TIRANË
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta e cilësoi sot poshtërim të pensionistëve indeksimin e pensioneve nga qeveria Rama me 4.1%.
“Indeksimi i pensionit me 4.1% është poshtërimi më i madh që Rama iu bën pensionistëve, që nga 1 nëntori do iu shtrenjtohet produkti bazë buka”, deklaroi Meta.
Ai tha se rreth 790 mijë pensionistë në mbarë vendin jetojnë në një varfëri absolute, më të ardhura ditore afërsisht 6.85 dollarë ose edhe shumë më poshtë se ky kufi i varfërisë absolute i përcaktuar nga Banka Botërore.
“Konkretisht një pension mesatar mujor i pleqërisë në zonat urbane është në masën 19,074 lekë në muaj ose i barabartë me 6.9$ në ditë ndërsa një pension mesatar në zonat rurale është në masën 11,505 lekë në muaj ose i barabartë me 4.2$ në ditë.
Akoma më dramatike është situata për pensionistët invalidë, që në zonat urbane marrin një pension mesatar mujor në masën 17,961 lekë në muaj ose 6.5 $ në ditë, ndërsa në zonat rurale në masën 9 mijë lekë në muaj ose 3.3$ në ditë.
Ndërsa Shqipëria e ka masën e të ardhurave për frymë 1.4 herë më të lartë se Kosova dhe gati të barabartë me Maqedoninë e Veriut, atëherë si shpjegohet qe niveli i pensionit tek ne është pothuajse mbi dy herë më i ulët”, tha Meta.
Sipas tij, Shqipëria e ka masën mesatare të pensionit në 163 Euro/muaj, ndërsa Kosova e ka 310 Euro dhe Maqedonia e Veriut e ka 320 Euro në muaj .
“Pra ky kontrast është dëshmia më e qartë e shpërndarjes tërësisht të pabarabartë dhe diskriminuese, në rradhë të parë në kurriz të pensionistëve të përfitimeve që vijnë nga rritja ekonomike e vendit, po kështu është tregues i një modeli të dështuar të pensioneve, por dhe të braktisjes dramatike të kësaj kategorie që aq shumë ka kontribuar për zhvillimin e vendit.
Ndaj dhe indeksimi i pensioneve në masën 4.1% nuk është gjë tjetër veçse tallje dhe poshtërimi më i madh që Edi Rama u bën pensionistëve të të gjitha kategorive, të cilëve nga 1 nëntori do t’u shtrenjtohet me 15% produkti bazë ushqimor i tyre, buka.
Kriminal në raport me pensionistët është fakti se Edi Rama gjithmonë i ka dhënë përparësi relative rritjes së pagës minimale dhe pagës mesatare në raport me masën e pensionit, duke e ulur më tej masën e përfitimit të pensionistëve”, theksoi Presidenti i PL.
Ai deklaroi më tej se kjo politikë diskriminuese ka zvogëluar në vazhdimësi raportin ndaj pagës minimale dhe pagës mesatare.
“Në fund të vitit 2014 masa e pensionit në zonat urbane ishte sa 32% e pagës mesatare,pra 10 vite më parë, ndërsa sot ajo është vetëm 25% e pagës mesatare.
Në fund të vitit 2014 masa e pensionit në zonat rurale ishte rreth 16% e pagës mesatare, ndërsa sot në vitin 2024 është 15% e pages mesatare.
Dyfishimi i pensioneve, për të arritur në mesataren e rajonit është një nga 5 Prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë.
Ne do të bëjmë të mundur: Indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë.
Do të bëjmë Indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve.
Po kështu, rritjen e pensioneve me nivelin e rritjes reale ekonomike për ta bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse, sepse sot nga rritja ekonomike pensionistët janë të përjashtuar për sa i takon përfitimit”, tha Meta.
Sipas tij, nuk ka tregues më të vërtetë se sa pensionet për të kuptuar badërdinë që “Rilindja” bën me taksat e qytetarëve, veçanërisht duke thelluar borxhin publik jo për të rritur mirëqenien e pensionistëve dhe të të gjithë qytetarëve por për të vijuar pagesat për PPP-të që janë nën hetime dhe koncensionet korruptive, pra për të vjedhur me inceneratorët që nuk ekzistojnë, me rrugët disa herë më të shtrenjta se në Bashkimin Europian dhe në vendet e Rajonit dhe me tenderat e pafundë sekretë.
“Ndaj edhe në 7 tetor do të protestohet edhe për pensionistët, për braktisjen kriminale dhe për dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur nga Qeveria.
Ndjenja e protestës dhe pakënaqësia e akumuluar prej kohesh te çdo shqiptar që ndjen peshën e rëndë të përjashtimit social, të korrupsionit qeveritar, pasigurinë e pronës, të ligjit, të punës, të shëndetit dhe të trajtimit mjekësor, pasigurinë e çmimeve stratosferike dhe kostos tepër të larta të jetesës, pasigurinë e të qëndruarit në vendin e tij, jam i bindur se do të shpërthejë fuqimisht në Tiranë në 7 tetor. I ftoj të gjithë qytetarët të ngrihen në këmbë trimërisht për të ndëshkuar pa mëshirë Narkoshtetin!”, u shpreh ai.
Duke komentuar emrin e Ilir Prodës në krye të policisë, Meta tha se ajo kontrollohet nga Edi Rama. “Në krye të policisë së shtetit është Edi Rama. Nuk kanë asnjë rëndësi ndërrimet e drejtuesve”, tha ai.
Lidhur me ngjarjet e djeshme në Kuvend, Meta deklaroi se “qëllimi i Edi Ramës është të mos ketë opozitë në Shqipëri dhe pa asnjë diskutim që burgosja politike e deputetit të nderuar zotit Salianji, jo vetëm që nuk do të ndërpresë denoncimet por do të rrisë më tej zemëratën jo vetëm deputetëve, por qytetarëve”.
vijon…