“Mbështesim çdo protestë kundër diktaturës, kudo që të thirret dhe kundër cilit do”. Kjo ishte përgjigjja e kryetarit të PD, Sali Berisha i pyetur nga gazetarët nëse do t’i bashkohej protestës së thirrur nga Ilir Meta para SPAK.

Gjatë konferencës për shtyp nga selia blu, Berisha nuk dha përgjjigje nëse do të ishte edhe ai në mesin e protestuesve. Megjithatë, mesazhi i Berishës ishte se opozita duhet të merret çdo ditë me kryeministrin Edi Rama, por shtoi se nuk mund të injorohet as SPAK.

“Ka një çështje në themel të debatit. Çështja në themel e debatit është se, SPAK nuk ka pse të jetë axhendë e opozitës, se opozita nuk duhet të merret me SPAK, por duhet të merret me Edi Ramën. Është shumë e drejtë që opozita të merret dhe po merret çdo ditë me Edi Ramën, por do të ishte fatale sikur opozita të injoronte SPAK, aktualisht prokurorinë politike të Edi Ramës. Nëqoftëse opozita injoron SPAK, opozita harron që është shndërruar sot në njërin nga institucionet më themelore të narkodiktaturës. Nëqoftëse i japim përgjigje pyetjes, është ky regjim një narkodiktarurë apo jo, përqendrimi i të gjitha pushteteve në duart e Edi Ramës, atëherë duhet të besosh se kjo nuk është, Pëllumbesha Spirogjoka një vegël e Edi Ramës. E ka ndërruar dhe emër e mbiemër Elisa, nuk quhet më Elisa kështu dhe ashtu, por quhet Pëllumbesha Spirogjoka.

Duhet të besosh që haram Bega nuk është më një vegël e Edi Ramës, ata që mund të thonë se nuk është diktaturë. Duhet të besosh se Edi Rama nuk ka lidhje me djegësat e Tiranës, se Olsi Rama nuk ka lidhje me Xibrakën dhe se Altin Dumani nuk po mbyll dosjet e tij. Por nëqoftëse nuk beson se këtu të gjitha pushtet janë në duart e një njeriu, atëherë duhet të jesh politikisht i verbër, ose i korruptuar në shkallën më të lartë, të injorosh faktin se këtu jeton në një diktaturë e cila shkon gjer në atë shkallë sa zvarrit njerëz rrugëve, ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti. Si? Si person në hetim, që në asnjë vend demokratik si të tillë nuk e arrestojnë dot, në asnjë vend demokratik, si person në hetim.

Pra ata të cilët pretendojnë se nuk duhet marrë me Skapin opozita, ata duhet t’i japin përgjigje një pyetje themelore; a është kjo një narkodiktaturë apo nuk është. Këtë përgjigje e dhanë 108 parti politike nga të gjithë kontinentet e botës. Përgjigja u dha në mënyrën më përfundimtare; Shqipëria është narkoshtet i parë dhe i vetëm në Europë. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Shqipëria është narkoshtet i parë dhe i vetëm në Europë. Lexoni rezolutën e internacionales demokrate të qendrës.

Pra pa diskutim që do të mbështetet çdo protestë kundër diktaturës, kudo që të thirret dhe kundër cilido. Nuk ka diskutim. Ndaj të gjithëve. Si jo. Detyrimi, akti lidhet direkt me Altin Dumanin. Pse lidhet direkt? Ligji e detyron prokurorin të përcaktojë dhe të ndjekë procedurën ndaj personit që ka marrë nën hetim, apo të pandehur. Gjeti një rrugaç Edi Rama për të vënë ministër, ordiner. Dhe i them unë atij, se gradualisht shqiptarët do të mësojnë se çfarë përfaqësojnë ai. Gjeti një tjetër drejtor policie, që krijoi aktet më të papara ndonjëherë në historinë e Europës dhe botës. Ata çdo lloj proteste e meritojnë dhe stërmeritojnë. Protesta para organeve të diktaturës, institucionet e diktaturës janë të ligjshme, të një rëndësie jetike, janë elementë thelbësorë të betejës për përmbysjen e saj”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb