Pasi presidenti Ilir Meta deklaroi se do të padiste të hënën kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka reaguar ky i fundit.

Përmes një qëndrimi për mediat ai pohoi me ironi se më në fund Presidenti po e ushtron një të drejtë që Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo. Po ashtu Dvorani thekson se ai, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve penale.

“Në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallzim penal ndaj meje.
Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo.
Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim.
Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës.
Respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi.”, shprehet Dvorani.

Paralajmërimi për padinë është hapi i radhës nga Kreu i Shtetit, në vijim të përplasjes me KED për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që solli dhe më pas ndarjen me parlamentin për një anëtare të Kushtetueses, Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari. Prej disa ditësh Meta e ka akuzuar kreun e KED, Dvoranin, për veprime mafioze në bërjen e listave për kandidatët për Gjykatën Kushtetuese dhe ushtar të partisë.

Presidenti Meta lexoi dhe veprat penale për të cilat e akuzon Ardian Dvoranin.

“Së pari jam i gëzuar për fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Së dyti, dëshiroj t’ju bëj të ditur vendimin tim si President i Republikës dhe Kryetar i Shtetit për të paraqitur ditën e hënë kallëzim penal si pPresident i Republikës kundër zotit Ardian Dvorani me detyrë kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me adresë Gjykata e Lartë Tiranë. unë president i Republikës dhe Kryetar i Shtetit akuzoj Ardian Dvoranin për këto vepra penale: shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore. Baza ligjore Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Të nderuar zonja dhe zotërinj prokurorë, Presidenti i Republikës në cilësinë e Kreut të Shtetit, sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe organet në sistemin në drejtësi ka ndjekur procesin e funksionimit të reformës në drejtësi. Presidenti në vijimësi ka bërë thirrje kundrejt të gjithë institucioneve të përfshira në proces në respektimin e Kushtetutës dhe Ligjit”, deklaroi Meta.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb