Me rastin e Ditës Kombëtare të Jetimëve, Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot dhjetra fëmijë pa kujdes prindëror si dhe disa personalitete publike, artistë, aktorë dhe intelektualë të spikatur, me të cilët u takua përzemërsisht dhe bashkëndau mesazhe sensibilizuese.


Duke ju uruar mirëseardhjen fëmijëve pa përkrahje prindërore, të cilët mbanin veshur bluza me mbishkrimin “Shqipëria pa jetimë, më pranë Bashkimit Europian”, Presidenti Meta u shpreh se
20 maji është një ditë shumë e rëndësishme, sepse na fton si gjithmonë të bëjmë një bilanc për vitin që lëmë pas, por edhe të reflektojmë mbi atë çfarë duhet bërë për vitin që vjen, në mënyrë që kujdesi ndaj jetimëve të jetë i përhershëm.

“Një falënderim të veçantë kam fillimisht për edukatorët dhe mësueset tuaja, të cilët me aq shumë përkushtim, kujdesen për të gjithë ju.
Kam kënaqësinë të jem në një bashkëpunim të vazhdueshëm jo vetëm me ‘Institutin Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë’ të drejtuar nga zoti Ilir Çumani, por edhe me shumë institute të tjera, që kujdesen gjithmonë për fëmijët.
Shohim se ka një përparim mjaft të rëndësishëm, por kjo është një sfidë që nuk mbaron dhe për ta përballuar atë më mirë, ne duhet të adresojmë shkaqet e reja të pasjes së fëmijëve pa kujdesin prindëror.
Apeloj edhe një herë për forcimin e vlerave të familjes. Ashtu sikurse duhet të luftojmë më shumë kundër varfërisë, sepse është një nga shkaqet e dobësimit të lidhjes në familje, të divorceve, dhe të emigracionit që prodhojnë pasoja me të cilat ndeshen në mënyrë të padrejtë fëmijët.
Ashtu sikurse duhet t’u japim një mbështetje edhe më të madhe nënave familjare, për të përballuar sfidat e shumëfishta që jeta u vendos përpara në mënyrë që ato të kenë mundësi t’i edukojnë e t’i ndihmojnë fëmijët e tyre. Nevojiten politika më përfshirëse, sidomos në drejtim të arsimimit, strehimit, të kujdesit shëndetësor, që janë të domosdoshme”, ishin disa nga mesazhet kryesore dhe apelet e Presidentit të Republikës.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Duke risjellë në vëmendje vizitat në Fshatin “SOS” dhe qendrat e tjetera sociale të përkujdesjes për fëmijët pa prindër, Presidenti Meta nënvizoi faktin se:
“Kam vënë re që kemi edhe familje shumë më të mëdha, ku motra dhe vëllezër janë ata me të cilët ndahet një fat i përbashkët dhe kjo është një lidhje, që nuk mbaron asnjëherë. Më e rëndësishmja është ajo që ne duhet ta konsiderojmë veten si pjesë e një familjeje të përbashkët, ku duhet të kujdesemi për ata që kanë më shumë nevojë çdo ditë, në një mënyrë jo vetëm institucionale, por edhe njerëzore, dhe shoqërore, sepse vetëm një Shqipëri më e dhembshur e më përfshirëse, është një Shqipëri më e drejtë dhe frymëzuese, është një Shqipëri që u jep jetë ëndrrave tuaja, ëndrrave të të gjithë fëmijëve të vendit tonë!”.


Gjithashtu gjatë bashkëbisedimit me fëmijët pa kujdes prindëror dhe personalitetet e publike, Kreu i Shtetit theksoi se të gjithë bashkë, me vendosmëri, duhet t’i japim fund problemeve të jetimëve.

“Për këtë nevojitet solidaritet çdo ditë, por edhe politika konkrete, përfshirëse e të vazhdueshme, jo thjesht si bamirësi, por si përmbushje e të drejtave ligjore dhe të njeriut. Kapërcim me kurajo të sfidave në arsim, strehim, punësim e kujdes shëndetësor, për një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë. Jetimët nuk duhet të ndihen vetëm, por të përfshihen aktivisht në shoqëri.
Shembujt e mirë duhet të shtohen dhe të promovohen. Nga radhët e fëmijëve jetim, kanë dalë personalitete të shkëlqyera publike, në të gjitha fushat, të cilët ia kanë kthyer shumëfish investimin për edukimin e tyre shoqërisë sonë dhe janë shembuj frymëzues për shumë fëmijë në kulturë, sport, shkencë e kudo. Të forcojmë vlerat e familjes dhe të ndalojmë dramat e reja të shkaktuara nga divorci dhe plagët e tjera sociale, si varfëria dhe emigracioni. Dita Kombëtare e Jetimëve na inkurajon të punojmë edhe më fort për të arritur këto qëllime”, deklaroi Kreu i Shtetit.

(BalkanWeb)