Kreu i shtetit bën propozimin e papritur. Presidenti Ilir Meta dha zgjidhjen e tij për atë që e quajti krizën e thellë politike dhe krizën e shtetit të së drejtës.

Ai tha se është gati të shkojë më 13 Tetor me gjithë shqiptarët në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme por edhe për një President të ri.

“Zgjedhjet janë më 30 Tetor. Dekretin e Presidentit vetëm Kushtetuesja mund ta diskutojë. Të gjitha këto pallavrat me opozitën e re dhe kolegjin socialist. S’ka njeri që mund ta vërë në diskutim këtë. Do mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që shkelin ligjin. Vendi kërkon zgjidhje, unë e kam një zgjidhje. Kam bërë përpjekjet e mia për çdo zgjidhje. Unë si President e jap zgjidhjen time për çdo qytetar që s’pati mundësi të zgjidhte më 30 qershor, kjo lojë shqiptare kundër parimeve ndërkombëtare. Në 13 Tetor të shkojmë edhe në zgjedhje të Përgjithshme edhe në zgjedhje për President të ri”,- u shpreh Meta.

Ai tha se do të kandidojë sërish për postin e presidentit në këto zgjedhje të 13 tetorit që ai propozon, dhe thotë se kryeministri Edi Rama mund të vërë cilin kandidat të dëshirojë.

“Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë”, tha Meta në konferencë duke shtuar se “unë do të garoj për president me këto kompetenca që kam. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë që shqiptarët të mos shkojnë sërish të futen nëpër ambasada. Boll e zbrazëm Shqipërinë. Do ta bëjmë një vend europian, një vend ku askush nuk dhunon ligjin dhe institucionet. Kjo është zgjidhja që unë jap dhe nuk është turp as për mua nëse populli nuk më voton. Kjo është rruga e zgjidhjes së krizave. Nëse ka ndonjë propozim për kandidat për president Edi Rama ta bëjë. Të mos tallet askush me Kushtetutën tonë. U tallën njëherë në 2008”.

Presidenti tha se alternativa e tij për zgjidhjen e krizës ishte një axhendë ndryshe nga ajo e opozitë jo parlamentare, që është “Rama ik”.

“Ajo ishte Rama reflekto, që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas Metës është kthyer në Rama kthjellohu.

“Nëse nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura, unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojnë Shqipërinë nga gjithë ata miliarderë që i duket Shqipëria mizë lisi e mund të tallen”, tha Meta.

Gjatë konferencës për shtyp pas procesit të 30 qershorit, kreu i shtetit tha se dekretin e tij i fundit që caktoi datën 13 tetor për zgjedhjet lokal, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese e cila ende nuk është funksionale dhe pritet të krijohet në fund të korrikut.

“E ftoj z. Rama të tregohet i përgjegjshëm. I ftoj përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharak. Të mos tallen me Kushtetutën tonë. Sepse u tallën njëherë në 2008-ën. Duhet t’i zgjidhim çështjet vetë këtu si burra shteti”, tha ai.

Ndërsa për reformën në drejtësi, Meta tha se, u shndërrua në “Ramaformë”.

“Opozita ka axhendë Rama ik, unë Rama reflekto. Si kam kërkuar t’i lerë karrigen Lulit. Edhe Bashës i kam thënë mos iu shmangni institucioneve. Po t’i kishin dëgjuar më parë këshillat e mia, shumë më mirë do kishin dale dhe as 5 % e shqiptarëve s’do kishin dalë. Socialistët janë njerëzit që kanë dhënë më shumë për demokracinë. Nuk po i kërkoj Edit karrigen e tij. Të votohemi nga populli, nuk do asgjësojmë demokracinë se kemi frikë nga populli. Mos harroni, në këtë godinë, pyesini prof. Meidanin, kam ikur nga këtu vetëm për një arsye për të mos cënuar integrimin europian”, tha Meta.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: