* Kur të tjerët zgjohen për të bërë fushatë, LSI-ja e ka bërë

* Objektivi ynë në 2017-ën, barazi gjinore në parlament

* Rritja e LSI-së është e jashtëzakonshme nga Konispoli deri në Lekbibaj 

* Shqipëria ka përqafuar energjinë pozitive të LSI-së, Shqipëria ka nevojë për qetësi dhe dashuri

TIRANË- Lideri i LSI-së, Ilir Meta është takuar sot me Lëvizjen e Gruas për Integrim, në Amfiteatrin e kodrave të Liqenit Artificial, të cilave u ka kërkuar të votojnë më 21 qershor. Meta tha se me 22 qershor do të nisë një ndryshim i rëndësishëm në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Ai theksoi se këto zgjedhje do të jenë referendum për reformën administrative territoriale dhe se pas përfundimit të tyre, qeveria do të ketë 61 partnerë për të zgjidhur hallet dhe problemet e qytetarëve. Disa herë, kreu i LSI-së ka përsëritur edhe sloganin e tij “Me qetësi dhe dashuri”, për të cilin tha se Shqipëria ka më shumë se asnjëherë nevojë.

“Një ndryshim i rëndësishëm do të nisë në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Nga ky amfiteatër kaq i bukur si asnjëherë tjetër, ju kërkoj qytetarëve asnjë të mos mungojë në zgjedhjet e 21 qershorit sepse do të ketë çdo katër vjet zgjedhje vendore por këto janë të veçanta dhe shumë të rëndësishme sepse e ndajnë Shqipërinë nga një keqadministrim në një reformë administrative dhe territoriale që do ta fusë Shqipërinë në rrugën e duhur drejt integrimit. Nga 22 qershori, qeveria do të ketë 61 partnerë. Është interesi i veçantë sidomos i grave, vajzave, nënave për të mbështetur këtë reformë të rëndësishme. Sepse janë gratë dhe nënat tona që vuajnë më shumë nga mungesa e këtyre shërbimeve që duhet të ofrojë pushteti vendor ndaj edhe ato do ta mbështesin këtë reformë të re dhe do të votojnë për ASHE”, deklaroi Meta.

Ai nënvizoi pjesëmarrjen e grave si një element të veçantë të këtyre zgjedhjeve dhe shtoi se falë LSI-së dhe PS-së do të ketë barazi gjinore në Këshillat Bashkiakë. Edhe njëherë Meta përsëriti thirrjen që asnjë të mos mungojë në zgjedhjet e 21 qershorit.

“Pjesëmarrja e grave ka qenë e rëndësishme sepse më 22 qershor ato do të jenë pjesë e rëndësishme e pushtetit vendor. Kjo falë LSI-së dhe PS-së. Si asnjëherë tjetër falë LSI-së, PS-së dhe aleancës sonë do të kemi në Këshillat bashkiakë një barazi të plotë gjinore dhe gratë dhe vajzat e Shqipërisë do të ndihmojnë që të merren me familjet, sidomos atyre në nevojë sepse asnjë nuk i kupton si gratë, vajzat dhe nënat, hallet dhe shqetësimet e çdo familjeje. Asnjë të mos mungojë në zgjedhjet e 21 qershorit, sepse këto zgjedhje do të ofrojnë zgjidhje”, nënvizoi kreu i LSI-së.

Meta nxori në pah një tjetër objektiv të maxhorancës qeverisëse, atë të barazisë gjinore edhe në parlamentin shqiptar në vitin 2017, për ta bërë kështu Shqipërinë vendin e parë në rajon që fuqizon gratë dhe vajzat. Sipas Metës, futja e grave në parlament, është rruga e dekriminalizimit të politikës.

“Pasi të përfundojmë zgjedhjet duhet të arrijmë edhe një objektiv tjetër që në kuvendin e Shqipërisë në 2017-ën të kemi barazi të plotë gjinore në mënyrë që Shqipëria të jetë vendi i parë në rajon që fuqizon gratë dhe vajzat. Kjo është edhe rruga e dekriminalizimit të politikës shqiptare. Gratë dhe vajzat kanë absolutisht aftësitë më të mira se burrat për menaxhim. Sepse vajzat në shkollë janë më të mira se djemtë dhe kjo na ndodh edhe në familjet tona”, tha Meta.

Ai deklaroi se LSI do të ketë një rezultat të jashtëzakonshëm, sepse kur të tjerët zgjohen për të bërë fushatë, LSI-ja e ka bërë fushatën. Meta tha se rritja e LSI-së është e jashtëzakonshme nga Lekbibaj deri në Konispol.

“LSI do ketë një rezultat që unë sot nuk po e them se kam hallin e doktorit, të paparë dhe të jashtëzakonshëm, ndaj u kanë nisur krizat, ç’të bëjmë. Sepse LSI-ja kur të tjerët zgjohen për të bërë fushatë, e ka bërë fushatën sepse ne kujdesemi për qytetarët për simpatizantët. Duke votuar për kandidatet e LSI-së ju jo vetëm që keni votuar për veten tuaj, por për vajzat tuaja, për të ardhmen e fëmijëve tuaj.

Kryeangazhimi ynë, punësimi për të çrrënjosur varfërinë. Të tjerët i ka kapur stresi. Po-ja jonë është për luftën kundër varfërisë. Po-ja jonë është për punësimin, për zhvillimin, për të ecur më shpejt. Po-ja jonë është për qetësi dhe dashuri në familjet tona, sa të mundemi edhe në parlament. Asnjë të mos mungojë drejt qendrave të votimit. Rritja e LSI-së është e jashtëzakonshme nga Konispoli deri në Lekbibaj sepse Shqipëria e ka përqafuar energjinë pozitive të LSI-së, sepse Shqipëria ka nevojë për qetësi dhe dashuri, sepse Shqipëria është lodhur me sherrin e politikës së vjetër”, tha kreu i LSI-së.

Në përfundim ai u kërkoi grave, të votojnë për LSI-në sepse kështu votojnë për veten. “Jam i sigurt se grupi i këshilltarëve të LSI-së në parlamentin e ri të Tiranës do të jetë një grup shumë i fuqishëm”, tha Meta.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: