KORÇË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur nga Korça për ndryshimet në qeverinë “Rama” që sjell 8 ministra të rinj ose gjysmën e kabinetit si dhe zv.kryeministrin. Meta tha se e rëndësishme të ndryshojë filozofia që të jetë sa më bashkëpunuese. Ai u shpreh se nëse nuk ndryshojnë politikat, ndryshimet e emrave nuk i shërbejnë ekonomisë.

“Për mua është e rëndësishme të ndryshojë filozofia e qeverisjes e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese, bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për të bërë ligje më të mira për zbatimin e ligjeve bashkëpunuese me institucionet e pavarura sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi më reflektues për të sjellë ato ndryshime që kanë nevojë njerëzit në vështirësi, një pjesë e mirë e shqiptarëve, për më tepër për të zgjeruar dhe konsoliduar shtresën e mesme në vendin tonë që është domosdoshmëri për të evituar një ndarje sociale që mund të bëhej shumë e rrezikshme për shoqërinë tonë.
Mund të them që mund të ndërrohet çdo 6 muaj ministri i bujqësisë por në rast se nuk ndryshohen politikat për zhvillimin e bujqësisë për mbështetjen e bujqësisë, ndryshimet e emrave nuk i vlejnë as fermerëve as ekonomisë se vendit. Kam kohë që kërkoj të ndjekim të paktën modelin e Maqedonisë”, deklaroi Meta.

Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se i pyetur për dy ministrat nga Kosova, Besa Shahini e Arsimit dhe Genti Caka për Evropën dhe Punët e Jashtme, Kreu i Shtetit theksoi se i rëndësishëm është reflektimi dhe përmirësimi i raportit me njerëzit.

“Nuk kam asnjë informacion për këtë çështje por nuk është e rëndësishme nga se vijnë dhe si vijnë apo si ikin ministrat. Për mua është e rëndësishme të reflektojmë edhe të përmirësojmë raportin me të vërtetën edhe me njerëzit”, deklaroi Meta.
Këto deklarata Presidenti i bëri nga Mitropolia, ku pati një mensë të shtruar për të varfrit.

Zoti President, kryeministri Rama ka bërë me dije ndryshime të thella në kabinetin e tij. A është kjo zgjidhja?
Nuk do të dëshiroja të hyja në komente të tilla, aq më tepër që nuk jam njohur realisht dhe plotësisht me këto ndryshime. Për mua është thelbësore të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese. Bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për bërjen e ligjeve më të mira dhe zbatimin e tyre. Bashkëpunuese me institucionet e pavarura, sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi edhe më reflektues për të sjellë ato ndryshime, për të cilat në radhë të parë kanë nevojë njerëzit më në vështirësi, kanë nevojë një pjesë e madhe e shqiptarëve për të dalë nga pragu i varfërisë në të cilin ndodhen sot, por aq më tepër për të zgjeruar e për të konsoliduar shtresën e mesme në vendin e shoqërinë tonë, që është domosdoshmëri për të evituar një ndarje sociale, e cila mund të bëhet shumë e rrezikshme për shoqërinë tonë.

A mund të jenë këto ndryshime që do ta shtyjnë më tej zgjidhjen në “kabinetin Rama”?
Nuk është kjo çështja më e rëndësishme meqë më pyetër pak më parë për ndryshimin e ministrit të Bujqësisë. Meqenëse edhe vetë Korça e lidh mjaft fatin e saj me zhvillimin e bujqësisë e të industrive që bazohen te ajo, mund të them që mund të ndryshohet çdo gjashtë muaj ministri i Bujqësisë, por në rast se nuk ndryshohen politikat për zhvillimin e bujqësisë, për mbështetjen e bujqësisë, ndryshimet e emrave, nuk i vlejnë as fermerëve, as ekonomistëve të vendit.

Dhe për këtë nuk dua të lodhem shumë. Kam kohë që e kërkojë të ndjekim modelin e Maqedonisë, që është kaq afër Shqipërisë dhe Korçës.

Një pyetje të fundit: Dy ministra vijnë nga Kosova?
Nuk kam asnjë informacion për këtë çështje. Për muanuk është e rëndësishme se nga vijnë e si vijnë apo si ikin ministrat. Për mua është e rëndësishme të reflektojmë dhe të përmirësojmë raportin me të vërtetën dhe me njerëzit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb