TIRANË- Kryetari i Kuvendit u ka dërguar sot letra ngushëllimi homologëve të tij francezë, Presidentit të Asamblesë Kombëtare të Francës Claude Bartolone dhe Presidentit të Senatit Francez Gerald Larcher. Në letrën e tij, Meta ndan trishtimin e thellë për vrasjen e 12 personave dhe shton se autorët duhet të marrin dënim maksimal.
“Me trishtim të thellë kemi ndjekur sulmin barbar dhe tragjik në ambientet e redaksisë së revistës “Charlie Hebdo” në Paris, ku humbën jetën 12 gazetarë dhe punonjës të policisë, si dhe u plagosën shumë të tjerë. Autorët e këtij akti tepër të rëndë terrorist që goditi penën dhe mendimin e lirë të gazetarëve dhe që ka tronditur mbarë njerëzimin, duhet të përballen me ndëshkimin maksimal”, shkruan Meta.

Ai ka përcjellë ngushëllimet në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për familjet e viktimave të kësaj ngjarjeje.

“Në këtë moment tejet të vështirë për popullin tonë mik francez dhe në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë më lejoni t’Ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave, dhe të urojmë një shërim sa më të shpejtë për personat e plagosur”, thotë kreu i Kuvendit.

Më tej Meta ka dënuar sulmin dhe ka shprehur bindjen se kjo ngjarje do të shërbejë për të forcuar luftën kundër terrorizmit.

“Kjo ngjarje e shëmtuar dhe e papranueshme për vlerat e demokracisë dhe tolerancës që popujt tanë përfaqësojnë, na e përforcon bindjen tonë të palëkundur për forcimin e radhëve të koalicionit tonë demokratik në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe kundër çdo force të errët që cenon lirinë tonë të shprehjes dhe tolerancën e çmuar që gëzojmë sot në Evropë. Sot Shqipëria është një me Francën dhe populli shqiptar është një me popullin francez. Me solidaritetin tonë të plotë dhe duke dënuar këtë akt të tmerrshëm terrorist, ju siguroj Zoti President se gjendemi përkrah jush dhe miqve tanë francezë në këto ditë të vështira zie”, përfundon letra e ngushëllimit të Kryeparlamentarit Ilir Meta për homologët e tij francezë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb