*Meta: Të çrrënjoset krimi nga politika. Ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë

TIRANE- Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së LSI-së, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta i është përgjigjur edhe interesimit të mediave për ndryshime të mundshme në kabinetin qeverisës. Meta tha se kërkon impulse të reja në qeveri, duke nënkuptuar kështu ndryshime ministrash, por i takon kryeministrit Rama, siç shtoi ai, të marrë vendime.

“Ne gjithmonë kërkojmë impuslse të reja qeverisëse, standardet më të larta, sa për ndryshimet ia kemi lënë kryeministrit iniciativën, i takojnë kryeministrit ndryshimet”,- tha ai.

Ndërsa duke iu drejtuar gazetarëve, Meta shtoi: “Nëse ju jeni të kënaqur me këto impulse, do të shqetësohesha për gjykimin tuaj”.

E ndërsa Meta kërkon ndryshime, duket se Rama nuk e ka ndërmend. Të paktën kështu iu përgjigj ai interesimit të gazetarëve paraditen e sotme. “Ju i thoni, ju i shkruani vetë dhe më pas i besoni ato që shkruani. Ndryshimet në qeveri, të sajuara”, iu drejtua Rama gazetarëve.

Meta: Të çrrënjoset krimi nga politika. Ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta në mbledhjen e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim bëri publike prioritetet e forcës që ai drejton. Për Metën, realizimi me sukses dhe sa më parë I dekriminalizimit, ndryshimet rrënjësore në sistemin e drejtësië janë kusht për realizimin e objektivit më kryesor, hapjes së negociatave me BE-në.

“Theksoj angazhimin për të realizuar sa më shpejt procesin e dekriminalizimit pa asnjë vonesë dhe hezitim, të çrrënjoset çdo lloj ndikimi kriminal në politikën e vendit. Vlerësojmë faktin që ky proces ka hyrë në trasenë e konsensusit. Jemi të interesuar të mbarojë sa më shpejt. Të dyja draftet janë të përafërta, shpresoj të kapërcehen pengesat, ndryshe do i drejtohemi Komisionit të Venecias. Kjo për ti dhënë fund një periudhe të shëmtuar të politikës, por edhe një debati e retorike helmuese”.

“Reforma në drejtësi është me rëndësi, pas përgatitjes së draftit nga ekspertët ndërkombëtarë dhe vendas, pas vërejtjeve të forcave politike, jemi në pritje të vlerësimeve të Komisionit të Venecias. Ne jemi gjithnjë e më aktivë të realizojmë një debat publik në lartësinë e këtyre ndryshimeve”.

Meta tha ndër të tjera se më rëndësi mbetet edhe rritja ekonomike, për të cilën nevojitet një strategji më e qartë.

“Çelja e negociatave me BE është një prioritet që mund të arrihet vetëm me përmbushjen e dy sfidave të para. Me rëndësi është edhe raporti i ODIHR, të shërbejë si një platformë për të përmirësuar sistemin tonë zgjedhor, për të zbatuar ato rekomandime mjaft të vlefshme dhe të dobishme. Presim progres raportin e Komisionit Europian ashtu siç në të njëjtin moment që ka filluar puna për pr/ buxhetin dhe paketën fiskale. Kryefjalë është ekonomia gjithçka duhet të jetë në funksion të përmirësimit të ekonomisë. Ne mbështesim të gjitha reformat për formalizimin e ekonomisë, por duhet strategji më e qartë për rritjen ekonomike kapacitetet, për këtë duhet të kontribuojnë të gjithë. Të gjitha këto sfida me rëndësi, kërkojnë agazhim akoma më të spikatuar të të gjithë përfaqësuesve në qeveri e parlament, të zgjedhurit tanë në pushtetin vendor ti përmbahen premtimeve dhe angazhimeve që kemi marrë në zgjedhjet e fundit vendore për të treguar që reforma e re administrativo-territoriale po jep rezultat”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: