfshirje, për dialog, jo thjesht për të evituar një djegie mandatesh por për të ndarë një herë e mirë politikën tonë nga fryma e bojkotit dhe konflikteve që nuk është një frymë e re dhe e shfaqur thjesht së fundmi. Duhet të krijojmë një traditë të qëndrueshme të një demokracie funksionale dhe të një dialogu gjithashtu jo vetëm të qëndrueshëm, por edhe funksional, pra që ndihmon në realizimin e reformave që kërkon vendi.

Këtë gatishmëri e keni shprehur që prej shtatorit ndaj opozitës. Nëse ajo do të kishte besuar në fjalën tuaj mund të kishte hyrë që në shtator në Parlament, por kërkonte një garanci ndërkombëtare. Si mund të vijë kjo garanci ndërkombëtare? A duhet një pakt, siç jemi mësuar në të gjithë këto vite demokraci apo një rezolutë e firmosur në Kuvend?

Fakti që ne kemi tashmë një angazhim të dy eurodeputetëve të njohur, z. Fleckenstein dhe të z. Kukan, tregon se ka një vëmendje ndërkombëtare për të mbështetur rivendosjen e dialogut politik në vendin tonë dhe unë shpresoj që ky angazhim i z. Kukan dhe z. Fleckenstein të jetë i suksesshëm sepse kjo është në radhë të parë shumë pozitive për politikën tonë.

25 vjet pas rënies së komunizmit, a është sërish klasa politike që duhet të mbikëqyret nga garancia ndërkombëtare përkundër sa keni deklaruar se nuk do të jemi më në të tilla kushte?

Kjo nuk është çështje mbikëqyrje mendoj unë, është çështje standardesh. Ne kemi bërë një zgjedhje për t’u integruar plotësisht në Bashkimin Europian dhe ky bashkëpunim edhe me Parlamentin Europian më duket i natyrshëm dhe në fund të fundit, e rëndësishme është që të ecet përpara drejt një dialogu të qëndrueshëm dhe një dialogu afatgjatë që ndikon Shqipërinë të përmbushë më shpejt standardet e saj në rrugën e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe dihet që dialogu politik është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: