Presidenti i vendit, Ilir Meta në një prononcim për mediat komentoi rezolutën e Parlamentit të votuar me 100 vota kundër dekretit të tij, por tha se ai ishte në fuqi dhe se të gjithë ata që duan ta bëjnë të pavlefshëm janë duke ecur në rrugën e paligjshmërisë.

Meta shkoi më tej dhe tha se ata që nuk e zbatojnë dekretin, po i bëjnë dëm Shqipërisë.

“Dekreti është në fuqi, mbajmë shënim për çdo institucion që shkel ligjin. Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit që nuk ekziston. Presidenti s’ndalon askënd që të çmendet. Përkundrazi i bëjmë thirrje të gjithëve të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë ditë të dhurimit të gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme që sigurojnë çeljen e negociatave Dekreti është në fuqi, është i zbatueshëm. Kush do paligjshmëri është në rrugën e tij ta zgjedhë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë është në të drejtën e tij. Ata duhet të jenë të sigurt se do provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend”.

Prononcimi i Plotë:

PyetjeZoti President, e keni lexuar këtë rezolutën e shumicës? 100 vota kundër jush zoti President, keni reflektuar?

Presidenti Meta: Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti. Natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament krejtësisht legjitim. Presidenti i përket Republikës. Republika u përket qytetarëve.

PyetjeDatën e re të zgjedhjeve kur do e keni? Dhe kur do ta thërrisni zotin Rama dhe zotin Basha në takim?

Presidenti Meta: Sa më parë që të jetë e mundur. Po punoj me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi. Dekreti është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë. Presidenti mban shënim me shumë vëmendje çdo institucion që shkel ligjin.

PyetjeZoti President, ndërkohë që dekreti juaj pritet të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor, a do të pranojë Presidenti i Republikës çdo vendimmarrje, cilado qoftë ajo të Kolegjit Zgjedhor?

Presidenti Meta: Dekreti mund të gjykohet edhe nga Gjykata e Skraparit, që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd të çmendet.

Përkundrazi, i fton të gjithë që të izolojmë çdo të çmendur, i cili në këtë Ditë të Dhurimit të Gjakut bën thirrje për gjëra të ndryshme.

Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse vetëm ato sigurojnë çeljen e shpejtë të negociatave për në Bashkimin Europian, që është objektiv kombëtar i të gjithë shqiptarëve.

Dekreti është në fuqi. Dekreti është i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë, le të vazhdojë! Është e drejta e tij. Presidenti ka të drejtë që të bëjë thirrje çdo ditë për reflektim.

PyetjeZoti President, çfarë pasojash do të kenë ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë?

Presidenti Meta: Ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë duhet të jenë të sigurtë që do të kenë të gjitha pasojat që do të provokojnë paqen sociale dhe stabilitetin demokratik në vend.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: