I pranishëm në aktivitetin e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në ditën Botërërore të Paqes, kreu i Shtetit Ilir Meta, nuk ka lënë mënjanë edhe apelin drejtuar politikës. Ndërsa zgjodhi të citojë mesazhin e Papa Franceskut, Meta theksoi se duhet të kërkojmë me forcë që politika dhe politikanët të jenë në shërbim të qytetarëve.

“Politika e mirë në shërbim të paqes, zhvillimit, mirëqenies dhe begatisë është një mision akoma i papërmbushur, për të cilin të gjithë duhet të përpiqemi dhe ndaj të cilit kemi detyrim jo vetëm moral e njerëzor, por edhe kombëtar.”- theksoi kreu i shtetit.

“Papa Françesku në mesazhin e tij thotë se: ‘Ne e dimë se etja për pushtet me çdo çmim, të çon drejt padrejtësisë dhe abuzimit. Politika është një instrument thelbësor për të ndërtuar institucionet dhe komunitetin njerëzor. Por kur jeta politike nuk shihet si një formë shërbimi ndaj shoqërisë në tërësi, politika mund të kthehet në një mjet shtypjeje, marxhinalizimi, madje edhe shkatërrimi’.

Ky është një mesazh aktual për botën mbarë, por edhe për ne shqiptarët.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast dhe duhet të kërkojmë me forcë që politika dhe politikanët të jenë në shërbim të qytetarëve, interesave publike dhe familjeve të tyre, t’i shërbejnë mirësisë, paqes dhe zhvillimit dhe jo anasjelltas, duke u kthyer nga ‘shërbëtorë’, në ‘zotër’ të jetës, fatit, mirëqenies dhe të ardhmes së qytetarëve.

Përpjekjet dhe angazhimi i tyre politik duhet t’i kontribuojnë mirëqeverisjes së vendit dhe luftës kundër varfërisë, pabarazisë, korrupsionit, arrogancës së pushtetit e konfliktit social dhe t’i shërbejnë forcimit të shtetit të së drejtës dhe besimit të qytetarëve te institucionet.

Shumica e heshtur e njerëzve të thjeshtë, të vobektit, të pamundurit, shtresat në nevojë, por edhe shtresa e mesme e shoqërisë sonë kërkojnë dhe meritojnë më shumë vëmendje dhe politika ekonomike e financiare, inkurajuese dhe përfshirëse për ta dhe familjet e tyre.

Politika e mirë në shërbim të paqes, zhvillimit, mirëqenies dhe begatisë është një mision akoma i papërmbushur, për të cilin të gjithë duhet të përpiqemi dhe ndaj të cilit kemi detyrim jo vetëm moral e njerëzor, por edhe kombëtar.” u shpreh Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb