MAQEDONI

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm në festimet e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Maqedoni me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit ku ka dhënë dhe një mesazh të fortë bashkëpunimi, mirëkuptimi e bashkëjetese. Ai bëri thirrje për ndërtimin e një të ardhme të përbashkët europiane, për brezat e ardhshëm.

Presidenti Meta, së bashku me Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi morën pjesë dhe ndoqën Koncertin festiv të mbajtur mbrëmjen e djeshme në Shkup me rastin e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ku ishin të pranishëm shumë deputetë, ministra, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik.

Meta Koncerti (2)
Meta Koncerti (2)

Koncerti festiv u mbajt në kujdesin e veçantë të kryeparlamentarit të Maqedonisë Xhaferi dhe të kryeministrit Zaev nën moton domethënëse: “Për ne dielli lind në Perëndim”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në keto festime dhe për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, si vullnet i përbashkët për bashkëjetesë dhe mirëkuptim për të gjithë qytetarët e vendit të tyre.

“Jam shumë i lumtur që marr pjesë në festimet e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe këtu në Shkup. Si sot 110 vjet më parë, në Manastir përfundoi punimet Kongresi i Alfabetit tonë, që na dha alfabetin e njehsuar të gjuhës sonë të bukur shqipe, gjuhën e të gjithë shqiptarëve kudo ku jemi dhe jetojmë. Është kënaqësi që në këtë përvjetor jubilar, edhe në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë u miratua ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, si vullnet i përbashkët për bashkëjetesë dhe mirëkuptim për të gjithë qytetarët e vendit të tyre”, tha Kreu i Shtetit.

Meta Koncerti (4)
Meta Koncerti (4)

Duke vënë në dukje se ky vit shënon edhe 550-vjetorin e ndarjes, jo nga jeta, “por i vulosjes së përjetësisë së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Heroit Kombëtar të shqiptarëve, por edhe të Europës”, Presidenti Meta nënvizoi faktin se “jeta, vepra dhe luftërat e tij janë udhërrëfyesi më i mirë për të gjithë ne, për identitetin dhe përcaktimin tonë europian.”

“Ky vit, ka qenë një vit i sfidave të mëdha, por edhe i shpresave të mëdha, jo vetëm për Shqipërinë, por sidomos për Maqedoninë dhe të gjithë rajonin tonë.
Parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin për gjuhën shqipe që është mirëpritur nga të gjithë ne. Marrëveshja e Prespës është një hap i rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin tonë. Për integrimet euro-atlantike, për paqen dhe sigurinë afatgjatë. Rajoni ynë ka kaluar shumë vështirësi dhe sfida. Është koha për më shumë bashkëpunim, respekt reciprok, bashkëjetesë dhe mirëkuptim”, u shpreh Meta.

Meta Koncerti (5)
Meta Koncerti (5)

Ai theksoi se respektimi i pakicave dhe minoriteteve është vlerë e shtuar për të gjitha vendet e rajonit tonë.

“Ndaj le ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët europiane, në mënyrë që t’u lemë brezave që vijnë pas nesh një rajon më të sigurt, më të zhvilluar, por njëkohësisht edhe mundësi më të mëdha për të jetuar në të”, u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës në përfundim të përshëndetjes, iu drejtua kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev. “Dua t’ju falënderoj për kënaqësinë që na dhatë për t’u ndjerë kaq mirë të gjithë së bashku!
Si dhe për kontributin tuaj për një bashkëjetesë sa më të natyrshme midis të gjithë qytetarëve në vendin tuaj, që tregon qartë se jeni një vend europian dhe ne jemi krenarë që udhëtojmë së bashku me ju dhe do të punojmë që të çelim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian vitin e ardhshëm!”, deklaroi Presidenti i Republikës.

Meta Koncerti (1)
Meta Koncerti (1)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb