TIRANË- Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së arteve figurative të autores gjermane, Rosemarie Trockel, që u zhvillua në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ky aktivitet u mbajt në kuadrin e Tetorit Gjerman, javëve të kulturës gjermane në Shqipëri, të cilat këtë vit përkojnë dhe me 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti, Presidenti Meta tha se Tetori Gjerman është kthyer në një traditë të mrekullueshme për shqiptarët dhe se kultura krijon lidhjet më të forta dhe më afatgjata midis vendeve e kombeve.

“Prej një dekade, muaji i kulturës gjermane, ose siç njihet ndryshe “Tetori Gjerman”, është kthyer në një traditë të mrekullueshme për ne dhe për të gjithë shqiptarët, të cilët kanë një admirim të veçantë për Gjermaninë dhe kombin gjerman, të cilët mezi presin këtë tetor që të ndjekin aktivitete nga më të larmishme shpesh edhe duke ndërvepruar dhe bërë pjesë aktive e tyre.
Natyrisht që kjo është një ngjarje tepër e rëndësishme, pasi kultura krijon lidhjet më të forta dhe më afatgjata midis vendeve dhe midis kombeve.
30-vjet më parë, Shqipëria po mundohej të hidhte hapat e para të daljes nga izolimi i gjatë dhe shkatërrues për ekonominë. Ndërsa Republika Federale e Gjermanisë, po bëhej gati të merrte përgjegjësitë, jo vetëm të bashkimit të Gjermanisë, por edhe të gjithë kontinentit evropian.
Me një dinamikë shumë të larmishme e të admirueshme, miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar dhe zgjeruar në përmasa të paimagjinueshme këtu e 30 vjet më parë.
Padyshim që në këto tre dekada një rol të rëndësishëm për afrimin e njerëzve, ka luajtur në mënyrë të veçantë kultura dhe arti. Kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe artistëve të të dy vendeve janë rritur vit pas viti dhe gjermanët nuk e njohin më Shqipërinë dhe shqiptarët vetëm nga rrëfenjat dhe aventurat ‘fiction’ të Karl May-it, i cili në fund të shekullit të 19 shkruante për vendin e shqiptarëve, pa e vizituar kurrë atë”, u shpreh Presidenti Meta.

Gjithashtu, Meta theksoi se miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve është forcuar e zgjeruar në përmasa të paimagjinueshme në 30 vjetët e fundit dhe se në këto tre dekada një rol të rëndësishëm për afrimin e njerëzve, ka luajtur në mënyrë të veçantë kultura dhe arti.

“Edhe sot, pas 30 vjet shkëmbimesh dhe bashkëpunimi të shkëlqyer në të gjitha fushat, ende shumë gjermanë kur dëgjojnë për Shqipërinë, vënë buzën në gaz dhe kujtojnë vitet e hershme kur mësonin për shqiptarët përmes novelës së May-it.
Shkëmbimet kulturore janë rritur, kontaktet e drejtpërdrejta, e jo vetëm të albanologëve apo studiuesve të specializuar nga të dy vendet, janë intensifikuar. Sot, me qindra të rinj shqiptarë mësojnë me dashuri e përkushtim gjuhën dhe kulturën gjermane, por po ashtu shumë të rinj gjermanë interesohen më shumë për atë që ofron Shqipëria, si në aspektin gjeografik e turistik, ashtu edhe në atë historik e kulturor. Numri i të rinjve gjermanë që vizitojnë vendin tonë është rritur ndjeshëm dhe po kështu edhe artistë të zhanreve të ndryshme po performojnë gjithnjë e më shumë në skenat dhe ekspozitat shqiptare.
Dëshmi e bukur është dhe ekspozita e sotme e Rosemarie Trockel-it, e cila në mënyrë të veçantë dallohet për guximin dhe angazhimin artistik për emancipimin e femrës në artin bashkëkohor. Dua të përshëndes këtë organizim të mrekullueshëm, pasi mendoj se shoqëria shqiptare e prekur nga tranzicioni ka nevojë për këto lloj mesazhesh inkurajuese dhe vënien e femrës dhe të rolit të saj, në familje dhe në shoqëri, në piedestalin e merituar”, tha Meta.

Ai përgëzoi artiste gjermane për ekspozitës duke shprehur bindjen se bashkëpunimi kulturor mes dy vendeve do të pasurohet akoma më shumë.

“Ndaj dëshiroj që, përmes Ambasadores Schutz, ta përgëzoj artisten Rosemarie Trockel për praninë e saj përmes artit sot në Tiranë, si dhe për mesazhet që ajo na përcjell përmes kësaj ekspozite.
Jam i sigurt se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së re kulturore mes dy vendeve, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, por edhe aktorëve të tjerë të fushës, bashkëpunimi kulturor mes dy vendeve do të pasurohet akoma më shumë.
Ndaj ju uroj suksese të gjithëve në mënyrë të veçantë Ambasadës Gjermane përkushtimin e saj për të na e bërë sa më interesant tetorin Tetorit Gjerman vit pas viti”, tha Kreu i Shtetit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb