TIRANE- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi sot se bashkëpunimi me publikun dhe organizatat e shoqërisë civile, po vjen vazhdimisht në rritje përmes konsultimeve konkrete. Kreu i parlamentit mori pjesë sot në takimin konsultativ mbi projekt/manualin e pjesëmarrjes së publikut në procesin vendimmarrës të Kuvendit i hartuar edhe me mbështetjen e OSBE-së.


Gjatë këtij takimi, Meta u shpreh se përfshirja e individëve, publikut dhe shoqërisë civile në procesin vendimmarrës, vlen për të përmirësuar debatin parlamentar duke e bërë më efektiv procesin ligjbërës dhe ligjvënës dhe funksionin mbikëqyrës të Kuvendit.


“Ky proces konsultimi merr një rëndësi të veçantë kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me grupe në nevojë, si personat me aftësi të kufizuar, gratë, fëmijët, pakicat, etj. Manuali do të shërbejë edhe për të rritur bashkëpunimin e organizatave të shoqërisë civile, pasi sa më i fortë të jetë zëri i tyre, aq më të vlefshme do të jenë ligjet që do të miratohen në këtë Kuvend”, tha kreu i kuvendit.


Në këta takim ishin të pranishëm Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori, Florian Raunig, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Meta u shpreh se Kushtetuta e vendos Kuvendin në pozicionin e një ure lidhëse midis qytetarëve dhe procesit ligjbërës.

“Kuvendi është ndërtuar bazuar në parimin e demokracisë përfaqësuese, por pavarësisht përpjekjeve dhe arritjeve të deritanishme, zbatimi i këtij parimi nuk ka qenë gjithmonë në nivelin e duhur dhe për pasojë, publiku nuk ka qenë në mënyrë të ndjeshme i përfshirë në procesin ligjbërës. Besoj se ky bashkëpunim me publikun, sidomos me organizatat e shoqërisë civile, po vjen vazhdimisht në rritje përmes konsultimeve konkrete”, tha Meta.

Kreu i Kuvendit u shpreh se “ky proces konsultimi dhe pjesëmarrjeje e publikut merr një rëndësi të veçantë kur diskutohen çështje sidomos që kanë të bëjnë me grupe në nevojë, si personat me aftësi të kufizuar, gratë, fëmijët, pakicat etj”.

Meta, vlerësoi faktin se administrata e Kuvendit ka gjetur instrumentin e duhur për të ofruar një metodologji pune të zbatueshme nga të gjithë për t’ju përgjigjur edhe rekomandimeve të BE-së për përfshirjen e publikut në procesin vendimmarrës të Kuvendit.

“Ky manual është një përpjekje ambicioze për ta bërë Kuvendin në ushtrimin e funksioneve të tij më transparent, duke i shtuar mundësitë individëve që të informohen më shumë rreth këtij institucioni përfaqësues. Njëkohësisht, ky manual do të rrisë përgjegjshmërinë e deputetëve në qëndrimin e tyre politik kundrejt miratimit të një projektligji të caktuar për t’u përputhur me pritshmëritë që zgjedhësit kanë ndaj tyre”, shtoi Meta.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, u shpreh gjatë takimit konsultativ, se ky manual është finalizimi i udhëzuesit që do të ndihmojë qytetarët të arrijnë më lehtë të zgjedhurit e tyre dhe të angazhohen së bashku me ta dhe me organin përfaqësues, Kuvendin.

“Parlamenti është institucioni qendror i demokracisë. Parlamentarët kanë përgjegjësinë të dëgjojnë zgjedhësit e tyre, t’i përfaqësojnë dhe t’iu përgjigjen nevojave të tyre në kohë dhe në mënyrë efektive. Megjithatë, për kryerjen e këtij roli Parlamenti ka nevojë për një partner aktiv, shoqërinë civile. Shoqëria civile luan një rol kritik në monitorimin e punës së parlamentit dhe për ta mbajtur atë të përgjegjshëm. Ajo duhet të luajë gjithashtu një rol thelbësor në zhvillimin e një marrëdhënie pozitive dhe transparente midis shtetit dhe qytetarëve të tij”, tha Raunig.

Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla u shpreh se ideja për hartimin e këtij manuali ka qenë bazuar në atë çfarë kanë rekomanduar dokumentet e rëndësishme të Bashkimit Europian, në raport-progresin e KE-së.

(m.k/BalkanWeb)