*Meta: Me qetësi e dashuri jemi për dekriminalizim dhe Reformën në Drejtësi. Po penalizohemi ndërkombëtarisht
*Meta: Shqipëria nuk ka pasur probleme të mazhorancës, por të politikave që bëjnë mazhorancat

TIRANË- Delegacioni i Komisionit të Venecias, në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, u prit sot në kryesinë e Kuvendit nga kryeparlamentari Ilir Meta. Meta bisedoi me perfaqesuesit e Komisionit te Venecias mbi ecurinë e procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri duke theksuar se LSI është për dekriminalizim të Kuvendit dhe për kalimin me shpejtësi të Reformës në Drejtësi.

“Ne parimisht me qetësi dhe dashuri jemi për dekriminalizimi, të bëhet jo sot por të bëhej dje, se po penalizohet Shqipëria ndërkombëtarisht. Së dyti jemi për Reformën në Drejtësi dhe së treti jemi për cdo ditë të përmirësojmë klimën e biznesit në vend, se kjo është jetike për përmirësimin e jetesës së standardit të njerëzve. Reforma në Drejtësi do të jetë në interes të qytetarëve shqiptar që bredhin gjykatave për të marrë drejtësi dhe që jo vetëm nuk e marrin por çëshjet zvarriten vite e vite me radhë”, u shpreh Meta ne nje prononcim per mediat.

Një ditë më parë, ekspertët e Venecias u pritën në takime të veçanta nga Presidenti Bujar Nishani, nga kryetari i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, nga ekspertët e nivelit të lartë, ndërsa në orët e pasdites u takuan me ministrin e Drejtësisë Nasip Naço dhe kryeministrin Edi Rama.

Kurse ne takimin e radhes, Zyra e shtypit te Kuvendit beri me dije se, Kryetari i Parlamentit shprehu mirënjohjen për kontributin dhe për ekspertizën e Komisionit të Venecias të ofruar në vite dhe vuri në dukje se opinioni i këtij komisioni është shumë i rëndësishëm për të garantuar që propozimet për ndryshime kushtetuese të prodhojnë një sistem të drejtësisë të besueshëm, të qëndrueshëm, profesional dhe efikas.

Ne takim me Komisionin e Venecias, gjithashtu Meta theksoi se reforma duhet t’i shërbejë në radhë të parë qytetarëve shqiptarë, të cilët meritojnë të marrin drejtësi e të mos zvarriten më dyerve të gjykatave. Në këtë kuadër, z. Meta vuri në dukje se “Kushtetuta e vitit 1998 ishte një arritje madhore për Shqipërinë, e cila fatkeqësisht u deformua prej ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të pakonsultuara me Komisionin e Venecias dhe të hartuara për qëllime politike afatshkurtëra”.

Kryetari i Kuvendit Meta shtoi se gjatë viteve të fundit është abuzuar me standartet e Kushtetutës duke krijuar një sistem i cili karakterizohet nga papërgjegjshmëria dhe mosllogaridhënia.

“Ndaj – nënvizoi z. Meta – reformimi i sistemit të drejtësisë është i domosdoshëm dhe kyç për të ardhmen e demokracisë shqiptare, me qëllim që qytetarët shqiptarë të kenë një sistem të drejtë, të besueshëm, të përgjegjshëm dhe efektiv në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Nga ana e tyre, raporterët e Komisionit të Venecias pasi vlerësuan Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si një arritje historike në të kaluarën, vunë në dukje se Komisioni i Venecias është i gatshëm të ofrojë eksperiencën e ekspertëve të tij me qëllim forcimin e besimit tek sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu në përfundim vlerësimin për rolin dhe kontributin e Komisionit të Venecias duke ripërsëritur bindjen se opinioni i këtij komisioni do të jetë shumë i rëndësishëm për garantimin e zbatimit të standarteve më të mira ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, në shërbim të qytetarëve shqiptarë.

Pas takimit ne nje prononcim per mediat Meta u shpreh:
Për reformën në drejtësi, që ju e quajtët shumë të rëndësishme pak më parë, LSI-ja ka formuluar një dokument me propozime dhe sugjerime, apo vërejtje më saktë i cili i është dërguar Komisionit të Venecias. Përse ky dokument nuk iu dërgua fillimisht Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi po iu dërgua direkt Komisionit Venecias?
Lidhur me çështjen e Reformës në Drejtësi mund t’i drejtoheni, gjithmonë përsa i takon LSI, z. Ylli Manjani, sepse ai është i ngarkuar për të ndjekur reformën në drejtësi dhe për të marrë pjesë edhe në debate apo për t’iu përgjigjur edhe interesimit më konkret nga ana e medias.
Së dyti, ajo që mund t’ju them si Kryetari i Kuvendit, është që pata kënaqësinë sot të takohesha me përfaqësues të Komisionit të Venecias, të cilëve u kam shprehur mirënjohjen tonë të thellë për kontributin e tyre, që nga fillimi i demokracisë në vendin tonë dhe në mënyrë të veçantë për Kushtetutën, që ne realizuam, e cila pa asnjë diskutim ka qenë dhe mbetet një nga Kushtetutat më demokratike në Europë. Në mënyrë të veçantë falë edhe ekspertëve më të mirë të Komisionit të Venecias. Shpreh keqardhjen për deformimet që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008, të cilat i ndiejmë edhe sot. I ndjen edhe sistemi i drejtësisë edhe cenimi i parimit të kontrollit dhe të balancës midis pushteteve dhe që u bënë brenda natës dhe pa u konsultuar me Komisionin e Venecias. Dhe në këtë drejtim kam shprehur mbështetjen tonë më të plotë për të realizuar reformën në sistemin e drejtësisë për arsye, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ky është një sistem, që nuk ka funksionuar sipas pritshmërie.
Por jo vetëm kaq, ka një përgjegjësi serioze për përkeqësimin e situatës lidhur me zbatimin e ligjit në vend, me luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe e ka të domosdoshme që të ndryshojë në mënyrë mjaft solide dhe për këtë padyshim që është e nevojshme të bëhen edhe ndërhyrje në Kushtetutë. Kjo është arsyeja kryesore pse është vënë në lëvizje edhe Komisioni i Venecias dhe ky është një proces i hapur. Vetëm duke qenë i tillë do të jetë edhe i qëndrueshëm dhe do t’i qëndrojë kohës në mënyrë që të mos detyrohemi të bëjmë përsëri ndryshime në Kushtetutë, jo për shkak se Kushtetuta kishte probleme. Përkundrazi e theksoj edhe një herë, Kushtetua jonë ishte një nga Kushtetutat më demokratike në Europë, por për shkak të individëve, të njerëzve, të cilët deformojnë sistemin dhe nuk respektojnë dhe parimet e Kushtetutës
Si kryetari i z. Manjani, z. Meta ju nuk i besoni punës së ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar që iu drejtuar Komisionit të Venecias propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim apo këtyre personave që iu referuat pak më parë?
Ju nuk jeni të informuar drejtë. Unë kam kënaqësinë t’ju informojë përsëri, pasi në fund të fundit ia kemi lejuar vetes këtë raport, që ta informojmë herë pas herë njeri-tjetrin në mënyrë mjaft miqësore. Drafti, sikurse është bërë e ditur edhe nga z. Xhafaj, siç është bërë e ditur për opinionin publik edhe më parë, nuk ka qenë një draft partish apo mazhorance. Ka qenë një draft i ekspertëve të angazhuar, ndërkombëtarë dhe vendas. Disa procese që edhe ju vetë i keni ndjekur. Dhe natyrisht që ky draft i është nisur Komisionit të Venecias, dhe përveç këtij drafti i janë nisur edhe mendime të tjera, që unë besoj që e përmirësojnë gjithë këtë proces.
Z. Meta, z. Rama sikurse ka deklaruar edhe z. Berisha ka pasur disa dërgime emisarësh përsa i përket bashkëpunimit për sistemin zgjedhor Prim. Ju si mendoni, cili është qëndrimi juaj për këtë sistem dhe së dyti pse LSI-ja është jashtë këtyre negociatave?
Së pari dua t’ju sqaroj se Lëvizja Socialiste për Integrim ka një axhendë të qartë të sajën që mendon se është edhe axhenda kryesore e vendit dhe e reformave të tij. Dhe pika e parë në këtë axhendë është t’i jepet fund procesit të dekriminalizimit, sepse po dëmtohet në mënyrë të padrejtë imazhi i vendit. Si Kryetar i Kuvendit mund të themi që po dëmtohet edhe imazhi i shumicës dërmuese të deputeteve dhe të deputetëve, të cilët nuk e meritojnë të karakterizohen në përgjithësi me këtë term, që nuk ka asnjë lidhje jo vetëm me deputetët, por edhe me vetë qytetarët më të thjeshtë të vendit tonë. Në këtë drejtim e gjykoj edhe një herë të rëndësishme përqendrimin e energjive për të mbyllur këtë proces dhe kjo ishte edhe një nga çështjet që u diskutua edhe me z. Pitella, pasi kjo do të na japi të gjitha mundësitë që të përqendrohemi me të gjithë energjitë te reforma në fushën e drejtësisë dhe më pas të ecim drejtë çeljes së negociatave.
Parimisht, a jeni dakord si Lëvizje Socialiste për Integrim? a është i aplikueshëm sipas jush?
Ne parimisht mund t’ju them dhe një herë tjetër, me qetësi dhe me shumë dashuri, jemi për dekriminalizimin, që të bëhet jo sot, por të bëhet dje dhe t’i jepet fund lojës dhe ping-pongut që zvarrit këtë proces dhe penalizon Shqipërinë ndërkombëtarisht.
Së dyti, jemi për realizimin e reformës në drejtësi dhe padyshim që kjo është e vetmja rrugë edhe për të ecur drejt hapjes së negociatave dhe mbi të gjitha jemi që çdo ditë të punojmë, të përmirësojmë klimën e biznesit në vend, sepse kjo është jetike për të përmirësuar jetesën dhe standardin e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Madje, edhe kur flasim për reformën në drejtësi, duhet të kemi parasysh që reforma në drejtësi në radhë të parë duhet të jetë në interes të qytetarëve shqiptarë, të cilët bredhin gjykatave për vite të tëra, për të marrë drejtësi dhe jo vetëm që në të shumtën e rasteve nuk e marrin atë, por çështjet e tyre zvarriten për vite e me vite me radhë. Kjo duhet të jetë një nga çështjet kryesore që duhet të zgjidhë edhe reforma në fushën e drejtësisë, që të jetë një sistem efektiv, që t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë në radhë të parë.
Kryetari i opozitës gjykon që duhet të ketë një tkurrje të numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe po sheh si alternativë për të propozuar zyrtarisht ngritjen e një senati. A gjykoni dhe ju se duhen bërë këto dy nisma?
Nuk kam ndërmend të bëhem pjesë, as unë dhe as partia e z. Manjani, e asnjë debati fals i cili kërkon të shmangë vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vendi, nga axhenda e vërtetë që ka vendi.
Nuk është problemi i Kushtetutës që bëri populli shqiptar me ekspertët më të mirë europianë dhe të Komisionit të Venecias ai që ka krijuar problemet edhe në sistemin e drejtësisë. Pavarësisht se jo pak probleme për këtë kanë krijuar ndryshimet që u bënë natën e 21 prillit të vitit 2008 pa u konsultuar me Komisionin e Venecias dhe pa u konsultuar as me popullin shqiptar të cilat dëmtuan rëndë parimin e kontrollit dhe të balancës që është mjaft vendimtar për një sistem demokratik dhe të së drejtës. Në rast se do të ketë një komision parlamentar për çështjen e reformës zgjedhore, ne do të kemi përfaqësuesit tanë. Ata do të mbajnë qëndrimet e tyre. Por Shqipëria nuk ka pasur probleme të mazhorancës, por të politikave që bëjnë mazhorancat.
Pas kthimit nga SHBA keni arritur të njiheni me shkresën që ka sjellë në adresë të Kuvendit, Kontrolli i Lartë i Shtetit?
Nuk jam njohur akoma, sepse dje në mbrëmje kam mbërritur. Do të njihem, do të konsultohem edhe me kolegët e tjerë, sepse ju e dini që edhe Kryetari i Kuvendit është i detyruar t’i respektojë forumet e Parlamentit dhe do të njiheni me një qëndrim.
Një pyetje që lidhet me reformën në drejtësi. Raporteri për Shqipërinë z. Knut Fleckenstein nuk ka përjashtuar mundësinë për mbajtjen e një referendumi në rast se nuk do siguroheshin votat e nevojshme për një votim gjithëpërfshirës të reformës në drejtësi. Edhe ju pak më herët thatë që në 2008-n Kushtetuta u ndryshua pa pyetur partitë, por pa pyetur edhe popullin. A do të thoni edhe ju me këtë se referendumi mund të ishte një opsion?
Unë mendoj se nuk duhet të nxitohemi për të paragjykuar procesin. Ne kemi patur këto ditë përfaqësuesit e Komisionit të Venecias. Është e rëndësishme që të kemi një proces sa më të qëndrueshëm, sa më gjithëpërfshirës, sa më transparent. Kjo kërkon edhe një debat publik përgjatë gjithë kohës deri sa do të vijnë edhe opinionet e Komisionit të Venecias dhe pastaj duhen shqyrtuan të gjitha opsionet. Por sigurisht që është e rëndësishme që ky proces të avancojë me konsensus drejt standardeve më të mira që sjellin një reformim të qenësishëm të sistemit të drejtësisë dhe që garantojnë jo vetëm pavarësinë, por edhe efektivitetin dhe llogaridhënien e tij. E theksoj, efektiviteti dhe llogaridhënie e këtij sistemi kanë munguar deri më tani dhe ky ka qenë një defekt.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: