TIRANE- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në një takim me strukturat dhe mbështetësit e LSI-së në qytetin e Lezhës. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka, Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Viktor Tusha, deputeti i LSI-së, z. Gjovalin Kadeli dhe Kryetari i LRI-së, z. Endrit Braimllari.

Në fjalën e mbajtur para mbështetësve dhe anëtarëve të LSI-së, z. Meta deklaroi se zgjedhjet e 21 qershorit do të sjellin një koncept të ri për administrimin e pushtetit vendor dhe për shërbimin ndaj qytetarëve për shkak të ndryshimeve që do të sjellë reforma administrative-territoriale. Kryetari i LSI-së, njëkohësisht vlerësoi edhe transformimet që ka pësuar Lezha falë vëmendjes që i ka kushtuar edhe mazhoranca qeverisëse.

“Është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe, sepse është një eksperiencë e re, plot me sfida, por dhe me shumë mundësi për të sjellë një transformim rrënjësor në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Dua të shpreh kënaqësinë që jemi në një qytet që po përjeton një transformim të gjithanshëm dhe mjaft cilësor. Kjo në radhë të parë i dedikohet bashkëpunimit të shkëlqyer të Kryetarit të Bashkisë, z. Viktor Tusha me Kryeministrin z. Edi Rama. Është një fakt i padiskutueshëm që këto projekte madhore që qytetarët e Lezhës i kanë ëndërruar prej kohësh, kanë nisur të implementohen gjatë kësaj periudhe që qeveris Aleanca për Shqipërinë Evropiane duke demonstruar se Lezha përfaqëson një prioritet të jashtëzakonshëm për këtë qeverisje”, tha z. Meta, duke shpjeguar edhe arsyet pse Lezha është në qendër të vëmendjes.

“Për arsye të traditës, për arsye të historisë, për arsye se këtu është mbledhur parlamenti i parë, Besëlidhja e Lezhës, dhe natyrisht për arsye sepse këtu ndodhet varri i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe shumë arsye të tjera, por edhe për arsye se Lezha ka një të ardhme që e tregon rritja e ndjeshme e popullsisë. Ka një rini të jashtëzakonshme që meriton një të ardhme dhe për këtë duhen krijuar të gjitha mundësitë që kjo rini mos ta shoh më të ardhmen përmes emigrimit. Përkundrazi ta shoh veten duke u rikthyer

në vendlindje siç kanë bërë ata drejtuesit, menaxhuesit e shkëlqyer të Mrizit të Zanave dhe shumë aktiviteteve të tjera të njohura tashmë jo vetëm në Lezhë por të njohura anë e mbanë Shqipërisë”, theksoi Kryetari i LSI-së.

Më tej, z. Meta foli për projektet infrastrukturore që do të zbatohen në Lezhë dhe që do t’i ndryshojnë imazhin qytetit nëpërmjet investimeve të planifikuara tashmë që do të kenë një impakt të menjëhershëm në sektorin e turizmit.

“Është një fakt shumë i rëndësishëm që sot projektet infrastrukturore të kualifikimit të qendrës së qytetit me një vlerë prej 3 milion dollarësh do të ndryshojmë dhe do të risin në mënyrë të jashtëzakonshme imazhin e këtij qyteti dhe njëkohësisht interesin e turistëve për të vizituar Lezhën. Projekti i shëtitores së Drinit, që dikur ishte një ëndërr, tashmë ka filluar që të bëhet një realitet. Infrastruktura e periferisë së qytetit tashmë ka filluar të jetë në axhendën e ndryshimit dhe projektet prej 2 milion dollarësh që po investohen në periferi të qytetit të Lezhës për të rritur edhe atje cilësinë e jetës dhe të kushteve të jetesës. Mjaft shkolla, kopshte për fëmijë dhe qendra sportive janë duke u realizuar në qytetin e Lezhës”, shtoi Kryetari i LSI-së.

Gjithashtu, z. Meta falënderoi Kryetarin e Bashkisë edhe për vëmendjen, për komunitetin rom, për rikonstruksionin e banesave të tyre, pasi është një prioritet edhe në kuadër të integrimit evropian dhe të respektimit të drejtave të njeriut, përfshirja e këtij komunitetit të margjinalizuar.

Z. Ilir Meta vlerësoi edhe projektin e trajtimit të diferencimit të mbetjeve në Lezhë, i cili është model në shkallë kombëtare dhe tregon se si duhet guxuar për teknologjitë e reja në mënyrë që të zgjidhen problemet e jashtëzakonshme që mbarten nga tranzicioni dhe përcjell një kulturë të re në raport me mjedisin.

“Pa folur këtu për standarde të reja të gjelbërimit, në kualifikimin e lulishteve dhe ambienteve relaksuese. Pa folur këtu për standardet e reja të ndriçimi, dhe teknologjitë e reja të cilat do të bëjnë të mundur edhe të kursejnë energjinë. Por ajo që kam kënaqësinë më të madhe për të theksuar në këtë takim, është projekti madhor për zhvillimin e problemit të ujit të pijshëm për Lezhën, për Balldrenin dhe shumë zona të tjera, sepse ka qenë një dramë e vërtetë për banorët e këtij komuniteti. Pra, ky investim që sapo është miratuar dhe sapo ka nisur, prej 13 milion dollarësh do të japë një zgjidhje afatgjatë dhe një zgjidhje të shumëpritur prej shumë kohësh për komunitetin tuaj”, shtoi Kryetari i LSI-së.

Sipas z. Meta, Lezha po hyn në një stad të ri, të një ndryshimi shumë më të shpejtë, të një ndryshimi me themele, të zgjidhjes së disa problemeve madhore të këtij komuniteti dhe natyrisht që zgjedhjet e 21 qershorit e kanë të domosdoshme ta konsolidojnë këtë frymë ndryshimi, të cilën nuk mund ta

realizojmë vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim, por do ta realizojnë në radhë të parë lezhjanët.

“Dhe ne LSI-ja duhet dhe kemi përgjegjësi për të qenë motori i bashkëpunimit, jo vetëm me PS-në, forcën kryesore të koalicionit tonë, Aleancës për Shqipërinë Evropiane, jo vetëm me gjithë forcat e tjera të këtij koalicioni, por edhe me të gjithë qytetarët e tjerë lezhjanë, me dhe pa parti. Me të gjithë intelektualët e Lezhës që kanë një ide që kanë një mendim, që kanë një propozim për të përmirësuar drejtimin e këtij qyteti, për të zgjidhur problemet dhe shqetësimet e qytetarëve të Lezhës”, u shpreh z. Meta.

Duke folur për reformën administrative-territoriale, Kryetari i LSI-së preku edhe shqetësimin që ekziston në publik se do të dëmtohen shërbimet në njësitë e tjera të administrimit, ato që sot quhen komuna. Z. Meta shprehu bindjen se kjo reformë do të ndikojë pozitivisht, sepse këto njësi do të jenë pjesë e një bashkie me një vizion të plotë të qartë dhe integral për zhvillimin e të gjithë Lezhës dhe absolutisht shërbimet nuk do të preken, vetëm do të përmirësohen.

“Prandaj është e rëndësishme që të nisim që tani punën në këtë drejtim, duke konturuar programin tonë në bashkëpunim edhe me PS-në dhe me partitë e tjera të koalicionit, por në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile në Lezhë, e cila ka qenë dhe mbetet mjaft aktive dhe me të gjitha komunitetet dhe grupet e interesit që janë të interesuara për një Lezhë, e cila të ketë një jetë edhe më të gjallë kulturore, edhe më të gjallë artistike, dhe më të gjallë sportive, në mënyrë që ky qytet të jetë një model jo vetëm i historisë, jo vetëm i kulturës, jo vetëm i traditës, por të jetë edhe një model i realizimit të së ardhmes dhe standardeve evropiane”, vijoi z. Meta.

Kryetari i LSI-së u ndal edhe në realizimin e parkut industrial, që do të krijonte mundësinë për të krijuar të gjithë infrastrukturën për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja dhe për rritjen e punësimit në Bashkinë e re të Lezhës. Dhe një nga arsyet që deri tani ka qenë një pengesë, ka qenë edhe vetë ndarja e vjetër administrative.

“Mosmarrëveshjet midis bashkisë dhe komunave, sepse ju e dini se sa e ngushtë është sipërfaqja që administron bashkia aktuale e Lezhës. Dhe kjo zgjidhje, pra krijimi i bashkisë së re, do t’i japë një zgjidhje të shpejtë edhe realizimit të parkut industrial pasi ne jemi dëshmitarë të faktit se Lezha është një nga qendrat kryesore të biznesit të industrisë ushqimore, të industrisë së tekstileve e kështu me radhë”, deklaroi z. Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së tha se një potencial i jashtëzakonshëm dhe i pashfrytëzuar deri tani është zhvillimi i bujqësisë, i blegtorisë dhe i ushqimit. “Por unë besoj se ne tashmë kemi projekte të qarta që do të japin një nxitje të shpejtë dhe një rritje të shpejtë prodhimit në këto fusha mjaft të rëndësishme dhe vitale dhe natyrisht kombinuar kjo dhe me zhvillimin dhe mbështetjen e turizmit, absolutisht që e ardhmja e Bashkisë së re të Lezhës do të jetë shumë e mirë se sa e sotmja ku ne jemi ndalur për të folur për të ardhmen”, u shpreh ndër të tjerash Kryetrari i LSI-së, z. Ilir Meta.

Ndërsa, Kryetari i Bashkisë, z. Viktor Tusha tha se Bashkia e Lezhës duke qenë edhe një bashki qendër qarku, falë edhe energjive pozitive që u krijuan pas koalicionit të ri të 23 qershorit, ka performuar shumë më mirë. Dhe se falë gjithë atyre investimeve kolosale që po bëhen në qytetin e Lezhës, që po e transformojmë konceptualisht, rrënjësisht qytetin e Lezhës,jo vetëm nga pikëpamja infrastrukturore që tashmë shikohet, por besoj edhe nga pikëpamja e përmirësimit të përditshëm të cilësisë së shërbimeve.

“Në emër të LSI ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që u jepni këtyre strukturave, në të njëjtën kohë do të doja që të falënderoj qeverinë shqiptare z. Rama për investimet në këtë qytet, një vëmendje e cila tashmë po prodhon ato projekte. Më lejoni që edhe në emër të LSI të Lezhës t’ju garantoj se motivimi, angazhimi ynë do të jetë shumë më i madh. Ato 4800 vota që ne morëm në rrethine Lezhës, unë ju garantoj se pa asnjë lloj euforie do të dyfishohen. Në të njëjtën kohë, energjitë pozitive që ka çliruar reforma administrative territoriale, kërkon që të gjithë administratorët tanë, kudo që janë, ministra. zv.ministra, drejtorë , të thyejnë të gjitha barrierat burokratike me qëllim që të nxisim investimet e huaja dhe vendase duke realizuar objektivin e madh që kemi , sfidën e madhe për ta luftuar varfërinë vetëm përmes punësimit”, deklaroii ndër të tjerash z. Tusha.

Gjatë takimit fjalën e mori edhe Ministri i Mjedisit, z. Lefter Koka, i cili u shpreh se Lezha në këto vite ka pësuar një ndryshim radikal dhe se ka pasur vëmendjen edhe të qeverisë qendrore. “Shumë investime që janë bërë dhe nga qeveria qendrore. Kjo sigurisht ka ardhur dhe falë përkushtimit të dy deputetëve të qarkut tuaj, znj. Kryemadhi dhe z. Kadeli. Ndaj unë besoj se do të keni të njëjtin përkushtim në këto zgjedhje të ardhshme. Lezha tashmë bëhet një qytet shumë i madh dhe kërkon një kryetar bashkie shumë më të motivuar, ku të mirëkordinojë jo thjesht ato gjëra që i përkasin mjedisit, fushë në të cilën unë e mbuloj si Ministër i Mjedisit. Unë jam I bindur se gjithsecili nga ju ka dhënë dhe jep kontributin e tij personal”, tha z. Koka, i cili theksoi se në këto zgjedhje LSI-ja vjen në Lezhë me një kandidat që përfaqëson vlerat e qytetarisë së Lezhës.

“Ndaj ajo frymë, çka edhe ju keni ndjekur të njëjtën gjë nga kryetari ynë z. Meta, ku lajtmotivi ynë ka qenë bashkëpunimi, ka qenë qetësia, urtësia dhe dialogu. Të njëjtën gjë duhet të transmetoni edhe në marrëdhëniet me aleatët tanë politikë, në rastin në fjalë me Partinë Socialiste. Këtu nuk ka vend për

keqkuptime, nuk ka vend për xhelozira. E rëndësishme është që individët që janë përzgjedhur do të jenë ata të cilët do të përfaqësojnë koalicionin”, u shpreh ndër të tjerash z. Koka.

Kryetari i LRI-së, z. Endrit Braimllari në fjalën e mbajtur gjatë takimit deklaroi se LSI është një projekt afatgjatë sepse investon tek të rinjtë dhe të rejat, investon tek arsimi dhe edukimi. “Të gjithë bashkë do të punojmë pa u reshtur, edhe për t’i rikthyer këtë vlerësim të jashtëzakonshëm që LSI-së i jep strukturave të LRI-së sepse kudo në të gjithë Shqipërinë ne përfaqësohemi në mënyrë dinjitoze. Por mbi të gjitha të punojmë me votuesit që votojnë për herë të parë. Jo thjesht sepse janë votues që votojnë për herë të parë, jo thjesht sepse janë të rinj dhe kjo nuk është për demagogji politike, por të punojmë sepse platforma jonë për arsimin dhe edukimin është platformë për të ardhmen e tyre, është platformë që ne në Shqipëri të ndërtojmë një rini e cila është e arsimuar dhe konkurron në tregun evropian me meritokraci dhe profesionalizëm. LRI do të jetë e hapur gjithmonë për bashkëpunimin”, deklaroi z. Braimllari.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: