TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka komentuar sot para mediave vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Partinë Uniteti Kombëtar. Meta tha se vendimi i Kolegjit ka të bëjë vetëm me palët në proces dhe jo me dekretin e Presidentit dhe as me zgjedhjet. Meta i quajti zgjedhje imagjinare zgjedhjet e 30 qershorit dhe vendimet e KQZ të marra nga organizata socialiste në KQZ.


“Më datë 10 qershor 2019 kam dekretuar shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.
Kjo vendimmarrje veç të tjerave synonte që t’u krijonte palëve një mundësi reflektimi dhe hapësire për të dialoguar për një zgjidhje në funksion të interesit kombëtar dhe agjendës së përbashkët europiane të Shqipërisë.
Në veçanti kjo iniciativë synonte të ndihmonte përpjekjet publike për dialog të Kryeministrit Rama, i cili i kishte shkruar shtatë letra të gjata publike Kryetarit të Opozitës, zotit Basha.
Por në mënyrën më zhgënjyese, nën direktivat e tij, Kuvendi miratoi një Rezolutë parlamentare, nëpërmjet së cilës iu bënte thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, që të mos zbatonin Dekretin e Presidentit të Republikës, edhe pse ky Dekret ishte botuar në Fletore Zyrtare duke qenë i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, përfshirë këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë.
Ditën e djeshme në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie politike kundër një vendimi të KQZ-së, që e pengonte atë të çregjistrohej nga zgjedhjet tashmë imagjinare të 30 qershorit.
Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së kësaj force politike, për t’u çregjistruar nga këto zgjedhje imagjinare.
Vendimi i marrë dje nga Kolegji Zgjedhor ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e Partisë Socialiste dhe organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm në 30 Qershor”, tha Kreu i Shtetit.


Meta sqaroi më tej se Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte vlefshmërinë kushtetuese të Dekretit të Presidentit të Republikës, pasi një tagër të tillë nuk ia njeh Kushtetuta dhe vendimi sipas tij, është një truk procedurial për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ.


“Të nderuar qytetarë, Presidenti i Republikës, nisur nga disinformacionet e shpërndara qëllimisht në media e gjen me vend të sqarojë se:
Në këtë proces Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë kushtetuese të Dekretit të Presidentit të Republikës, pasi një tagër të tillë nuk ia njeh Kushtetuta;
Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga kjo gjykatë zgjedhore si palë në proces, e për rrjedhojë vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik, qoftë për Dekretin, ashtu edhe për anulimin e datës së zgjedhjeve;
Në zbatim të nenit 145, 155, 156, 158 të Kodit Zgjedhor dhe rregullave të Kodit të Procedurës Civile, vendimi i djeshëm i Kolegjit Zgjedhor, ka efekt vetëm përkundrejt palëve në proces, dhe vetëm për atë çka është vendosur midis këtyre dy palëve: pra midis organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aleatit të Partisë Socialiste;
Vendimi i djeshëm i marrë nga Kolegji Zgjedhor është një truk procedurial për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ-së dhe është një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda dhejashtë vendit për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit, por kurrsesi, ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës”, deklaroi Meta.

(m.k/BalkanWeb)