Presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim një nga personalitetet më të larta të sportit vlonjat, Mexhit  Haxhiu, i cili kontribuoi në edukimin e të rinjve duke mbjell tek ata dashurinë për sportin.

Përmes një statusi në “Facebook”, kreu i shteti  shkruan se ka marrë dhuratë një libër të Haxhiut i titulluar “Kartoni i Kuq”, të cilin siç shton Meta  mezi pret ta lexojë.

Gjithashtu Meta thekson faktin se me disiplinën dhe me dashurinë për sportin, Haxhiu i dha emër të madh Flamurtarit të Vlorës në Kupat e Europës.

“Kënaqësi të takoja legjendën e futbollit vlonjat dhe shqiptar, Mexhit Haxhiu, i cili më dhuroi librin e tij “Kartoni i Kuq”, që mezi po pres ta lexoj.Është e vërtetë që regjimi i kaluar i nxori kartonin e kuq për shkak të “biografisë”, që të mos përfaqësonte vendin në arenën ndërkombëtare, por talenti i tij i jashtëzakonshëm frymëzoi dhe edukoi gjithë ata fëmijë vlonjatë që më pas do të bënin emër me Flamurtarin e madh në Kupat e Europës dhe do të bëheshin edhe baza e ekipit tonë Kombëtar të viteve ’80.

Mirënjohje Mexhit Haxhiut për ato emocione që iu ka dhuruar të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga padrejtësitë që e shoqëruan gjatë gjithë karrierës së tij.”, shkruan Meta.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: