TIRANE – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëherësh kreu i LSI-së, deklaroi në një intervistë për “News24” se Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme ta votojë Byronë Kombëtare të Hetimit, kur të jenë gati PS dhe PD.

Ndërsa theksoi rëndësinë e dakordësisë mes palëve, për të garantuar funksionimin efikas të Byrosë së Hetimit, Meta tha se nuk ka rëndësi se në varësi të kujt do të jetë kjo strukturë.

“Ngritja e Byrosë së Hetimit varet nga opozita. Nëse opozita pranon, jemi gati ta formalizojmë që tani. Nuk e kam në duart e mia draftin e SHBA-së. LSI favorizon çdo draft që lufton korrupsionin.”- deklaroi Meta për gazetaren Marsela Karapanço.

E nisim në fakt me zhvillimet më të fundit. Dje pasdite keni pasur një takim dy orësh me koalicionin, “njësia e koordinimit” siç njihet ndryshe, ku ka pasur tema nga më të ndryshimet nga sa kemi mësuar për marrëveshjen me FMN-në, për bujqësinë, për Reformën në Drejtësi, por edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit. A patët dje një vendimmarrje për afatet se kur mund të ngrihet kjo Byro?

Tema kryesore ka qenë diskutimi lidhur me ecurinë e ekonomisë dhe të reformave dhe diskutimi për këtë çështje kaq të rëndësishme që lidhet me interesin e gjithë qytetarëve shqiptar, ka ndodhur në një moment që do ta quaja mjaft pozitiv kur “Standard and Poor’s” ka rritur vlerësimin për performancën e ekonomisë sonë, gjë që është një lajm shumë pozitiv sepse rrit besueshmërinë e ekonomisë shqiptare ndaj tregjeve financiare, ndaj investitorëve të huaj dhe është një inkurajim tjetër për të vijuar në rrugën e reformave strukturore të cilat do ta konsolidojnë më tej perfomancën e ekonomisë sonë. Do të krijojnë një ambient shumë më të besueshëm dhe atraktiv për nxitjen e investimet të huaja, dhe natyrisht edhe vendase, dhe sidomos për t’i dhënë një nxitje sa më të rëndësishme sektorëve më jetik dhe real të ekonomisë, sidomos bujqësisë, turizmit, industrisë e kështu me radhë, gjë që do të bëjë të mundur edhe hapjen e më shumë vendeve të reja pune.

Kthehemi edhe një herë tek Byroja. Patët apo jo një diskutim përsa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe a kishim një vendimmarrje përsa i përket afateve?

Nuk besoj se kjo ka qenë ndonjë çështje kryesore. Thashë edhe më parë, çështja kryesore ka qenë ecuria e reformave ekonomike. Njëkohësisht zhvillimi i mëtejshëm i bujqësisë me një prioritet të jashtëzakonshëm duke patur në konsideratë se këtë vit ne presim për të realizuar një mbështetje shumë më të madhe për bujqësinë sesa në vitet e mëparshme falë edhe bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe të AZHBR-së, edhe me Bankën Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe natyrisht që kemi diskutuar edhe për çështje të ndryshme, ku sigurisht nuk ka mbetur pa u përmendur edhe çështja e Byrosë së Hetimit që ju e keni aq për zemër.

Në fakt edhe një herë dua t’ju pyes, a keni pasur ndoshta një vendimmarrje përsa i përket afateve? Kur do ta shohim të ngritur Byronë e Hetimit?

Unë besoj se kjo është çështje që më shumë varet prej opozitës se sa prej mazhorancës për arsye sepse ju e dini që mazhoranca e kaloi njëherë ligjin i cili ndihmonte ngritjen e Byrosë së Hetimit. Ky ligj që u votua nga mazhoranca, por u kundërshtua nga opozita, më pas u kthye edhe nga Gjykata Kushtetuese. Dhe natyrisht, që derisa opozita shprehet e dakordësuar me një variant, absolutisht që ajo në çdo moment është e mirëpritur për ta formalizuar këtë variant dhe për të ndjekur të gjithë rrugën e procedurave parlamentare pasi dihet që ngritja e kësaj Byroje do të ishte mjaft pozitive për t’i dhënë një dinamikë tjetër luftës kundër korrupsioni dhe krimit të organizuar.

Në fakt në seancën e së enjtes ju i kërkuat opozitës që të depozitojë një projekt të vetin përsa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit. A do të merret me përparësi në qoftë se Partia Demokratike depoziton një projekt për Byronë Kombëtare të Hetimit?

Absolutisht që çdo iniciativë do të ndiqet me përparësi sikurse kemi treguar edhe në të kaluarën për iniciativat e opozitës. E rëndësishme është që ajo është bashkuar në këtë ide.

A ka LSI një qëndrim përsa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit, në varësi të kujt duhet të jetë?

Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Për LSI-në është rëndësishme të kemi një dakordësim për atë variant që garanton funksionimin efikas të kësaj strukture sepse dihet që në Shqipëri janë ndërtuar vazhdimisht struktura të caktuara apo specifike. Natyrisht shpresojmë që kjo strukturë të jetë ndryshe nga strukturat e krijuara në të kaluarën duke patur në konsideratë edhe ndihmën, edhe angazhimin e SHBA dhe asistencën e tyre teknike, por edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare. Dhe LSI në çdo moment që PD-PS arrin konsensusin, është e gatshme ta votojë me bindjen e plotë se kjo agjenci do të japë kontribut të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fakt juve sapo e prekët. Ndoshta nuk është edhe aq e rëndësishme për LSI-në ngritja apo varësia e Byrosë Kombëtare të Hetimit, por është e rëndësishme për dy forcat e tjera politike, sidomos për aleatin tuaj në qeverisje, Partinë Socialiste, por edhe për Partinë Demokratike. Pjesa e Ambasadës Amerikane ka zbardhur një draft ku thuhet që Byroja Kombëtare e Hetimit në fillim duhet të nisë punën dhe kur të nisë punën të jetë në varësi të strukturave të Policisë. E më pas të kalojë, me Reformën në Drejtësi, nën juridiksionit e Prokurorisë. Si ju duket ky variant?

Së pari nuk mund të komentoj asnjë variant zyrtar që unë nuk e kam në duart e mia. Së dyti edhe opozitës, si Kryetar i Kuvendit, që ka ngritur disa pretendime ditën e enjte përpara seancës, e kam bërë të qartë që duke përshëndetur faktin që ata janë dakordësuar me këtë ide që e kanë kundërshtuar në të kaluarën, kam thënë se do të ishte shumë mirë që ata ta formalizonin këtë ide dhe opozita ka të drejtën e saj që ta formalizojë, një grup deputetësh, dhe më pas padyshim që Kuvendi do të jetë i angazhuar për ta diskutuar. Ne kemi dhe Komisionin për Reformën në Drejtësi i cili ka në konsideratë edhe opinionin e ndërmjetëm të Komisionit të Venecias dhe që mund të jepte një kontribut për t’i dhënë një zgjidhje të shpejtë dhe të qartë kësaj çështje.
Nga takimin i djeshëm ministri Ahmetaj deklaroi se do të pritet rekomandimet e Komisionit të Venecias në 12 mars përsa i takon Byrosë së Hetimit. Ju si mendoni si LSI, a është dhe ky një vendim i përbashkët që të ka rrjedhur nga takimi i koalicionit?

Nuk dëshiroj që të bëj komente mbi komentet, sepse ju gazetarët vdisni për këto gjëra, por mund t’ju them se në rast se do të ketë konsensus për të gjithë reformën në drejtësi, sepse duhet të kemi në konsideratë që Komisioni i Venecias ka dhënë një opinion paraprak për Reformën në Drejtësi dhe çdo çështje mund të zgjidhej që sot sepse në fund fare, rekomandimi themelor i Komisionit të Venecias është fryma e konsensusit që duhet të udhëheqë ndryshimet kushtetuese dhe në tërësi reformën në drejtësi. Por në rast se do të gjykohet se do të jetë më mirë për të pritur edhe pak kohë, edhe disa javë, një raport përfundimtar për çështjet e diskutuara për t’u vlerësuar dhe rivlerësuar nga Komisioni i Venecias, kjo është përsëri një çështje tjetër që duhet vendosur me konsensus në parlament dhe në mënyrë të veçantë në Komisionin e veçantë Parlamentar për Reformën në Drejtësi ku opozita ka rolin e saj të rëndësishëm.

Edhe njëherë më lejoni t’ju citoj atë çka Komisioni i Venecias ka thënë përsa i takon Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pra duhet të jetë një strukturë që të jetë nën varësi të strukturës së Antikorrupsionit që është pjesë e Këshillit të Lartë të drejtësi, një organ tjetër që do të krijohet me reformën në drejtësi. Ndërkohë që drafti i Ambasadës Amerikane shprehet për zhvillimin e menjëhershëm të ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ju vetë a shihni përplasje mes këtyre dy drafteve?

Unë kam një përgjigje, sepse unë nuk jam Kryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi, është z. Xhafaj, unë jam Kryetar i Kuvendit, dhe nga ana procedurale e theksoj edhe njëherë tjetër që, nëse opozita është e bindur në një variant të caktuar, ajo është e mirëpritur që ta marrë këtë iniciativë në Parlament dhe ta formalizojë. Ndërkohë që Komisioni për Reformën në Drejtësi do të japë vlerësimin e tij dhe në Komisionin për Reformën në Drejtësi ku janë përfaqësues të dy palëve, pra përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës. Ai do të bëjë gjykimin më të mirë.

LSI cilin draft do të favorizonte?

LSI favorizon çdo zgjidhje konsensuale që respekton parimet kushtetuese dhe njëkohësisht që garanton që kjo agjenci e konsolidon shtyllën e hetimit, sepse kjo është shumë e rëndësishme dhe rrit efektivitetin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

A është e vërtetë që Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka refuzuar që të nënshkruajë përsa i përket draftit të SHBA?

Nuk dua të merrem me legjendat që qarkullojnë ….

Z. Berisha e ka artikuluar një gjë të tillë në Kuvend…

Sigurisht, z. Berisha është vetë legjendar, kështu që këto legjenda janë mëse normale dhe kur dalin prej tij. Mendoj se z. Manjani është në krye të detyrës së tij për të mbështetur ecurinë e reformës në mënyrën më parimore, më transparente dhe më efikase.

Duke mbetur te Byroja, cili do të ishte modeli që do të ishte më i përsosuri, më i përshtatshmi për realitetin shqiptar?

Mendoj se kjo është një pyetje mjaft specifike dhe nuk është një pyetje e drejtpërdrejtë për të marrë një përgjigje nga unë. E theksoj edhe njëherë, si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim patjetër ne mbështesim çdo zgjidhje konsensuale e cila e vendos në vendin e duhur në gjithë shtyllën e hetimit këtë Agjenci.

Për të përmbyllur pjesën e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe për të kaluar te një tjetër temë. Duket se koalicioni juaj qeverisës i majtë është karakterizuar nga reformat. Një ndër to është edhe reforma në drejtësi që për 2016-n duket se ka nisur vrullshëm. A do të pranojë LSI një Reformë në Drejtësi, pa draftet, pa vërejtjet që i ka dërguar Komisionit të Venecias? A do të mjaftohet vetëm me mendimin e Komisionit të Venecias që do të përcillet më 12 mars?

Për LSI fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias ka qenë dhe mbetet tepër e rëndësishëm, sepse ajo jep një garanci për të ruajtur themelet e Kushtetutës sonë e cila është bërë me asistencën e jashtëzakonshme të Komisionit të Venecias, por për ne absolutisht miratimi i Reformës në Drejtësi sa më shpejt është përparësi kryesore. E theksoj edhe njëherë ne e mbështesim frymën konsensuale si standard për të rritur besueshmërinë e kësaj reforme dhe për të garantuar qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e saj dhe padyshim që ne jemi totalisht të bindur se miratimi i kësaj reforme me konsensus garanton jo vetëm dialogun politik deri në momentin e miratimit të reformës, por garanton dialogun në një plan afatgjatë, gjë që është shumë e rëndësishme për vetë ecurinë e integrimit evropian të vendit.

Pra ju do të jepni konsensusin tuaj edhe nëse në draftin përfundimtar në 12 Mars në Venecia nuk do të reflektohen ato çka ju keni kërkuar?

Ne do të japim kontributin tonë gjithnjë pozitiv dhe pro aktiv në mbështetje të reformës në drejtësi.

Pra do të pranoni ato që do të vendosë Komisioni i Venecias?

Ne e kemi thënë me kohë që për ne gjykatësi suprem i standardit të kësaj reforme është Komisioni i Venecias sepse është Komisioni më i specializuar i Europës për çështjet e ligjit dhe të Kushtetutës. Natyrisht që është një komision i gjithëpranuar nga aktorët vendas dhe ndërkombëtarë.

Ndërrojmë pak temën. Ashtu sikurse thatë edhe ju, keni folur dje për ekonominë, një çështje mjaft e nxehtë, që prek xhepat e të gjithë shqiptarëve. FMN ka bërë disa vërejtje sidomos përsa i përket pjesës së mbledhjes së taksave. Ju pajtoheni me vërejtjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar?
Unë besoj se FMN është një partner tepër i rëndësishëm i Shqipërisë dhe i qeverisë shqiptare dhe çdo tërheqje vëmendje në çdo aspekt është e mirëpritur dhe na nxit për të reflektuar edhe më shumë përgjegjshmëri dhe për të qenë sa më proaktiv në përmbushjen e të gjithë objektivave tona.
Por absolutisht që vlerësimi i djeshëm i “Standard and Poor’s”, një ndër agjencitë më të besueshme në botë për vlerësimin e performancës ekonomike të një vendi tregon që Shqipëria është në rrugën e përmirësimit të performancës së saj ekonomike dhe ka mjaft tregues të rëndësishëm, që nga frenimi i rritjes së borxhit, që nga nisja e trajektores ulëse të tij, me uljen e ndjeshme të defiçitit, nga përmirësimi i rritjes ekonomike që tregojmë se situata makro- ekonomike në vend po konsolidohet, që tregojnë se besueshmëria e ekonomisë sonë ndaj tregjeve ndërkombëtare po shtohet, që tregon se besueshmëria e ekonomisë sonë ndaj investitorëve të huaj i ka të gjitha mundësitë që të rritet më tej dhe shpresojmë që edhe me rritjen e kreditimit në vend, do të kemi zhvillime shumë më pozitive që do të ndihen drejtpërdrejt tek qytetarët shqiptarë.

Më 17 shkurt Shqipëria pret që FMN të miratojë këstin e radhës pas disa shtyrjeve që i është bërë gjatë vitit 2015. Ndoshta vlerësimi që është bërë nga “Standard and Poor’s” mund të jetë një hap pozitiv dhe këtë radhë t’i japë këstin?
Besoj se vlerësimi i “Standard and Poor’s” është një vlerësim objektiv që tregon se programi ynë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, pavarësisht se nuk ka qenë i lehtë, madje do të thosha ka qenë mjaft i vështirë, ka përparuar dhe po jep efektet e tij pozitive. Në këtë drejtim besoj se edhe marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të njohë progres të mëtejshëm drejt realizimit të gjithë objektivave tona të përbashkëta.

Dua të prek edhe një çështje, siç është çështja e zgjedhjeve. A do të ketë ndryshime? Ju jeni shprehur për zbatim rigoroz të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR-it përsa i takon zgjedhjeve. Meqenëse jemi në kuadër të reformës zgjedhore, tashmë komisioni është ngritur dhe pritet që të mbahet edhe mbledhja e parë. LSI a mund të shohë në 2017-n një palë zgjedhje me lista të hapura? E së dyti, edhe me një sistem PRIM?

Natyrisht që LSI ka mendimet e saj si forcë politike siç kanë mendimet e tyre gjithë forcat e tjera. Prandaj edhe komisioni është krijuar që të gjithë të shprehin mendimet e tyre, dhe jo vetëm partitë që janë të përfaqësuara në Kuvend, edhe partitë që janë të përfaqësuara në Kuvend, por edhe ato që nuk janë të përfaqësuara, edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët janë mjaft aktivë dhe kërkues për të pasur në zgjedhjet e vitit 2017 standardet më të larta evropiane. Dhe në këtë drejtim, ne do të japim idetë tona, mendimet tona, por nuk kemi asnjë arsye që të vendosim kushte, sepse mendoj që kushti i vetëm për reformën zgjedhore është konsensusi mes palëve.

Por për sistemin me PRIM, çfarë mund ta na thoni? A i penalizon partitë më të vogla ky sistem?

Mendoj që jam shprehur me kohë për këtë çështje dhe meqenëse po insistoni mund t’iu them që sistem PRIM kryesisht është një sistem që ka funksionuar në Greqi dhe kjo nuk e ka ndihmuar politikën greke për të shmangur atë krizë të thellë financiare ku ajo ra prej disa vitesh. Së dyti as nuk e ka ndihmuar qeverinë aktuale apo partinë fituese që të krijojë një qeveri të vetme, pra ka qenë e detyruar përsëri të bëjë koalicione.
Mund të them që PRIM-i nuk është diçka e re për Shqipërinë, në pamje të parë termi PRIM tingëllon si novitet, por në thelb është “Dushku” që ne na ka ndodhur në vitin 2001, ku për arsye si të thuash taktike, një forcë politike mund të marrë shumë më tepër mandate se sa i takon në rast se do të respektohet ai parim bazë i Kushtetutës që vota e çdo qytetari në këtë vend është e barabartë.

Me ligjin e dekriminalizimit, a do të shkojmë drejt zgjedhjeve të vitit 2017 me deputetë që kanë një figurë të pastër politike?

Pa asnjë diskutim që ligji që ne kemi miratuar krijon mundësitë, që jo vetëm sa i takon Kuvendit të ardhshëm, por edhe Kuvendit aktual, të gjithë të zgjedhurve në poste të rëndësishme publike, t’i jepet një zgjidhje pa pritur vitin e ardhshëm dhe zgjedhjet e radhës, pra një zgjidhje e shpejtë dhe për këtë po punohet.

Ditët e fundit në fakt kemi parë që LSI kanë dalë me qëndrime eksponentë të fuqishëm dhe më pas po nga LSI ka pasur qëndrime të kundërta ose është thënë se kanë qenë mendime personale, siç ka ndodhur së fundmi në rastet e z. Luan Rama apo z. Spartak Braho. A janë të autorizuar deputetët e LSI-së që të dalin me qëndrime personale, por duke folur në emër të partisë?

Ka një dallim. Kur dikush del e flet në emër të LSI, do të thotë që është marrë një vendim apo që është gjykuar nga një forum i caktuar i LSI-së. Por natyrisht çdo deputet, çdo përfaqësues ka të drejtën e tij të japë mendimet dhe gjykimet personale dhe natyrisht që ky është tregues i një force të hapur, i një force demokratike. Por sigurisht që kur kemi të bëjmë me qëndrime zyrtare, këto janë qëndrime të marra si rezultat i vendimeve të forumeve të një force politike dhe besoj se kjo nuk ndodh vetëm me LSI, por ko ndodh me çdo forcë politike në vend edhe në Europë.

Dhe një pyetje të fundit, çdo të mërkurë në orën 9 në zyrën tuaj këtu në Kryesinë e Kuvendit vjen aleati i madh socialist që është z. Rama, Kryeministër i vendit dhe ju zhvilloni atë kafen e mëngjesit që quhet një “kafe pune”. Përse nuk ju kemi parë ju që të shkoni në selinë e Kryeministrisë, por vjen gjithmonë z. Rama këtu?

Sepse ndoshta fajin ka Kryeministria që nuk i lejon kamerat që të rrinë atje siç i lejon Kuvendi këtu dhe atje nuk ka kush të na filmojë kur unë shkoj në Kryeministri.

Vjen Kryeministri thjesht për t’u dukur në kamera?
Jo, jo, ne si Kuvend i lejojmë kamerat të jenë këtu. Kryeministria edhe për shkak të natyrës së institucionit nuk i lejon kamerat që të jenë atje. Kështu që ju keni dënimin që të filmoni vetëm kur vjen kryeministri këtu dhe keni pamundësinë për të më filmuar mua kur shkoj në Kryeministri.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: