Fotoja me fanellën e Celtic FC e postuar mëngjesin e sotëm nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në profilet e tij në rrjetet sociale ka tërhequr menjëherë vëmendjen e medias ndërkombëtare.
Prestigjiozja “The Sun” ia kushtuar një artikull të zgjeruar postimit të Metës, që shoqërohej edhe me videon e një goli të Rudi Vatës me Celtic, duke theksuar afeksionin e tij të veçantë me tifozët skocezë, sidomos që pas takimit të bujshëm në rrugët e Sarajevës dy ditë më parë.

“Presidenti shqiptar, Ilir Meta ka postuar një foto të tijën me fanellën e Celtic dhe ka ndarë më ndjekësit e tij në rrjetet sociale videon e një goli të Rudi Vatës në derbin ndaj Rangers. Politikani i njohur shqiptar u shfaq duke festuar me tifozët skocezë në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë, në fillim të javës pak para ndeshjes së vlefshme për turin kualifikues të Champions League”, shkruan “The Sun”, që thekson se afeksioni i papritur i kreut të shtetit shqiptar për klubin e famshëm skocez zor se do të venitet shpejt.
Tabolidi britanik nënvizon se fanella me të cilën pozon Presidenti Meta është një dhuratë e ish-yllit të Celtic dhe ish-kapitenit të kombëtares shqiptare, Rudi Vata.

Whatsapp Image 2019 07 11 At 12.31.30 (1)
Whatsapp Image 2019 07 11 At 12.31.30 (1)

Në postimin e tij, Meta shkruan: “Mirëmëngjes! Kjo foto sot u dedikohet të gjithë tifozëve të jashtëzakonshëm të Celtic FC anë e mbanë botës. Kjo bluzë është dhuratë nga miku im Rudi Vata. Pas takimit në Sarajevë besoj në: ‘Once you’re a Celt you’re always a Celt … Hail Hail”.

President Meta ka shpërndarë edhe videon e golit të famshëm të Vatës në fitoren 3-0 ndaj rivalëve të përjetshëm, Glasgou Rangers në vitin 1995.

“Ju uroj tifozëve të Celtic FC vetëm fitore dhe ju përshëndes me këtë gol të paharruar të Rudi Vatës në derbin e jetës suaj!”, shkruhet në postimin e Metës, që siç raporton edhe “The Sun” ka marrë menjëherë komente pozitive nga tifozët skocezë të Celtic, që kanë shkruar në profilin e kreut të shtetit shqiptar ndër të tjera: “Mirëseerdhët në familje zoti President!”, “E adhurueshme, ju shkon shumë brohoritjet tona Hail hail!” apo edhe “Brilante”.

Whatsapp Image 2019 07 11 At 12.31.30
Whatsapp Image 2019 07 11 At 12.31.30

Në fund, “The Sun” kujdeset të saktësojë se President Meta ndodhej në Bosnje-Hercegovinë për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore, që po u zhvillua në Sarajevë. “Por siç duket qartë ai u largua nga ky qytet me dashurinë e tij të re për Celtic”, shkruan ndër të tjera “The Sun”.

“The Times”: Meta, personaliteti botëror që i ‘bashkohet’ Celtic
Gazeta më e madhe britanike “The Times” ka publikuar në faqen 3 të numrit të sotëm një artikull për videon e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili festonte me tifozët e Celtic FC në rrugët e Sarajevës, që më pas u bë virale dhe mori një vëmendje të madhe në median ndërkombëtare.

“Presidenti i Shqipërisë zbulon se është një tifoz i Celtic”, është titulli i artikullit, që shpjegon më tej se si Meta është bërë tashmë pjesë e një liste të famshme personalitetesh botërore që deklarohen si mbështetës të gjigandit skocez.

Më poshtë, artikulli i plotë i botuar sot në gazetën “The Times”
“Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është bashkuar me reperin Snoop Dogg, dhe aktoren Jennifer Love Hewitt, në listën e gjatë e të pazakontëve me emrat e personaliteteve të famshme botërore që mbështesin skuadrën e Celtic.
Në një video në profilin e tij presidencial në Facebook, Ilir Meta, shfaqet i buzëqeshur duke kënduar së bashku me një grup tifozësh, në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, aty ku Celtic luajti ndeshjen e vlefshme për turin kualifikues të UEFA Champions League. FK Sarajeva u mund me rezultatin 1-3 nga Celtic.
Zoti Meta u duk mjaft i entuziazmuar nga takimi dhe u shpreh se diskutoi me tifozët skocezë edhe për Rudi Vatën, një ish-lojtar i kombëtares shqiptare, i cili luajti 45 ndeshje për Celtic në mesin e viteve 1990.
Zoti Meta shkroi gjithashtu në profilin e tij në rrjetin social: “Nuk mungoi një shëndet për Rudi Vatën, yllin e Kombëtares sonë dhe të Celtic FC.
Pasioni i Snoop Dogg për klubin e famshëm skocez u ndez kur ai ndoqi në aksion Celtic teksa mundi Barcelonën në një ndeshje të Champions League në 2012, ndërsa këngëtari do të shprehej se ishte gati të investonte në këtë klub. Kurse dashuria e Hewitt për klubin e pati zanafillën nga ish-i dashuri i saj, aktori Ross McCall, i cili u shfaq në një takim të madh me tifozët veshur me fanellën e Celtic”.

The Times
The Times

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb