TIRANË- Fatos Lubonja thotë se me betimin e Ilir Metës i president mund të ndodhin dy gjëra: ose do frenojë Ramën, ose LSI-ja do të futet në ombrellën e PS-së.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, analisti Fatos Lubonja, u shpreh se Meta është kryetari de facto i LSI-së, e cila ka premtuar opozitë të fortë, por roli i presidentit si institucion është paqësor dhe këtu, sipas tij kemi të bëjmë me një situatë kontradiktore, raporton “BalkanWeb”.

“Është kontradiktore situata e Metës. Nga një anë partia e tij premton opozitë të fortë, dihet që Meta de facto është kryetari i saj, dhe nga ana tjetër si president paqësor. E vetmja shpresë është që Meta mund të frenojë disa teprime të dukshme të Ramës, por se sa ka kompetencë mbetet për t’u parë”, shprehet ai.

Për Lubonjën, nuk është çudi që pavarësisht dhëmbëve të treguar deri tani, Meta të jetë një president i qetë, duke shpjeguar edhe arsyen.

“Me gjithë ato premtime për opozitë të fortë, apo për të gjitha ato konflikte që pamë, mos harrojmë çfarë ndodhi me Bashën, çfarë thoshte në çadër dhe si u ul. Kjo është e njëjta klasë politike. Janë të lidhur me oligarkë dhe interesat themelore të tyre, për fat të keq, bëjnë që shumë kollaj të shohim nesër një Metë president të qetë, me dashuri dhe qetësi dhe një LSI që pak nga pak futet në ombrellën e partisë së madhe”, tha Lubonja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb