TIRANE- Nga Konventa Zgjedhore e forcës që ai drejton, kryeparlamentari Meta këshillon aleatin e tij, kryeministrin Edi Rama për sa i përket marrëdhënieve që duhet të ketë me fqinjin tonë jugor, Greqinë.

Sipas Metës, Shqipëria duhet të bëjë gjithçka që të mos cenohen marrëdhëniet që kemi me fqinjët.

“Distancohemi nga çdo retorikë e tillë, ne jemi për angazhim konstruktiv evropian dhe aspak Ballkanik, të vjetër në këtë drejtim. Të mos cenohet miqësia e ngushtë që kemi me Greqinë”,- tha Meta.

Marrëdhëniet me Greqinë u tensionuan pas shembjes së disa ndërtimeve në Himarë në kuadër të planit urbanistik, gjë e cila u konsiderua nga grekët si diçka selektive që bëhet në kurriz të minoritarëve. Për këtë çështje eurodeputetët grekë dorëzuan në Komisionin Evropian një amendament ku kërkonin mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë shqiptare se po dëmton marrëdhëniet me Greqinë.

Reagime në Greqi ka pasur edhe pas postimit të kryeministrit Edi Rama në Facebook, ku me anë të një gravure të vjetër të Athinës, thoshte se Akropoli u shpëtua prej një shqiptari. Pas kësaj deklarate Ministria e Jashtme greke ka thirrur për sqarim ambasadorin shqiptar, Dashnor Dervishi, ndërsa të dyja palët ranë dakord se ulja e toneve konsiderohet si emergjente, pa qenë i nevojshëm përshkallëzimi në drejtim negativ i marrëdhënieve dypalëshe.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: